1 |
Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin. |
2 |
Por thonin: ''Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli''. |
3 |
Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebroz, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye. |
4 |
Disa u indinjuan midis tyre dhe thanë: ''Përse bëhet gjithë ky shpenzim i kotë i vajit? |
5 |
Sepse ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t'u jepeshin të varfërve''. Dhe ishin të indinjuar ndaj asaj. |
6 |
Por Jezusi tha: ''Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje. |
7 |
Sepse të varfërit do t'i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t'u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë. |
8 |
Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim. |
9 |
Por po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj''. |
10 |
Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t'ua dorëzonte Jezusin. |
11 |
Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t'i jepnin para. Kështu ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar. |
12 |
Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: ''Ku don të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?''. |
13 |
Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: ''Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë. |
14 |
Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?". |
15 |
Atëherë ai do t'ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne''. |
16 |
Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën. |
17 |
Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët. |
18 |
Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: ''Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë''. |
19 |
Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t'i thoshin njëri pas tjetrit: ''Mos jam unë?''. Dhe një tjetër tha: ''Mos jam unë?''. |
20 |
Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Éshtë një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak. |
21 |
Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!''. |
22 |
Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori buk, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Merrni, hani; ky është trupi im''. |
23 |
Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj. |
24 |
Atëherë u tha: ''Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta. |
25 |
Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë''. |
26 |
Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga mali i Ullinjve. |
27 |
Dhe Jezusi u tha atyre: Ju të gjithë do të skandalizoheni me mua sonte, sepse është shkruar: "Do ta godas Bariun dhe delet do të shpërndahen". |
28 |
Por, mbasi të ringjallem, unë do t'ju pararend në Galile''. |
29 |
Dhe Pjetri i tha: ''Edhe sikur të gjithë të tjerët të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem''. |
30 |
Dhe Jezusi i tha: ''Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë''. |
31 |
Por ai, duke ngulur këmbë më tepër, thoshte: ''Edhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë''. Të njëjtën gjë thoshnin edhe gjithë të tjerët. |
32 |
Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjetsemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: ''Uluni këtu, deri sa unë të jem lutur''. |
33 |
Mori, pra, me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi; |
34 |
dhe u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar''. |
35 |
Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë. |
36 |
Dhe tha: ''Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!''. |
37 |
Pastaj u kthye mbrapa, i gjeti dishepujt duke fjetur dhe i tha Pjetrit: ''Simon, po fle? S'ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme? |
38 |
Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët''. |
39 |
U largua përsëri dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë. |
40 |
Kur u kthye, i gjeti përsëri në gjumë dishepujt, sepse sytë e tyre ishin rënduar dhe ata nuk dinin çfarë t'i përgjigjeshin. |
41 |
Së fundi, kthehet për të tretën herë dhe u thotë atyre: ''Ende po flini dhe pushoni? Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. |
42 |
Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër!''. |
43 |
Dhe në atë çast, ndërsa ai ende po fliste, erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe me të një turmë e madhe me shpata e shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve, nga skribët dhe nga pleqtë. |
44 |
Dhe ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: ''Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt''. |
45 |
Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: ''Rabbi, Rabbi!''; dhe e puthi përzemërsisht! |
46 |
Atëherë ata vunë dorë mbi të dhe e arrestuan. |
47 |
Dhe një nga të pranishmit nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. |
48 |
Atëherë Jezusi, duke iu përgjigjur, i tha: ''Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub? |
49 |
E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët; por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet!''. |
50 |
Atëherë dishepujt e lanë dhe ikën të gjithë. |
51 |
Dhe një farë djaloshi, që ishte i mbështjellur me një çarçaf mbi trupin e zhveshur, po e ndiqte, por ata e kapën. |
52 |
Por ai e lëshoi çarçafin dhe iku lakuriq nga duart e tyre. |
53 |
Atëherë ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët. |
54 |
Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në pallatin e kryepriftit dhe u ul atje bashkë me rojat dhe ngrohej afër zjarrit. |
55 |
Dhe krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrit kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, por nuk po gjenin. |
56 |
Shumë veta në fakt jepnin dëshmi të rreme kundër tij; por dëshmitë e tyre nuk përkonin. |
57 |
Atëherë disa u ngritën dhe dëshmuan rrejshëm kundër tij duke thënë: |
58 |
''Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: "Unë do ta shkatërroj këtë tempull të bërë me duar, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër që nuk është bërë me duar"''. |
59 |
Por as mbi këtë dëshmia e tyre nuk përkonte. |
60 |
Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të kuvendit dhe e pyeti Jezusin duke thënë: ''Nuk përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?''. |
61 |
Por ai heshti dhe nuk u përgjegj fare. Përsëri kryeprifti e pyeti dhe i tha: ''A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?''. |
62 |
Dhe Jezusi tha: ''Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit''. |
63 |
Atëherë kryeprifti, duke i shqyer rrobat, tha: ''Ç'nevojë kemi më për dëshmitarë? |
64 |
Ju e dëgjuat blasfeminë, ç'ju duket?''. Dhe të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen. |
65 |
Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t'ia zënë fytyrën, ta qëllojnë me shuplaka dhe t'i thonë: ''Profetizo!''. Dhe rojat e godisnin. |
66 |
Ndërsa Pjetri ishte poshtë në pallat, erdhi një shërbëtore e kryepriftit. |
67 |
Dhe kur pa Pjetrin që po ngrohej, e vështroi me kujdes dhe tha: ''Edhe ti ishe me Jezusin Nazareas''. |
68 |
Por ai e mohoi duke thënë: ''Nuk e njoh, nuk kuptoj çfarë thua''. Pastaj doli jashtë në hajat dhe gjeli këndoi. |
69 |
Dhe shërbëtorja, duke e parë përsëri, filloi t'u flasë të pranishmëve: ''Ky është një nga ata''. |
70 |
Por ai përsëri e mohoi. Dhe pak më vonë të pranishmit i thanë përsëri Pjetrit: ''Me të vërtetë ti je një nga ata; se ti je Galileas dhe e folura jote e zbulon''. |
71 |
Por ai nisi të mallkojë dhe të betohet: ''Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni''. |
72 |
Dhe gjeli këndoi për të dytën herë; atëherë Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi i kishte thënë: ''Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë''. Dhe, duke e menduar këtë, qau.
|
Albanian Bible 1884 |
Public Domain 1884 |