A A A A A
Shqiptare Bibla 1884

Psalmet 68



1
Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij.
2
Ti do t'i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë.
3
Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi.
4
Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij.
5
Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.
6
Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur.
7
O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela)
8
toka u drodh; edhe qiejtë lëshuan ujë në prani të Perëndisë, vetë Sinai u drodh në prani të Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.
9
Ti ke derdhur një shi të bollshëm, o Perëndi, dhe i ke dhënë përsëri fuqi trashëgimisë sate.
10
Kopeja jote gjeti një banesë dhe në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfërit.
11
Zoti shpalli fjalën dhe i madh ishte numri i atyre që e kanë shpallur:
12
"Mbretërit e ushtrive ikin me ngut, ndërsa kush ka mbetur në shtëpi ndan plaçkën.
13
Edhe në se keni mbetur për të pushuar ndër vatha, ju jeni si krahët e pëllumbeshës të mbuluara me argjend dhe si pendët e saj të arta që shkëlqejnë".
14
Kur i Plotfuqishmi i shpërndau mbretërit në vend, Tsalmoni u mbulua me borë.
15
Një mal i Perëndisë është mali i Bashanit, një mal me shumë maja është mali i Bashanit.
16
O male me shumë maja pse shikoni me zili malin që Perëndia ka zgjedhur për banesë të tij? Po, Zoti do të banojë atje përjetë.
17
Qerret e Perëndisë janë një mori, mijëra e mijëra, Zoti është midis tyre ashtu si në Sinai, në shenjtërinë e tij.
18
Ti je ngjitur lart, ke burgosur robërinë, ke marrë dhurata nga njerëzit edhe nga rebelët, me qëllim që ti, o Zot Perëndi të mund të qëndrosh atje.
19
I bekuar qoftë Zoti, që për ditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (Sela)
20
Perëndia është për ne Perëndia që çliron, dhe Zotit, Zotit, i përket çlirimi nga vdekja.
21
Po, Perëndia do të shtypë kokën e armiqve të tij, kokën me flokë të gjata të atyre që ecin në mëkat të tij.
22
Zoti ka thënë: "Do t'i kthej nga Bashani, do t'i kthej nga humnerat e detit,
23
me qëllim që ti të dërrmosh armiqtë e tu, duke futur thellë këmbën tënde në gjakun e tyre, dhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesën që i takon".
24
Ata kanë parë varganin tënd, o Perëndi, varganin e Perëndisë tim, e Mbretit tim në shenjtërore.
25
Këngëtarët ecnin përpara, ata që u binin veglave vinin në fund, dhe në mes qëndronin vajzat që u binin dajreve.
26
Bekoni Perëndinë në kuvendet; bekoni Zotin ju që jeni nga gurra e Izraelit.
27
Ja, Beniamini, më i vogli, por udhëheqësi i tyre, princat e Judës me trupat e tyre, princat e Zabulonit, princat e Neftalit.
28
Perëndia yt ka vendosur forcën tënde; forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne.
29
Për shkak të tempullit tënd në Jeruzalem, mbretërit do të të sjellin dhurata.
30
Shaj kafshën e kallamishteve, tufën e demave me viçat e popujve, deri sa të poshtërohen duke sjellë shufra argjendi; shpërndaji popujt që kënaqen duke bërë luftë.
31
Nga Egjipti do të sjellin metal që shkëlqen, Etiopia do të nxitojë t'i shtrijë Perëndisë duart e saj.
32
O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë; këndojini lavde Zotit, (Sela)
33
atij që shkon me kalë mbi qiejtë e qiejve të përjetshme, ai nxjerr zërin e tij, një zë të fuqishëm.
34
Pranoni fuqinë e Perëndisë, madhështia e tij qëndron mbi Izraelin dhe fuqia e tij është në qiejtë.
35
O Perëndi, ti je i tmerrshëm nga shenjtorja jote; Perëndia i Izraelit është ai që i jep forcë dhe fuqi popullit. I bekuar qoftë Perëndia!