A A A A A
Facebook Instagram Twitter
Shqiptare Bibla 1884

Kënga e Solomonit 5



1
Hyra në kopshtin tim, o motra ime, nusja ime, mblodha mirrën time me balsamin tim, hëngra huallin tim me mjaltin tim, piva verën time me qumështin tim. Shokë, hani, pini; po, dehuni, o të dashur!
2
Unë flija, por zemra ime përgjonte. Dëgjoj zërin e të dashurit tim, që troket dhe thotë: "Hapma, motra ime, mikja ime, pëllumbesha ime, e përkryera ime, sepse koka ime është gjithë vesë dhe kaçurrelat e mia gjithë cirka të natës.
3
E hoqa rrobën time, si mund ta vesh përsëri? I lava këmbët, si mund t'i fëlliq përsëri?
4
I dashuri im e vuri dorën te vrima e derës, dhe të përbrëndshmet e mia u ngashërryen nga ai.
5
U ngrita për t'i hapur derën të dashurit tim, dhe nga duart e mia pikoi mirra, nga gishtërinjtë e mi mirra e lëngët, që rridhte mbi dorezën e bravës.
6
Ia hapa të dashurit tim, por i dashuri im ishte tërhequr dhe kishte ikur; zemra ime ligshtohej kur ai fliste. E kërkova, por nuk e gjeta; e thirra, por ai nuk m'u përgjigj.
7
Rojet që sillen nëpër qytet më gjetën, më rrahën, më plagosën; rojet e mureve më çorën velin.
8
Unë ju lutem shumë, o bija të Jeruzalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë do t'i thoni? I thoni se jam e sëmurë nga dashuria.
9
Çfarë ka më tepër i dashuri yt se një i dashur tjetër, o më e bukura midis grave? Çfarë ka i dashuri yt më tepër se një i dashur tjetër, përse përgjërohesh kështu?
10
I dashuri im është i bardhë dhe i kuq, ai dallon ndër dhjetë mijë veta.
11
Koka e tij është ar i kulluar, kaçurelat e flokëve të tij janë rica-rica, të zeza korb.
12
Sytë e tij janë si ato të pëllumbit pranë rrëkeve të ujit, të lara në qumësht, të ngallmuara si një gur i çmuar në një unazë.
13
Faqet e tij janë si një lehe balsami, si lehe barërash aromatike; buzët e tij janë zambakë, që nxjerrin mirra të lëngët.
14
Duart e tij janë unaza ari, të stolisura me gurë të çmuar; barku i tij është i fildisht që shndrit, i mbuluar me safire.
15
Këmbët e tij janë kollona mermeri të mbështetura në themele ari të kulluar. Pamja e tij është si Libani, madhështore si kedrat.
16
Goja e tij është vetë ëmbëlsia; po, ai është tërheqës në çdo pikpamje. Ky është i dashuri im, ky është miku im, o bija të Jeruzalemit.