A A A A A
Facebook Instagram Twitter
Shqiptare Bibla 1884

Psalmet 9



1
Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua.
2
Unë do të gëzohem dhe do të kënaqem me ty; do t'i këndoj lëvdime në emrin tënd, o Shumë i Larti.
3
Sepse armiqtë e mi tërhiqen, bien dhe vdesin para teje.
4
Ti në fakt ke përkrahur ndershmërinë time dhe çështjen time; je ulur mbi fronin si një gjyqtar i drejtë.
5
Ke qortuar kombet, ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre për gjithnjë.
6
Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm! Dhe qyteteve që ti ke shkatërruar i është zhdukur edhe kujtimi.
7
Por Zoti mbetet përjetë; ai ka vendosur fronin e tij për të gjykuar.
8
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi, do t'i gjykojë popujt me paanësi.
9
Zoti do të jetë strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice.
10
Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti, sepse ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë.
11
Këndojini lavde Zotit që banon në Sion; u njoftoni popujve veprat e tij.
12
Sepse ai që kërkon arësyen e gjakut i mban mënd ata; ai nuk e harron britmën e të pikëlluarve.
13
Ki mëshirë për mua, o Zot, ti që më ke rilartuar nga portat e vdekjes, shiko pikëllimin që më shkaktojnë ata që më urrejnë,
14
me qëllim që unë të kem mundësi të tregoj të gjitha lavdet e tua dhe në portat e bijës së Sionit të mund të kremtoj për çlirimin tënd.
15
Kombet janë zhytur në gropën që kishin hapur; këmba e tyre është kapur në rrjetën që kishin fshehur.
16
Zoti u bë i njohur me anë të gjykimit që ka dhënë; i pabesi u kap në lakun e veprës së duarve të tij. (Interlud. Sela)
17
Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë.
18
Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.
19
Çohu, o Zot, mos lejo që vdekatari të ketë epërsi; kombet të gjykohen para teje.
20
O Zot, kallu frikën; bëj që kombet të pranojnë se janë vetëm vdekatarë. (Sela)