Dhiata e Vjetër
Dhiata e Re
Shqiptare Bibla 1884

2 Mbretër 15

1

Në vitin e njëzeteshtatë të Jeroboamit, mbretit të Izraelit, filloi të mbretërojë Azariahu, bir i Amatsiahut dhe mbret i Judës.

2

Ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi pesëdhjetë e dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jekoliah dhe ishte nga Jeruzalemi.

3

Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar i ati, Amatsiahu.

4

Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën nga vendi, populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.

5

Pastaj Zoti goditi mbretin, që u bë lebroz deri në ditën e vdekjes së tij dhe banoi në një shtëpi të izoluar; Jothami, bir i mbretit ishte mbikqyrësi i pallatit mbretëror dhe i siguronte drejtësinë popullit të vendit.

6

Pjesa tjetër e bëmave të Azariahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

7

Kështu Azariahun e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jotham.

8

Vitin e tridhjetetetë të Azariahut, mbretit të Judës, Zakaria, bir i Jeroboamit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe e mbajti fronin gjashtë muaj.

9

Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si kishin bërë etërit e tij; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte çuar në mëkat Izraelin.

10

Pastaj Shalumi, bir i Jabeshit, kurdisi një komplot kundër tij; e goditi dhe e vrau përpara popullit, dhe mbretëroi në vend të tij.

11

Pjesa tjetër e bëmave të Zakarisë a nuk është shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

12

Kjo ishte fjala e Zotit që i kishte thënë Jehut: "Bijtë e tu do të ulen në fronin e Izraelit deri në brezin e katërt". Dhe kështu ndodhi.

13

Shalumi, bir i Jabeshit, filloi të mbretërojë vitin e tridhjetenëntë të Uziahut, mbretit të Judës, dhe mbretëroi plot një muaj në Samari.

14

Pastaj Menahemi, bir i Gadit, doli nga Titrtsahu dhe hyri në Samari; në Samaria goditi Shalumin, birin e Jabeshit, e vrau dhe mbretëroi në vend të tij.

15

Pjesa tjetër e bëmave të Shalumit dhe komploti që ai kurdisi a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

16

Pastaj Menahemi, duke u nisur nga Tirtsahu, goditi Tifsahun, tërë ata që gjendeshin aty dhe territorin e tij, sepse nuk i kishin hapur portat; kështu i goditi dhe u çau barkun grave me barrë.

17

Vitin e tridhjetenëntë të mbretërisë së Azariahut, mbretit të Judës, Menahemi, bir i Gadit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin, dhe e mbajti fronin dhjetë vjet në Samari.

18

Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate.

19

Puli, mbret i Sirisë, erdhi kundër vendit. Atëherë Menahemi i dha Pulit një mijë talenta argjendi me qëllim që ta ndihmonte për ta bërë më të qëndrueshme mbretërinë në duart e tij.

20

Menahemi bëri që këto të holla të paguheshin nga Izraeli, nga të gjithë njerëzit e pasur, në masën pesëdhjetë sikla argjendi për frymë, për t'ia dhënë mbretit të Asirisë. Kështu mbreti i Asirisë u kthye dhe nuk qëndroi në vend.

21

Pjesa tjetër e bëmave të Menahemit dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

22

Kështu Menahemin e zuri gjumi me etërit e tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Pekahiahu.

23

Në vitën e pesëdhjetë të Azariahut, mbretit të Judës, Pekahiahu, bir i Menahemit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari; dhe mbretëroi dy vjet.

24

Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishin bërë Izraelin të kryente mëkate.

25

Pastaj Pekahu, bir i Remaliahut, kapitenit të tij, kurdisi një komplot kundër tij dhe e goditi në Samari, në kullën e pallatit mbretëror, bashkë me Argobin dhe Ariehun, duke pasur me vete pesëdhjetë burra të Galaadit. Ai vrau dhe mbretëroi në vend të tij.

26

Pjesa tjetër e bëmave të Pekahiahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

27

Vitin e pesëdhjetedytë të Azariahut, mbretit të Judës, Pekahu, bir i Remaliahut, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe mbretëroi njëzet vjet.

28

Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate.

29

Në kohën e Pekahiahut, mbretit të Izraelit erdhi Tiglath-Pileseri, mbret i Asirisë, dhe pushtoi Ijonin, Abel-Keth-Maakahun, Janoahun, Kedeshin, Hatsorin, Galaadin, Galilenë dhe tërë vendin e Neftalit; dhe i internoi tërë banorët e tyre në Asiri.

30

Pastaj Hosea, bir i Elahut, kurdisi një komplot kundër Pekahut, birit të Remaliahut, e goditi dhe e vrau; kështu mbretëroi në vendin e tij, vitin e njëzetë të mbretërimit të Jothamit, birit të Uziahut.

31

Pjesa tjetër e bëmave të Pekahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

32

Vitin e dytë të mbretërisë së Pekahut, birit të Remaliahut, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Jothami, bir i Uziahut, mbret i Judës.

33

Kur filloi të mbretërojë ishte njëzet e pesë vjeç, dhe mbajti fronin gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jerusha; ishte bijë e Tsadokut.

34

Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit; ashtu si kishte vepruar Uziahu, i ati.

35

Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën nga vendi; populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta. Ai ndërtoi portën e sipërme të shtëpisë të Zotit.

36

Pjesa tjetër e bëmave të Jothmit dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

37

Në atë kohë Zoti dërgoi kundër Judës, Retsinin, mbretin e Sirisë dhe Pekahun, birin e Remaliahut.

38

Kështu Jothamin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashazi.

Albanian Bible 1884
Public Domain 1884