Dhiata e Vjetër
Dhiata e Re
Shqiptare Bibla 1884

Predikuesi 10

1

Mizat e ngordhura e qelbin vajin e parfumierit; kështu pak marrëzi prish vlerën e diturisë dhe të lavdisë.

2

Zemra e të urtit është në të djathtë të tij, por zemra e budallait është në të majtë të tij.

3

Edhe kur budallai ecën rrugës, arsyeja i mungon dhe u tregon të gjithëve se është budalla.

4

Në qoftë se zemërimi i një mbreti ndizet kundër teje, mos e lër vendin tënd, sepse gjakftohtësia i fashit fyerjet edhe kur janë të rënda;

5

Éshtë një e keqe që kam parë nën diell, një gabim që vjen nga ai që qeveris;

6

marrëzia është vënë në detyra të larta, ndërsa të pasurit ulen në vënde të ulëta.

7

Kam parë shërbëtorë mbi kuaj dhe princa të ecin më këmbë si shërbëtorë.

8

Kush çel një gropë mund të bjerë brënda dhe kush rrëzon një mur mund të kafshohet nga një gjarpër.

9

Kush zhvendos gurë mund të plagoset dhe kush çan drutë vihet në rrezik.

10

Në qoftë se sëpata topitet dhe nuk mprehet, duhet të përdoret me më tepër forcë; por dituria ka epërsinë t'ia dalë gjithnjë mbarë.

11

Në qoftë se gjarpëri kafshon sepse nuk është magjepsur, magjistari bëhet i kotë.

12

Fjalët e gojës të të urtit janë plot hir, por buzët e budallait e shkatërrojnë.

13

Fillimi i ligjëratës së tij është budallallëk dhe fundi është marrëzi e dëmshme.

14

Edhe sikur budallai t'i shumojë fjalët e tij, njeriu nuk di se çfarë do të ndodhë; kush mund t'i thotë çfarë do të ndodhë pas tij?

15

Lodhja e budallait e rraskapit, sepse ai nuk di as si të shkojë në qytet.

16

Mjerë ti, o vend, mbreti i të cilit është një fëmijë dhe princat e tij ia shtrojnë që në mëngjes!

17

Lum ti, o vend, që ke mbret nga një soj fisnik, dhe princa që hanë në kohën e duhur për të vënë në vend forcat e tyre dhe jo për t'u dehur!

18

Për shkak të përtacisë trarët e shtëpisë rrëzohen dhe gjerbon për shkak të plogështisë së duarve.

19

Një banket shtrohet për t'u dëfryer dhe vera i jep gaz jetës, por paraja i përgjigjet çdo nevojtari.

20

Mos mallko mbretin as me mend dhe mos mallko të pasurin në dhomën tënde të fjetjes, sepse një zog i qiellit mund ta çojë larg zërin tënd, dhe një zog që fluturon mund ta bëjë të ditur këtë gjë.

Albanian Bible 1884
Public Domain 1884