A A A A A
Shqiptare Bibla 1884

Psalmet 58



1
A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve?
2
Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë.
3
Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.
4
Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet,
5
për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji.
6
O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve.
7
U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë.
8
U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin.
9
Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t'i heqë tutje si një vorbull.
10
I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit.
11
Dhe njerëzia do të thotë: "Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë".