1 |
Éshtë më mirë një copë bukë thatë me paqe se sa një shtëpi plot me kafshë të vrara me grindje. |
2 |
Shërbëtori që vepron me urtësi ka për të sunduar mbi të birin që e turpëron dhe do të marrë një pjesë të trashëgimisë bashkë me vëllezërit. |
3 |
Poçi është për argjendin dhe furra për arin, por ai që provon zemrat është Zoti. |
4 |
Njeriu i keq dëgjon buzët e liga, gënjeshtari dëgjon gjuhën e çoroditur. |
5 |
Ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar; ai që kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. |
6 |
Bijtë e bijve janë kurora e pleqve, dhe lavdia e bijve janë etërit e tyre. |
7 |
Budallait nuk i shkon një e folur e bukur, aq më pak princit nuk i shkojnë buzë gënjeshtare, |
8 |
Një dhuratë është një gur i çmuar në sytë e atij që e ka; ngado që kthehet, ai ia del. |
9 |
Kush mbulon një faj fiton dashuri, por kush i rikthehet përsëri ndan miqtë më të mirë. |
10 |
Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai. |
11 |
Njeriu i keq nuk kërkon gjë tjetër veç të ngrerë krye, prandaj do të dërgohet kundër tij një lajmëtar mizor. |
12 |
Éshtë më mirë të takosh një harushë se cilës i kanë vjedhur këlyshët e vet se sa një budalla në marrëzinë e tij. |
13 |
E keqja nuk do të largohet nga shtëpia e atij që së mirës i përgjigjet me të keqen. |
14 |
Të fillosh një grindje është sikur t'u çelësh rrugë ujërave; prandaj ndërprite grindjen përpara se të acarohet. |
15 |
Ai që nxjerr të pafajshëm fajtorin dhe ai që dënon të drejtin janë që të dy të neveritshëm për Zotin. |
16 |
Ç'duhet paraja në duart e budallait? Mos vallë për të blerë dituri, kur ai nuk ka mend fare? |
17 |
Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira. |
18 |
Njeriu që nuk ka mend jep dorën si garanci dhe merr zotime për të afërmin e tij. |
19 |
Ai që do mëkatin i do grindjet, dhe ai që ngre portën e tij kërkon rrënim. |
20 |
Njeriu zemërshthurur nuk gjen asnjë të mirë, dhe ai që ka gjuhën e çoroditur bie në telashe. |
21 |
Atij që i lind një budalla do t'i vijnë hidhërime dhe ati i një budallai nuk mund të ketë gëzim. |
22 |
Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat. |
23 |
I pabesi pranon dhurata fshehurazi për të prishur rrugët e drejtësisë. |
24 |
Dituria qëndron para atij që ka mend, por sytë e budallait enden deri në cepat më të largëta të dheut. |
25 |
Biri budalla është një burim vuajtjesh për atin e tij dhe hidhërim për atë që e ka lindur. |
26 |
Nuk është mirë të dënosh të drejtin, as të godasësh princat për ndershmërinë e tyre. |
27 |
Kush i mat fjalët e veta ka dije, dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur. |
28 |
Budallai, edhe kur hesht, konsiderohet i urtë dhe, kur i mban të mbyllura buzët e tij, konsiderohet i zgjuar.
|
Albanian Bible 1884 |
Public Domain 1884 |