Dhiata e Vjetër
Dhiata e Re
Shqiptare Bibla 1884

Ezekieli 2

1

Dhe më tha: "O bir njeriu, çohu më këmbë dhe unë do të të flas".

2

Ndërsa ai më fliste, Fryma hyri tek unë dhe më bëri të çohem më këmbë, dhe unë dëgjova atë që më fliste.

3

Ai më tha: "O bir njeriu, unë të dërgoj te bijtë e Izraelit, në mes të kombeve rebelë që janë rebeluar kundër meje; ata dhe etërit e tyre kanë ngritur krye kundër meje deri më këtë ditë.

4

Ata te të cilët po të dërgoj janë bij me fytyrë të ashpër dhe me zemër kryeneçe, dhe ti do t'u thuash atyre: "Kështu thotë Zoti, Zoti".

5

Edhe sikur të dëgjojnë ose të mos pranojnë të dëgjojnë, sepse janë një shtëpi rebele, do të mësojnë se megjithatë ka një profet në mes tyre.

6

Dhe ti, bir njeriu, mos ki frikë prej tyre dhe mos ki frikë nga fjalët e tyre, edhe se po qe se do gjendesh i rrethuar nga hithra dhe nga gjemba dhe po qe se banon në mes të akrepave; mos ki frikë

7

Por ti do t'u njoftosh fjalët e mia, edhe sikur të të dëgjojnë ose të refuzojnë të dëgjojnë, sepse janë rebelë.

8

Dhe ti, bir njeriu, dëgjo atë që të them; mos u bëj rebel si kjo shtëpi rebele; hap gojën dhe ha atë që po të jap".

9

Unë shikova, dhe ja një dorë e shtrirë drejt meje; dhe ja, në të ishte rrotulla e një libri.

10

Ai e shpalosi para meje; ishte shkruar nga brenda dhe nga jashtë dhe në të ishin shkruar vaje, rënkime dhe halle.

Albanian Bible 1884
Public Domain 1884