Dhiata e Vjetër
Dhiata e Re
Shqiptare Bibla 1884

Psalmet 60

1

O Perëndi, ti na ke prapsur, na ke shpërndarë, je zemëruar; tani na rivendos.

2

Ti ke bërë që të dridhet toka, e ke çarë; shëro thyerjet e saj, sepse ajo lëkundet.

3

Ti e ke ngarkuar popullin tënd me gjëra të rënda; na ke dhënë të pimë verë që të trullos.

4

Por tani u ke dhënë atyre që të kanë frikë një flamur, që ta ngrenë në favor të së vërtetës. (Sela)

5

Shpëto me dorën tënde të djathtë dhe përgjigjmu, me qëllim që ata që ti i do të çlirohen.

6

Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do të ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.

7

Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjëvënësi im;

8

Moabi është legeni në të cilin lahem; mbi Edomin do të hedh sandalin tim; mbi Filistejtë do të ngre britma fitoreje".

9

Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?

10

A nuk do të jesh pikërisht ti, o Perëndi, që na ke prapsur? Nuk do të dalësh më, o Perëndi, me ushtritë tona?

11

Na ndihmo kundër armikut, sepse është e kotë ndihma e njeriut.

12

Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe ai do të shkelë armiqtë tanë.

Albanian Bible 1884
Public Domain 1884