Dhiata e Vjetër
Dhiata e Re
Shqiptare Bibla 1884

Fjalët e Urta 27

1

Mos u mburr me ditën e nesërme, sepse nuk di atë që mund të sjellë një ditë.

2

Le të të lëvdoj një tjetër dhe jo goja jote, një i huaj dhe jo buzët e tua.

3

Guri peshon dhe rëra është e rëndë, por zemërimi i budallait peshon më tepër se të dyja bashkë.

4

Tërbimi është mizor dhe zemërimi është i furishëm, por kush mund t'i bëjë ballë xhelozisë?

5

Më mirë një qortim i hapur se një dashuri e fshehur.

6

Besnike janë plagët e një shoku, dhe të rreme të puthurat e një armiku.

7

Kush është i ngopur përçmon huallin e mjaltit; por për atë që ka uri çdo gjë e hidhur është e ëmbël.

8

Si zogu që endet larg folesë së tij, kështu është njeriu që endet larg shtëpisë së tij.

9

Vaji dhe parfumi gëzojnë zemrën, kështu bën ëmbëlsia e një shoku me këshillat e tij të përzërmërta.

10

Mos e braktis mikun tënd as mikun e atit tënd dhe mos shko në shtëpinë e vëllait tënd ditën e fatkeqësisë sate; është më mirë një që banon afër se sa një vëlla larg.

11

Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t'i përgjigjem atij që përflet kundër meje.

12

Njeriu mendjemprehtë e shikon të keqen dhe fshihet, por naivët shkojnë tutje dhe ndëshkohen.

13

Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj dhe mbaje si peng për gruan e huaj.

14

Ai që bekon të afërmin e tij me zë të lartë në mëngjes herët, do t'ia zënë si mallkim.

15

Pikëllimi i vazhdueshëm në një ditë shiu të madh dhe një grua grindavece i ngjasin njera tjetrës.

16

Kush arrin ta përmbajë, mban erën dhe zë vajin me dorën e tij të djathtë.

17

Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.

18

Kush kujdeset për fikun do të hajë frytin e tij, dhe ai që i shërben zotit të tij do të nderohet.

19

Ashtu si në ujë fytyra pasqyron fytyrën, kështu zemra e njeriut e tregon njeriun.

20

Sheoli dhe Abadoni janë të pangopur, dhe të pangopur janë gjithashtu sytë e njerëzve.

21

Poçja është për argjendin dhe furra për arin, kështu njeriu provohet nga lëvdata që merr.

22

Edhe sikur ta shtypje budallanë në një havan bashkë me grurë me dygeçin e tij, budallallëku nuk do të largohej prej tij.

23

Përpiqu të njohësh mirë gjendjen e deleve të tua dhe ki kujdes për kopetë e tua,

24

sepse pasuritë nuk zgjatin përherë, dhe as një kurorë nuk vazhdon brez pas brezi.

25

Kur merret bari i thatë dhe del bari i njomë dhe mblidhet forazhi i maleve,

26

qengjat do të furnizojnë rrobat e tua, cjeptë çmimin e një are

27

dhe dhitë mjaft qumësht për ushqimin tënd, për ushqimin e shtëpisë sate dhe për të mbajtur shërbëtoret e tua.

Albanian Bible 1884
Public Domain 1884