|
|
|
|
Dhiata e Vjetër
|
|
Dhiata e Re
|
|
|
|
Shqiptare Bibla 1884
|
|
|
|
1 |
Josia ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tridhjetë e një vjet në Jeruzalem. |
2 |
Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugët e Davidit, atit të tij, pa u shmangur as në të djathtë as në të majtë. |
3 |
Në vitin e tetë të mbretërimit të tij, kur ende ishte djalosh, filloi të kërkojë Perëndinë e Davidit, atit të tij, dhe në vitin e dymbëdhjetë filloi ta pastrojë Judën dhe Jeruzalemin nga vendet e larta, nga Asherimët, nga shëmbëlltyrat e gdhendura dhe nga shëmbëlltyrat prej metali të shkrirë. |
4 |
Para tij u shembën altaret e Baalit; përveç tyre shembi altaret e temjanit që ishin mbi ta, bëri copë-copë Asherimët, shëmbëlltyrat e gdhendura dhe shëmbëlltyrat prej metali të shkrirë dhe i bëri pluhur, të cilin e shpërndau mbi varret e atyre që u kishin ofruar flijime. |
5 |
Pastaj dogji kockat e priftërinjve mbi altaret e tyre, dhe kështu pastroi Judën dhe Jeruzalemin. |
6 |
Të njëjtën gjë bëri në qytetet e Manasit, të Efraimit dhe të Simeonit deri në Neftali, me sëpatat e tyre rreth e qark. |
7 |
Kështu ai shkatërroi altarët dhe Asherimët, i bëri pluhur shëmbëlltyrat e gdhendura dhe rrëzoi tërë altarët e temjanit në gjithë vendin e Izraelit, pastaj u kthye në Jeruzalem. |
8 |
Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, mbasi pastroi vendin dhe tempullin, dërgoi Shafanin, birin e Atsaliahut, Maasejahun, qeveritarin e qytetit, dhe Joahun, birin e Joahazit, arkivistin, |
9 |
Ata shkuan te kryeprifti Hilkiah dhe dorëzuan paratë që kishin sjellë në shtëpinë e Perëndisë, që derëtarët Levitë kishin mbledhur nga Manasi, nga Efraimi dhe tërë pjesa tjetër e Izraelit, nga tërë Juda dhe Beniamini dhe nga banorët e Jeruzalemit. |
10 |
Pastaj ua dorëzuan punëtorëve të ngarkuar me mbikqyrjen e shtëpisë të Zotit, të cilët ua dhanë punëtorëve që punonin në shtëpinë e Zotit për ta riparuar dhe për të restauruar tempullin. |
11 |
Ua dorëzuan marangozëve dhe ndërtuesve për të blerë gurë të latuar dhe lëndë druri për armaturat dhe trarët e shtëpive që mbretërit e Judës kishin shkatërruar. |
12 |
Këta njerëz e bënin punën e tyre me besnikëri. Mbikqyrësit e tyre ishin Jahathi dhe Obadiahu, Levitë nga bijtë e Merarit, dhe Zakaria dhe Meshullami nga bijtë e Kehathit, dhe tërë Levitët që ishin specialistë të veglave muzikore. |
13 |
Këta mbikqyrnin gjithashtu mbartësit e peshave dhe drejtonin tërë ata që kryenin punime të çfarëdo lloji; përveç kësaj, disa Levitë ishin shkrues, inspektorë dhe derëtarë. |
14 |
Ndërsa po tërhiqeshin paratë që ishin çuar në shtëpinë e Zotit, prifti Hilkiah gjeti librin e Ligjit të Zotit, që ishte dhënë nëpërmjet Moisiut. |
15 |
Atëherë Hilkiahu e mori fjalën dhe i tha sekretarit Shafan: "Kam gjetur në shtëpinë e Zotit librin e ligjit". Pastaj Hilkiahu ia dha librin Shafanit. |
16 |
Shafani ia çoi librin mbretit dhe i tha gjithashtu: "Shërbëtorët e tu po bëjnë atë që u është urdhëruar të bëjnë. |
17 |
Kanë mbledhur paratë e gjetura në shtëpinë e Zotit dhe i kanë dorëzuar në duart e mbikqyrësve dhe të punëtorëve". |
18 |
Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: "Prifti Hilkiah më dha një libër". Pastaj Shafani e lexoi në prani të mbretit. |
19 |
Por ndodhi që, kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e trupit. |
20 |
Pastaj mbreti i dha këtë urdhër Hilkiahut, Ahikamit, birit të Shafanit, Abdonit, birit të Mikahut, Shafanit, sekretarit, dhe Asajahut, shërbëtorit të mbretit, duke thënë: |
21 |
"Shkoni të konsultoheni Zotin për mua dhe për ata që kanë mbetur në Izrael dhe në Judë, lidhur me fjalët e Librit që u gjet; i madh, pra, është zemërimi i Zotit që ra mbi ne, sepse etërit tanë nuk kanë ndjekur fjalën e Zotit, duke vepruar plotësisht sipas asaj që është shkruar në këtë libër". |
22 |
Kështu Hilkiahu dhe ata që mbreti kishte caktuar shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shallumit, birit të Tokhathit, bir i Hasrathit, ruajtësi i rrobave; (ajo banonte në Jeruzalem në lagjen e dytë), dhe i folën lidhur me këtë çështje. |
23 |
Ajo u përgjigj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Njoftoni atë që ju ka dërguar tek unë: |
24 |
Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell një fatkeqësi mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, të gjitha mallkimet që janë shkruar në librin, të cilin e kanë lexuar përpara mbretit të Judës. |
25 |
Duke qenë se më kanë braktisur dhe u kanë ofruar temjan perëndive të tjera për të provokuar zemërimin tim me të gjitha veprat e duarve të tyre, zemërimi im do të bjerë mbi këtë vend dhe nuk do të shuhet". |
26 |
Ndërsa mbretit të Judës që ju ka dërguar të këshilloheni me Zotin, njoftojini sa vijon: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me fjalët që ke dëgjuar: |
27 |
"Duke qenë se zemra jote është mallëngjyer, sepse je përulur përpara Perëndisë duke dëgjuar fjalët e tij kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, je përulur para meje, ke grisur rrobat e tua dhe ke qarë para meje, edhe unë të dëgjova", thotë Zoti. |
28 |
"Ja, unë do të të bashkoj me etërit e tu, dhe do të të shtien në paqe në varrin tënd; sytë e tu nuk do të shohin tërë të keqen që unë do t'i sjell këtij vendi dhe banorëve të tij"". Ata ia njoftuan mesazhin mbretit. |
29 |
Atëherë mbreti urdhëroi të mblidhen pranë tij tërë pleqtë e Judës dhe të Jeruzalemit. |
30 |
Pastaj mbreti u ngjit në shtëpinë e Zotit me të gjithë burrat e Judës, me të gjithë banorët e Jeruzalemit, me priftërinjtë, me Levitët dhe me tërë popullin, nga më i vogli gjer te më i madhi, dhe këndoi në prani të tyre të gjitha fjalët e librit të besëlidjes, që ishte gjetur në shtëpinë e Zotit. |
31 |
Pastaj mbreti, duke qëndruar më këmbë mbi podium, bëri një besëlidhje përpara Zotit, duke u zotuar të ndjekë Zotin, të zbatojë urdhërimet e tij, porositë e tij dhe statutet e tij me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, për të vënë në praktikë fjalët e besëlidhjes së shkruar në atë libër. |
32 |
Dhe bëri që të përfshihen besëlidhje tërë ata që ndodheshin në Jeruzalem dhe në Beniamin; banorët e Jeruzalemit vepruan sipas besëlidhjes së Perëndisë, Perëndisë të etërve të tyre. |
33 |
Kështu Josia zhduku tërë gjërat e neveritshme nga të gjitha vendet që u përkisnin bijve të Izraelit dhe i detyroi tërë ata që ishin në Izrael t'i shërbenin Zotit, Perëndisë të tyre. Gjatë gjithë jetës së tij ata nuk hoqën dorë së ndjekuri Zotin, Perëdinë e etërve të tyre. |
Albanian Bible 1884 |
Public Domain 1884 |