A A A A A
Facebook Instagram Twitter
Shqiptare Bibla 1884

Gjyqtarët 13



1
Bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe për sytë e Zotit, dhe Zoti i dha në duart e Filistejve për dyzet vjet.
2
Ishte një njeri nga Tsorahu, prej familjes së Danitëve, që quhej Manoah; gruaja e tij ishte shterpë dhe nuk kishte fëmijë.
3
Engjëlli i Zotit iu shfaq kësaj gruaje dhe i tha: "Ja, ti je shterpë dhe nuk ke fëmijë, por ke për të mbetur me barrë dhe do të pjellësh një fëmijë.
4
Prandaj ruhu se pi verë o pije dehëse, dhe mos ha asnjë gjë të papastër.
5
Sepse ti do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë, mbi kokën e të cilit nuk do të kalojë brisku, sepse fëmija do të jetë një Nazireo kushtuar Perëndisë që në barkun e nënes së tij; ai do të fillojë ta çlirojë Izraelin nga duart e Filistejve".
6
Atëherë gruaja shkoi t'i thotë bashkëshortit të saj: "Një njeri i Perëndisë erdhi tek unë; pamja e tij ishte si ajo e Engjëllit të Perëndisë, me të vërtetë e frikshme. Unë nuk e pyeta se nga vinte, dhe ai nuk më tha emrin e tij;
7
por më tha: "Ja, ti do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë; prandaj tani mos pi verë as pije dehëse, dhe mos ha asgjë të papastër, sepse fëmija do të jetë një Nazireo i kushtuar Perëndisë që në barkun e nënës së tij deri në ditën e vdekjes së tij"".
8
Atëherë Manoahu iu lut me të madhe Zotit dhe i tha: "O Zot, të lutem që njeriu i Perëndisë i dërguar prej teje të kthehet përsëri pranë nesh dhe të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që ka për të lindur".
9
Perëndia e dëgjoi zërin e Manoahut; dhe Engjëlli i Perëndisë u kthye përsëri te gruaja, ndërsa ajo ndodhej në arë, por burri i saj Manoah nuk ishte me të.
10
Dhe gruaja me të shpejtë shkoi të informojë bashkëshortin e saj dhe i tha: "Ja, m'u shfaq ai burrë, që erdhi tek unë pardje".
11
Atëherë Manoahu u ngrit dhe ndoqi gruan e tij dhe, kur arritën tek ai njeri, i tha: "Ti je ai njeri që i foli kësaj gruaje?". Ai u përgjegj: "Jam unë".
12
Por Manoahu tha: "Kur të realizohet fjala jote, cili duhet të jetë stili i jetës së djalit dhe ç'duhet të bëjë?".
13
Engjëlli i Zotit iu përgjegj Manoahut: "Gruaja duhet të ketë kujdes për të gjitha ato që i thashë.
14
Të mos hajë asnjë nga prodhimet e rrushit, të mos pijë verë a pije dehëse, dhe të mos hajë asnjë gjë të papastër; të ketë parasysh të gjitha porositë që i kam urdhëruar".
15
Atëherë Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Na lejo të të mbajmë dhe të të përgatisim një kec!".
16
Engjëlli i Zotit iu përgjegj Manoahut me këto fjalë: "Edhe sikur të më mbash nuk do ta ha ushqimin tënd; por në rast se ti dëshiron të bësh një olokaust, ofroja Zotit". (Manoahu nuk e dinte se ai ishte Engjëlli i Zotit).
17
Pastaj Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Cili është emri yt që të realizohen fjalët e tua, ne të kemi mundësi të të nderojmë?".
18
Engjëlli i Zotit iu përgjegj: "Pse vallë kërkon të mësosh emrin tim? Ai është i mrekullueshëm".
19
Kështu Manoahu mori kecin dhe blatimin e ushqimit dhe ia ofroi Zotit mbi gurin. Atëherë Engjëlli bëri një mrekulli, ndërsa Manoahu dhe e shoqja shikonin;
20
ashtu si flaka ngjitej nga altari në qiell, Engjëlli i Zotit u ngjit me flakën e altarit. Duke parë këtë, Manoahu bashkë me gruan e tij ranë përmbys për tokë.
21
Engjëlli i Zotit nuk iu shfaq më as Manoahut, as bashkëshortes së tij. Atëherë Manoahu kuptoi se ai ishte Engjëlli i Zotit.
22
Manoahu i tha pastaj bashkëshortes së tij: "Ne me siguri do të vdesim, sepse pamë Perëndinë".
23
Por e shoqja i tha: "Po të kishte dashur me të vërtetë vdekjen tonë, Zoti nuk do të kishte pranuar nga duart tona olokaustin dhe blatimin e ushqimit, as do të na kishte treguar tërë këto gjëra, dhe tani nuk do të bënte që të dëgjonim gjëra si këto".
24
Pastaj gruaja lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Sanson. Fëmija u rrit dhe Zoti e bekoi.
25
Fryma e Zotit filloi të lëvizë mbi të në kampin e Danit, midis Tsorahut dhe Eshtaolit.











Gjyqtarët 13:1
Gjyqtarët 13:2
Gjyqtarët 13:3
Gjyqtarët 13:4
Gjyqtarët 13:5
Gjyqtarët 13:6
Gjyqtarët 13:7
Gjyqtarët 13:8
Gjyqtarët 13:9
Gjyqtarët 13:10
Gjyqtarët 13:11
Gjyqtarët 13:12
Gjyqtarët 13:13
Gjyqtarët 13:14
Gjyqtarët 13:15
Gjyqtarët 13:16
Gjyqtarët 13:17
Gjyqtarët 13:18
Gjyqtarët 13:19
Gjyqtarët 13:20
Gjyqtarët 13:21
Gjyqtarët 13:22
Gjyqtarët 13:23
Gjyqtarët 13:24
Gjyqtarët 13:25






Gjyqtarët 1 / Gjy 1
Gjyqtarët 2 / Gjy 2
Gjyqtarët 3 / Gjy 3
Gjyqtarët 4 / Gjy 4
Gjyqtarët 5 / Gjy 5
Gjyqtarët 6 / Gjy 6
Gjyqtarët 7 / Gjy 7
Gjyqtarët 8 / Gjy 8
Gjyqtarët 9 / Gjy 9
Gjyqtarët 10 / Gjy 10
Gjyqtarët 11 / Gjy 11
Gjyqtarët 12 / Gjy 12
Gjyqtarët 13 / Gjy 13
Gjyqtarët 14 / Gjy 14
Gjyqtarët 15 / Gjy 15
Gjyqtarët 16 / Gjy 16
Gjyqtarët 17 / Gjy 17
Gjyqtarët 18 / Gjy 18
Gjyqtarët 19 / Gjy 19
Gjyqtarët 20 / Gjy 20
Gjyqtarët 21 / Gjy 21