1 |
O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit, |
2 |
dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi. |
3 |
Malet do t'i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë. |
4 |
Ai do t'u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin. |
5 |
Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat. |
6 |
Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën. |
7 |
Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë. |
8 |
Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës. |
9 |
Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin. |
10 |
Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t'i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t'i ofrojnë dhurata. |
11 |
Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t'i shërbejnë. |
12 |
Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. |
13 |
Atij do t'i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. |
14 |
Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij. |
15 |
Dhe ai do të jetojë; dhe do t'i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën. |
16 |
Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës. |
17 |
Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur. |
18 |
I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli. |
19 |
Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen. |
20 |
Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.
|
Albanian Bible 1884 |
Public Domain 1884 |