A A A A A
Shqiptare Bibla 1884

Punë 40



1
Zoti vazhdoi t'i përgjigjet Jobit dhe tha:
2
"Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë? Ai që qorton Perëndinë, t'i përgjigjet kësaj pyetjeje".
3
Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe i tha:
4
"Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time.
5
Kam folur një herë, por nuk do të flas më; po, dy herë, por nuk do të shtoj asgjë".
6
Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:
7
"Çohu, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.
8
A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten?
9
A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij?
10
Stolisu, pra, me madhështi dhe madhëri, vishu me lavdi dhe me shkëlqim.
11
Jepu rrugë tërbimeve të zemërimit tënd; shiko tërë mendjemëdhenjtë dhe uli,
12
shiko tërë kryelartët dhe poshtëroji, dhe shtypi njerëzit e këqij kudo që të ndodhen.
13
Varrosi të tërë në pluhur, mbylli në vende të fshehta.
14
Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore.
15
Shiko behemothin që e kam bërë njëlloj si ti; ai ha barin si kau.
16
Ja, forca e tij qëndron në ijet dhe fuqia e tij në muskujt e barkut të tij.
17
E lëkund bishtin e tij si një kedër; nervat e kofshëve të tij janë të thurura mirë.
18
Kockat e tij janë si tuba prej bronzi; kockat e tij janë si shufra hekuri.
19
Ai është e para nga veprat e Perëndisë; vetëm ai që e bëri mund t'i afrohet atij me shpatën e tij.
20
Ndonëse malet prodhojnë ushqim për të, dhe aty tërë kafshët e fushave dëfrehen,
21
ai shtrihet nën bimët e lotusit, në vende të fshehura në kallamishte dhe në moçale.
22
Bimët e lotusit e mbulojnë me hijen e tyre, shelgjet e përroit e rrethojnë.
23
Lumi mund të dalë nga shtrati i tij, por ai nuk ka frikë; është i sigurt nga vetja e tij, edhe sikur Jordani të sulej kundër gojës së tij.
24
Kush, pra, mund ta zërë nga sytë apo t'i shpojë flegrat e hundës me gremça?