A A A A A
Shqiptare Bibla 1884

Levitiku 18



1
Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2
"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
3
Nuk do të bëni siç bëjnë në vendin e Egjiptit, ku keni banuar, dhe nuk do të bëni siç bëjnë në vendin e Kanaanit ku po ju çoj; ju nuk do të ndiqni zakonet e tyre.
4
Do të zbatoni dekretet e mia dhe do të respektoni statutet e mia, duke iu përmbajtur atyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
5
Do të respektoni statutet dhe dekretet e mia, me anën e të cilave, kushdo që i zbaton në praktikë, ka për të jetuar. Unë jam Zoti.
6
Asnjë nga ju nuk do t'i afrohet ndonjë të afërmi nga gjaku për të zbuluar lakuriqësinë e tij. Unë jam Zoti.
7
Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e atit tënd apo lakuriqësinë e nënës sate; ajo është nëna jote; nuk do të zbulosh lakuriqësinë e saj.
8
Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e gruas së atit tënd; ajo është lakuriqësia e atit tënd.
9
Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës sate, bijë e atit tënd ose bijë e nënës sate, qoftë e lindur në shtëpi ose jashtë saj.
10
Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e bijës së birit tënd apo të bijës së bijës sate, sepse lakuriqësia e tyre është vetë lakuriqësia jote.
11
Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e bijës së gruas të atit tënd, e lindur nga ati yt; është motra jote; mos zbulo lakuriqësinë e saj.
12
Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës së atit tënd; është një e afërme e ngushtë e atit tënd.
13
Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës së nënës sate, sepse është një e afërme e ngushtë e nënës sate.
14
Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e vëllait të atit tënd; nuk do t'i afrohesh gruas së tij; ajo është halla jote.
15
Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e nuses së birit tënd; ajo është gruaja e djalit tënd; mos zbulo lakuriqësinë e saj.
16
Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e gruas së vëllait tënd; është lakuriqësia e vëllait tënd.
17
Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e një gruaje dhe të bijës së saj; nuk do të marrësh bijën e birit të saj, as bijën e bijës së saj për të zbuluar lakuriqësinë; janë të afërm të ngushtë të saj; është një incest.
18
Nuk do të marrësh një grua bashkë me të motrën për ta bërë shemër, duke zbuluar lakuriqësinë e saj ndërsa tjetra është akoma gjallë.
19
Nuk do t'i afrohesh një gruaje për të zbuluar lakuriqësinë e saj në periudhën e papastërtisë së saj të shkaktuar nga zakonet.
20
Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me gruan e fqinjit tënd për t'u ndotur me të.
21
Nuk do të lejosh që asnjë prej trashëgimtarëve të tu t'i ofrohet Molekut; dhe nuk do të përdhosësh emrin e Perëndisë tënd. Unë jam Zoti.
22
Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me një burrë, ashtu si bëhet me një grua; është një gjë e neveritshme.
23
Nuk do të bashkohesh me asnjë kafshë duke u ndotur me të; gjithashtu asnjë grua të mos i afrohet një kafshe për t'u bashkuar me të; është një degjenerim i neveritshëm.
24
Mos u ndotni me asnjë nga këto gjëra, sepse me gjithë këto gjëra janë ndotur kombet që po bëhem gati t'i përzë përpara jush.
25
Vendi është ndotur; prandaj unë do ta dënoj për paudhësinë e tij, dhe vendi do të vjellë banorët e tij.
26
Ju, pra, do të respektoni statutet dhe dekretet e mia dhe nuk do të kryeni asnjë nga ato gjëra të neveritshme, as ai që ka lindur në vend ashtu edhe i huaji që banon midis jush,
27
(sepse të gjithë këto gjëra të neveritshme i kanë bërë banorët e vendit që ishin para jush, dhe vendi është ndotur),
28
që edhe ju, po të jetë se e ndotni, vendi të mos ju vjellë ashtu si ka vjellë kombin që ishte para jush.
29
Sepse cilido që kryen ndonjë prej këtyre gjërave të neveritshme, personat që i kryejnë do të shfarosen në mes të tyre.
30
Do të respektoni, pra, urdhërimet e mia, nuk do të ndiqni asnjë nga zakonet e neveritshme që janë para jush dhe nuk do të ndoteni me to. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".