Dhiata e Vjetër
Dhiata e Re
Shqiptare Bibla 1884

Isaia 14

1

Me qenë se Zotit do t'i vijë keq për Jakobin, ai do të zgjedhë përsëri Izraelin dhe do t'i rivendosë në tokën e tyre; të huajtë do të bashkohen me ta dhe do të lidhen me shtëpinë e Jakobit.

2

Popujt do t'i marrin dhe do t'i çojnë përsëri në vendin e tyre dhe shtëpia e Izraelit do t'i zotërojë në vendin e Zotit si robër dhe robinja; do të zënë robër ata që i kishin zënë robër dhe do të mbretërojnë mbi shtypësit e tyre.

3

Kështu që ditën në të cilën Zoti do t'i japë prehje lodhjes sate, shqetësimit tënd nga skllavëria e rëndë së cilës i ishe nënshtruar,

4

ti do të shqiptosh këtë sentencë mbi mbretin e Babilonisë dhe do të thuash: "Ashtu si mbaroi shtypësi, tagrambledhja e arit ka mbaruar.

5

Zoti e ka thyer shkopin e të pabesëve, skeptrin e tiranëve.

6

Ai që në tërbim e sipër godiste popujt me goditje të pandërprera, ai që sundonte me zemërim mbi kombet tani përndiqet pa mëshirë.

7

Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit shpërthejnë në britma gëzimi.

8

Madje edhe selvitë e kedrat e Libanit gëzohen për ty dhe thonë: "Që kur ke rënë, asnjë druvar s'ka dalë kundër nesh".

9

Sheoli poshtë është në lëvizje për ty, me qëllim që të të dalë përpara kur të vish; ai zgjon frymët e të vdekurve, tërë princat e dheut; ka ngritur nga fronet e tyre gjithë mbretërit e kombeve.

10

Të gjithë e marrin fjalën për të të thënë: "Edhe ti je bërë i dobët si ne dhe je bërë i ngjashëm me ne.

11

Salltaneti yt ka rënë në Sheol tok me tingujt e harpave të tua; poshtë teje shtrihet një shtrat me krimba dhe krimbat janë mbulesa jote".

12

Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet?

13

Ti thoshnje në zemrën tënde: "Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut;

14

do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin".

15

Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës.

16

Ata që të shikojnë të ngulin sytë, të vërejnë me kujdes dhe thonë: "Ky është njeriu që e bënte tokën të dridhej, që i trondiste mbretëritë,

17

që e katandisi botën në shkretëtirë, që shkatërron qytetet e saj dhe nuk i la kurrë të shkojnë të lirë robërit e tij?".

18

Të gjithë mbretërit e kombeve, tërë ata prehen në lavdi, secili në varrin e tij;

19

ty përkundrazi të hodhën larg varrit tënd si një farë e neveritshme, si një rrobe të të vrarëve nga shpata, që i zbresin mbi gurët e gropës, si një kufomë e shkelur.

20

Ti nuk do të bashkohesh me ta në varr, sepse ke shkatërruar vendin tënd dhe ke vrarë popullin tënd; pasardhësit e keqbërësve nuk do të përmenden më.

21

Përgatitni masakrën e bijve të tij për shkak të paudhësisë së etërve të tyre, që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën dhe për të mbushur faqen e dheut me qytete.

22

"Unë do të ngrihem kundër tyre", thotë Zoti i ushtrive, "dhe do të shfaros nga Babilonia emrin dhe ata që kishin shpëtuar, fëmijët dhe pasardhësit", thotë Zoti.

23

"Do të bëj që atje të sundojë iriqi dhe moçali; do ta fshij me fshesën e shkatërrimit", thotë Zoti i ushtrive".

24

Zoti i ushtrive është betuar duke thënë: "Në të vërtetë ashtu siç e kam menduar ashtu do të jetë, dhe ashtu si kam vendosur, kështu ka për të ndodhur.

25

Do ta dërrmoj Asirin në vendin tim, do ta shkel në malet e mia; atëherë zgjedha e tij do t'u hiqet atyre dhe barra tij do të hiqet nga kurrizi i tyre.

26

Ky është plani i vendosur kundër të gjithë dheut dhe kjo është dora e shtrirë kundër të gjithë kombeve.

27

Me qenë se Zoti i ushtrive e ka vendosur këtë, kush mund t'ia anullojë? Dora e tij është shtrirë dhe kush mund ta detyrojë ta tërheqë?".

28

Në vitin e vdekjes së mbretit Ashaz u shqiptua kjo profeci:

29

"Mos u gëzo, o Filisti e tërë, sepse shufra që të godiste është thyer! Sepse nga rrënja e gjarpërit ka për të dalë një nëpërkë, dhe fryti i saj do të jetë një gjarpër i zjarrtë dhe fluturues.

30

Të parëlindurit e të varfërve do të kenë ç'të hanë dhe nevojtarët do të pushojnë të sigurt; por do të bëj që të vdesin urie rrënjët e tua dhe kjo do të shkatërrojë mbetjen tënde.

31

Bërtit, o portë, thirr, o qytet! Shkrihu, o Filisti e tërë, sepse nga veriu vjen një tym, dhe askush nuk lë vendin e tij në radhët e veta".

32

Çfarë përgjigje do t'u jepet lajmëtarëve të këtij kombi? "Që Zoti ka themeluar Sionin dhe që në të gjejnë strehë të mjerët e popullit të tij".

Albanian Bible 1884
Public Domain 1884