Dhiata e Vjetër
Dhiata e Re
Shqiptare Bibla 1884

Shenjë 15

1

Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedrit bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit.

2

Dhe Pilati e pyeti: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: ''Ti e thua!''.

3

Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak.

4

Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: ''Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!''.

5

Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur.

6

Dhe në çdo festë ishte zakon t'u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin.

7

Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje.

8

Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta.

9

Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: ''A doni t'ju liroj mbretin e Judenjve?''.

10

Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira.

11

Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t'u lironte atyre Barabanë.

12

Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: ''Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të Judenjve?''.

13

Dhe ata bërtitën përsëri: ''Kryqëzoje!''.

14

Dhe Pilati u tha atyre: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Atëherë ata bërtitën edhe më fort: ''Kryqëzoje!''.

15

Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej.

16

Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domëthënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën.

17

E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye.

18

Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!''.

19

Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin.

20

Pasi e tallën, ia hoqen purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar.

21

Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij.

22

Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: "Vendi i Kafkës".

23

I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.

24

Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t'i binte secilit.

25

Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan.

26

Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: "Mbreti i Judenjve".

27

Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij.

28

Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: ''Ai u përfshi ndër keqbërësit''.

29

Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: ''Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë,

30

shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!''.

31

Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshnin njeri tjetrit: ''Të tjerët i shpëtoi, por veten s'mund ta shpëtojë.

32

Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë''. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë.

33

Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë.

34

Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: ''Eloi, Eloi; lama sabaktani?'', që e përkthyer do të thotë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''.

35

Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshnin: ''Ja, ai po thërret Elian!''.

36

Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: ''Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë''.

37

Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën.

38

Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund.

39

Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: ''Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!''.

40

Aty ishin gjithashtu edhe gra që shikonin nga larg; midis tyre ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit të vogël të Joses dhe Salomeja,

41

të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile; dhe kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur bashkë me të në Jeruzalem.

42

Pastaj, u afrua tashmë mbrëmja, sepse ishte Përgatitja, domethënë vigjilja e së shtunës,

43

Jozefi nga Arimatea, një këshilltar i respektuar, i cili priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë, me guxim hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit.

44

Dhe Pilati u çudit që tashmë kishte vdekur. Dhe thirri centurionin dhe e pyeti nëse kishte vdekur prej shumë kohe.

45

Dhe si u sigurua nga centurioni, ia la trupin Jozefit.

46

Ky, mbasi bleu një çarçaf, e zbriti Jezusin nga kryqi, e mbështolli në çarçaf dhe e vuri në një varr që ishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur para hyrjes së varrit.

47

Dhe Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Joses, vërenin ku e vunë.

Albanian Bible 1884
Public Domain 1884