1 |
Dhe Jezusi, nisi përsëri t'u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë: |
2 |
''Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit. |
3 |
Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë. |
4 |
Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: "U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë". |
5 |
Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta. |
6 |
Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë. |
7 |
Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre. |
8 |
Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë. |
9 |
Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni." |
10 |
Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar. |
11 |
Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme; |
12 |
dhe i tha: "Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?". Dhe ai mbylli gojën. |
13 |
Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: "Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh". |
14 |
Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''. |
15 |
Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë. |
16 |
Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t'i thënë: ''Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve. |
17 |
Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t'i paguhet taksa Cezarit apo jo?''. |
18 |
Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: ''Pse më tundoni, o hipokritë? |
19 |
Më tregoni monedhën e taksës''. Atëherë ata i treguan një denar. |
20 |
Dhe ai u tha atyre: ''E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?''. |
21 |
Ata i thanë: ''E Cezarit''. Atëherë ai u tha atyre: ''Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë''. |
22 |
Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën. |
23 |
Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën |
24 |
duke thënë: ''Mësues, Moisiu ka thënë: "Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t'i lindur trashëgimtarë vëllait të tij. |
25 |
Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet. |
26 |
Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati. |
27 |
Në fund vdiq edhe gruaja. |
28 |
Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja''. |
29 |
Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë. |
30 |
Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë. |
31 |
Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç'ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë: |
32 |
"Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit"? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve''. |
33 |
Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij. |
34 |
Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok. |
35 |
Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë: |
36 |
''Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?''. |
37 |
Dhe Jezusi i tha: ''"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde". |
38 |
Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. |
39 |
Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". |
40 |
Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët''. |
41 |
Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti: |
42 |
''Ç'u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?''. Ata i thanë: ''I Davidit''. |
43 |
Ai u tha atyre: ''Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë: |
44 |
"Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t'i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua"? |
45 |
Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?''. |
46 |
Por asnjë nuk ishte në gjendje t'i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.
|
Albanian Bible 1884 |
Public Domain 1884 |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Mateu 22:1 |
Mateu 22:2 |
Mateu 22:3 |
Mateu 22:4 |
Mateu 22:5 |
Mateu 22:6 |
Mateu 22:7 |
Mateu 22:8 |
Mateu 22:9 |
Mateu 22:10 |
Mateu 22:11 |
Mateu 22:12 |
Mateu 22:13 |
Mateu 22:14 |
Mateu 22:15 |
Mateu 22:16 |
Mateu 22:17 |
Mateu 22:18 |
Mateu 22:19 |
Mateu 22:20 |
Mateu 22:21 |
Mateu 22:22 |
Mateu 22:23 |
Mateu 22:24 |
Mateu 22:25 |
Mateu 22:26 |
Mateu 22:27 |
Mateu 22:28 |
Mateu 22:29 |
Mateu 22:30 |
Mateu 22:31 |
Mateu 22:32 |
Mateu 22:33 |
Mateu 22:34 |
Mateu 22:35 |
Mateu 22:36 |
Mateu 22:37 |
Mateu 22:38 |
Mateu 22:39 |
Mateu 22:40 |
Mateu 22:41 |
Mateu 22:42 |
Mateu 22:43 |
Mateu 22:44 |
Mateu 22:45 |
Mateu 22:46 |
|
|
|
|
|
|
Mateu 1 / Mat 1 |
Mateu 2 / Mat 2 |
Mateu 3 / Mat 3 |
Mateu 4 / Mat 4 |
Mateu 5 / Mat 5 |
Mateu 6 / Mat 6 |
Mateu 7 / Mat 7 |
Mateu 8 / Mat 8 |
Mateu 9 / Mat 9 |
Mateu 10 / Mat 10 |
Mateu 11 / Mat 11 |
Mateu 12 / Mat 12 |
Mateu 13 / Mat 13 |
Mateu 14 / Mat 14 |
Mateu 15 / Mat 15 |
Mateu 16 / Mat 16 |
Mateu 17 / Mat 17 |
Mateu 18 / Mat 18 |
Mateu 19 / Mat 19 |
Mateu 20 / Mat 20 |
Mateu 21 / Mat 21 |
Mateu 22 / Mat 22 |
Mateu 23 / Mat 23 |
Mateu 24 / Mat 24 |
Mateu 25 / Mat 25 |
Mateu 26 / Mat 26 |
Mateu 27 / Mat 27 |
Mateu 28 / Mat 28 |