1 |
Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s'kishin ç'të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre: |
2 |
''Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç'të hajë. |
3 |
Dhe po t'i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg''. |
4 |
Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: ''Si do të mund t'i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?''. |
5 |
Dhe ai i pyeti: ''Sa bukë keni?''. Ata i thanë: ''Shtatë''. |
6 |
Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë. |
7 |
Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t'i shpërndahen turmës. |
8 |
Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan. |
9 |
Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi. |
10 |
Dhe menjëherë hypi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës. |
11 |
Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë. |
12 |
Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: ''Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t'i jepet asnjë shenjë''. |
13 |
Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër. |
14 |
Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s'kishin asgjë përveç një buke. |
15 |
Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: ''Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!''. |
16 |
Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: ''Nuk kemi bukë''. |
17 |
Jezusi e vuri re dhe u tha: ''Përse dis-kutoni që s'keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë? |
18 |
Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend? |
19 |
Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët?''. Ata thanë: ''Dymbëdhjetë''. |
20 |
''Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?''. Dhe ata thanë: ''Shtatë''. |
21 |
Dhe ai u tha atyre: ''Po si, ende nuk po kuptoni?''. |
22 |
Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte. |
23 |
Atëherë e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë. |
24 |
Dhe ai, duke hapur sytë, tha: ''Po shoh njerëz si pemë që ecin''. |
25 |
Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka. |
26 |
Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: ''Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat''. |
27 |
Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cesaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: ''Kush thonë njerëzit se jam unë?''. |
28 |
Ata u përgjigjën: ''Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët''. |
29 |
Dhe ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam?''. Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: ''Ti je Krishti''. |
30 |
Atëherë ai i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt për të. |
31 |
Pastaj nisi t'u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet. |
32 |
Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë. |
33 |
Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: ''Largohu nga unë, Satana, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!''. |
34 |
Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: ''Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë, |
35 |
sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë. |
36 |
Ç'dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet? |
37 |
Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet? |
38 |
Sepse kujtdo që do t'i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t'i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë''.
|
Albanian Bible 1884 |
Public Domain 1884 |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Shenjë 8:1 |
Shenjë 8:2 |
Shenjë 8:3 |
Shenjë 8:4 |
Shenjë 8:5 |
Shenjë 8:6 |
Shenjë 8:7 |
Shenjë 8:8 |
Shenjë 8:9 |
Shenjë 8:10 |
Shenjë 8:11 |
Shenjë 8:12 |
Shenjë 8:13 |
Shenjë 8:14 |
Shenjë 8:15 |
Shenjë 8:16 |
Shenjë 8:17 |
Shenjë 8:18 |
Shenjë 8:19 |
Shenjë 8:20 |
Shenjë 8:21 |
Shenjë 8:22 |
Shenjë 8:23 |
Shenjë 8:24 |
Shenjë 8:25 |
Shenjë 8:26 |
Shenjë 8:27 |
Shenjë 8:28 |
Shenjë 8:29 |
Shenjë 8:30 |
Shenjë 8:31 |
Shenjë 8:32 |
Shenjë 8:33 |
Shenjë 8:34 |
Shenjë 8:35 |
Shenjë 8:36 |
Shenjë 8:37 |
Shenjë 8:38 |
|
|
|
|
|
|
Shenjë 1 / Shen 1 |
Shenjë 2 / Shen 2 |
Shenjë 3 / Shen 3 |
Shenjë 4 / Shen 4 |
Shenjë 5 / Shen 5 |
Shenjë 6 / Shen 6 |
Shenjë 7 / Shen 7 |
Shenjë 8 / Shen 8 |
Shenjë 9 / Shen 9 |
Shenjë 10 / Shen 10 |
Shenjë 11 / Shen 11 |
Shenjë 12 / Shen 12 |
Shenjë 13 / Shen 13 |
Shenjë 14 / Shen 14 |
Shenjë 15 / Shen 15 |
Shenjë 16 / Shen 16 |