1 |
Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
2 |
Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij? |
3 |
Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë. |
4 |
Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd, |
5 |
me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde. |
6 |
Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija. |
7 |
Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq. |
8 |
Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. |
9 |
I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë. |
10 |
I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut. |
11 |
Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre. |
12 |
Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij. |
13 |
Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij. |
14 |
U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi. |
15 |
Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre. |
16 |
Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit, |
17 |
toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit. |
18 |
Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët. |
19 |
Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë, |
20 |
dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar. |
21 |
Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt, |
22 |
mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq. |
23 |
Prandaj ai foli t'i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t'i shkatërronte. |
24 |
Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij, |
25 |
por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit. |
26 |
Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t'i rrëzonte në shkretëtirë, |
27 |
dhe se do t'i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t'i shpërndante në të gjitha vendet. |
28 |
Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve. |
29 |
E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja. |
30 |
Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi. |
31 |
Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë. |
32 |
Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre, |
33 |
sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij. |
34 |
Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti; |
35 |
por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre; |
36 |
u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta; |
37 |
ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre, |
38 |
dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur. |
39 |
Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre. |
40 |
Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij. |
41 |
I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin. |
42 |
Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre. |
43 |
Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre. |
44 |
Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre, |
45 |
dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua. |
46 |
Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri. |
47 |
Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar. |
48 |
I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.
|
Albanian Bible 1884 |
Public Domain 1884 |