Dhiata e Vjetër
Dhiata e Re
Shqiptare Bibla 1884

Fjalët e Urta 12

1

Kush e do korrigjimin do diturinë, por ai që e urren kritikën është budalla.

2

Njeriu i mirë gëzon përkrahjen e Zotit, por ky do të dënojë njeriun që sajon plane të këqija.

3

Njeriu nuk bëhet i qëndrueshëm me pabesinë, por rrënja e të drejtëve nuk do të lëvizet kurrë.

4

Gruaja e virtytshme është kurora e burrit të saj, por ajo që e turpëron është si një krimb në kockat e tij.

5

Mendimet e të drejtëve janë drejtësia, por synimet e të pabesëve janë mashtrimi.

6

Fjalët e të pabesëve rrinë në pritë për të derdhur gjak, por goja e njerëzve të drejtë do t'i çlirojë.

7

Të pabesët janë përmbysur dhe nuk janë më, por shtëpia e të drejtëve do të mbetet më këmbë.

8

Një njeri lëvdohet për gjykimin e tij, por ai që ka një zemër të çoroditur do të përçmohet.

9

Éshtë më mirë të të çmojnë pak dhe të kesh një shërbëtor, se sa të të nderojnë dhe të mos kesh bukë.

10

I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij, por të përbrendshmet e të pabesëve janë mizore.

11

Kush punon tokën e tij do të ngopet me bukë, por ai që shkon pas kotësive është pa mend.

12

I pabesi dëshiron gjahun e njerëzve të këqij, por rrënja e të drejtëve sjell fryt.

13

Njeriu i keq kapet në kurthin e mëkatit të buzëve të tij, por i drejti do t'i shpëtojë fatkeqësisë.

14

Njeriu do të ngopet me të mira për frytin e gojës së tij, dhe secili do të marrë shpërblimin simbas veprës së duarve të tij.

15

Rruga e budallait është e drejtë para syve të tij, por ai që dëgjon këshillat është i urtë.

16

Budallai e tregon menjëherë pezmatimin e tij, por njeriu i matur e fsheh turpin.

17

Ai që thotë të vërtetën shpall atë që është e drejtë, por dëshmitari i rremë thotë mashtrime.

18

Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim.

19

Buza që thotë të vërtetën, do të bëhet e qëndrueshme përjetë, por gjuha që gënjen zgjat vetëm një çast.

20

Mashtrimi është në zemrën e atyre që kurdisin të keqen, por për ata që këshillojnë paqen ka gëzim.

21

Asnjë e keqe nuk do t'i ndodhë të drejtit, por të pabesët do të kenë plot telashe.

22

Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij.

23

Njeriu i matur e fsheh diturinë e tij, por zemra e budallenjve shpall budallallëkun e tyre.

24

Dora e njeriut të kujdeshëm do të sundojë, por dora e përtacëve do t'i nënshtrohet punës së detyrueshme.

25

Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.

26

I drejti e zgjedh me kujdes shokun e tij, por rruga e të pabesëve i bën që të humbasin.

27

Përtaci nuk e pjek gjahun e tij, por kujdesi për njeriun është një pasuri e çmueshme.

28

Mbi shtegun e drejtësisë ka jetë, dhe mbi këtë shteg nuk ka vdekje.

Albanian Bible 1884
Public Domain 1884