A A A A A
Shqiptare Bibla 1884

Zakaria 7



1
Në vitin e katërt të mbretit Dar, ditën e katërt të muajit të nëntë, që është Kislevi, ndodhi që fjala e Zotit iu drejtua Zakarias.
2
Kishin dërguar Sharetserin, bashkë me Regemelekun dhe njerëzit e tij, në Bethel për të kërkuar me lutje favorin e Zotin,
3
dhe për të folur me priftërinjtë që ishin në shtëpinë e Zotit të ushtrive dhe me profetët, duke thënë: "A duhet të qaj në muajin e pestë dhe të agjëroj si kam bërë gjatë shumë viteve?".
4
Atëherë fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
5
"Folu gjithë popullit të vendit dhe priftërinjve dhe thuaj: "Kur keni agjëruar dhe jeni pikëlluar në muajin e pestë dhe në të shtatin gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve, a keni agjëruar në të vërtetë për mua, pikërisht për mua?
6
Po më pas, kur keni ngrënë dhe pirë, mos vallë keni ngrënë dhe pirë për veten tuaj?
7
A nuk janë këto fjalët që Zoti i ushtrive ka shpallur me anë të profetëve të së kaluarës, kur Jeruzalemi ishte i banuar dhe i qetë bashkë me qytetet e tij të afërta dhe gjithashtu Negevi dhe fusha ishin të banuara?"".
8
Fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, duke thënë:
9
"Kështu thotë Zoti i ushtrive: Zbatoni me përpikëri drejtësinë dhe tregoni secili mirësi dhe mëshirë për vëllezërit tuaj.
10
Mos e shtypni të venë dhe jetimin, të huajin dhe të varfërin; dhe askush të mos kurdisë në zemër të vet të keqen kundër vëllait të vet.
11
Por ata nuk deshën të dëgjojnë, kthyen krahët me kryeneçësi dhe i zunë veshët që të mos dëgjonin.
12
E bënë zemrën e tyre si diamanti, për të mos dëgjuar ligjin dhe fjalët që Zoti i ushtrive u dërgonte atyre me anë të Frymës së tij, me anë të profetëve të së kaluarës. Kështu u krijua një indinjatë e madhe te Zoti i ushtrive.
13
Dhe ndodhi që, mbasi ai thërriste dhe ata nuk ia vinin veshin, ata thirrën dhe unë nuk ua vura veshin", thotë Zoti i ushtrive,
14
"por i shpërndava me shakullimë midis gjithë kombeve që ata nuk i njihnin. Kështu vendi mbeti i shkretë pas tyre, dhe askush nuk kalonte andej ose nuk u kthye. Nga një vend kënaqësie ata e kthyen në shkreti".