A A A A A

Kishë: [Lindja e Jezusit]


Mateu 1:18-23
[18] Tani lindja e Jezu Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të fillonin të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Frymën e Shenjtë.[19] Atëherë Jozefi, i fejuari i saj, i cili ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas.[20] Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjell i Zotit dhe i tha: ''Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç'është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë.[21] Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre''.[22] E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë:[23] ''Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t'i venë emrin Emanuel, që do të thotë: "Zoti me ne"''.

Luke 2:7-21
[7] Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.[8] Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.[9] Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.[10] Por engjëlli u tha atyre: ''Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;[11] sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.[12] Dhe kjo do t'ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd''.[13] Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:[14] ''Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!''.[15] Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t'u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njeri tjetrit: ''Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç'ka ndodhur dhe ç'na bëri të ditur Zoti''.[16] Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd.[17] Mbasi e panë, përhapën ato që u ishte thënë për atë fëmijë.[18] Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë.[19] Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj.[20] Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre.[21] Dhe kur kaluan të tetë ditët, pas të cilave ai duhej rrethprerë, ia vunë emrin Jezus, emër të dhënë nga engjëlli para se ai të ngjizej në bark.

Mateu 2:1-12
[1] Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem,[2] duke thënë: ''Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar''.[3] Mbreti Herod, kur dëgjoi këto fjalë, u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jeruzalemi.[4] Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti.[5] Dhe ata i thanë: ''Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit:[6] "Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parendësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin"''.[7] Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë.[8] Dhe i dërgoi në Bethlehem dhe tha: ''Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj''.[9] Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija.[10] Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh.[11] Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.[12] Pasi Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.

Galatasve 4:4
që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.

Luke 2:1-4
[1] Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë.[2] Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kuirini ishte guvernatori i Sirisë.[3] Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet.[4] Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit,

Zbulesa 12:1-5
[1] Ishte shtatzënë e bërtiste nga dhembjet dhe mundimet e lindjes.[2] Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell: dhe ja, një dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, dhe mbi kokat e tij kishte shtatë kurora.[3] Dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes të tretën pjesë te yjeve të qiellit dhe i hodhi mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, për të gllabëruar birin e saj kur ta kishte lindur.[4] Dhe ajo lindi një bir mashkull, i cili duhet të qeverisë gjithë kombet me skeptër të hekurt; dhe biri i saj u rrëmbye pranë Perëndisë dhe fronit të tij.[5] Dhe gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte vend të përgatitur nga Perëndia, që të ushqehet atje një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

Albanian Bible 1884
Public Domain 1884