1 |
Vëri veshin, o Zot, dhe përgjigjmu, sepse jam i dëshpëruar dhe nevojtar. |
2 |
Ruaje jetën time sepse jam i shenjtë; ti je Perëndia im; shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti. |
3 |
Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse të këlthas ty tërë ditën. |
4 |
Gëzoje shërbëtorin tënd, sepse te ti, o Zot e lartoj shpirtin tim. |
5 |
Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh, dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë. |
6 |
Vëri veshin, o Zot, lutjes time, dhe trego kujdes për britmën e përgjërimeve të mia. |
7 |
Unë të kërkoj në ditën e fatkeqësisë sime, sepse ti do të më përgjigjesh. |
8 |
Nuk ka asnjë të barabartë me ty midis perëndive, o Zot, as ka vepra të njëllojta me të tuat. |
9 |
Tërë kombet që ti ke krijuar do të vinë të bien përmbys para teje, o Zot, dhe do të përlëvdojnë emrin tënd. |
10 |
Sepse ti je i madh dhe kryen mrekulli; vetëm ti je Perëndia. |
11 |
Mësomë rrugën tënde, o Zot, dhe unë do të ec në të vërtetën tënde; bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd. |
12 |
Unë do të të lëvdoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemër, dhe do ta përlëvdoj emrin tënd përjetë. |
13 |
Sepse e madhe është mirësia jote ndaj meje; ti ke shpëtuar shpirtin tim nga Sheoli. |
14 |
O Perëndi, njerëz kryelartë kanë dalë kundër meje dhe një turmë njerëzish të dhunës kërkojnë jetën time dhe nuk të vë ty para syve të tyre. |
15 |
Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë. |
16 |
Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua; jepi forcën tënde shërbëtorit tënd dhe shpëto birin e shërbëtores sate. |
17 |
Tregomë një shenjë të dashamirësisë sate, me qëllim që ata që më urrejnë ta shohin dhe të mbeten të shushatur, duke parë që ti, o Zot, më ke ndihmuar dhe më ke ngushëlluar.
|
Albanian Bible 1884 |
Public Domain 1884 |