|
|
|
|
Dhiata e Vjetër
|
|
Dhiata e Re
|
|
|
|
Shqiptare Bibla 1884
|
|
|
|
1 |
Por Jakobi banoi në vendin ku i ati kishte qëndruar, në vendin e Kanaanëve. |
2 |
Këta janë pasardhësit e Jakobit. Jozefi, në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, kulloste kopenë bashkë me vëllezërit e tij; i riu rrinte me bijën e Bilhahës dhe me bijtë e Zilpahës, që ishin gratë e babait të tij. Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq që përhapej mbi sjelljen e tyre. |
3 |
Por Izraeli e donte Jozefin më tepër se tërë bijtë e tij, sepse ishte biri i pleqërisë së tij; dhe i bëri një rrobe të gjatë deri te këmbët. |
4 |
Por vëllezërit e tij, duke parë që i ati i tyre e donte më tepër nga të gjithë vëllezërit e tjerë, filluan ta urrejnë dhe nuk mund t'i flisnin në mënyrë miqësore. |
5 |
Por Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve të tij; dhe këta e urryen edhe më tepër. |
6 |
Ai u tha atyre: "Dëgjoni, ju lutem, ëndrrën që pashë. |
7 |
Ne ishim duke lidhur duaj në mes të arës, kur papritmas duajt e mi u drejtuan dhe qëndruan drejt, kurse duajt tuaja u mblodhën dhe u përkulën përpara duajve të mi". |
8 |
Atëherë vëllezërit e tij i thanë: "A duhet të mbretërosh ti mbi ne, ose do të na sundosh me të vërtetë?". Dhe e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave të tij dhe të fjalëve të tij. |
9 |
Ai pa një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve të tij, duke thënë: "Pashë një ëndërr tjetër! Dhe ja, dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje përkuleshin para meje". |
10 |
Dhe ai ia tregoi këtë ëndërr atit të tij dhe vëllezërve të tij; i ati e qortoi dhe i tha: "Ç'kuptim ka ëndrra që ke parë? A do të duhet që pikërisht unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu të vijnë e të përkulemi deri në tokë para teje?". |
11 |
Dhe vëllezërit e tij e kishin zili, por i ati e mbante përbrenda këtë gjë. |
12 |
Ndërkaq vëllezërit e Jozefit kishin vajtur për të kullotur kopenë e atit të tyre në Sikem. |
13 |
Dhe Izraeli i tha Jozefit: "Vëllezërit e tu a nuk janë ndofta duke kullotur kopenë në Sikem? Eja, do të dërgoj tek ata". Ai u përgjegj: "Ja ku jam". |
14 |
Izraeli i tha: "Shko të shikosh në se vëllezërit e tu janë mirë dhe në se kopeja shkon mirë, dhe kthehu të më japësh përgjigje". Kështu e nisi në luginën e Hebronit dhe ai arriti në Sikem. |
15 |
Ndërsa ai endej në fushë, një burrë e gjeti dhe e pyeti: "Çfarë kërkon?". |
16 |
Ai u përgjegj: "Jam duke kërkuar vëllezërit e mi; të lutem më trego se ku ndodhen duke kullotur bagëtinë". |
17 |
Ai burrë i tha: "Ata kanë ikur së këtejmi, sepse i dëgjova që thonin: "Të shkojmë në Dothan"". Atëherë Jozefi shkoi të kërkojë vëllezërit e tij dhe i gjeti në Dothan. |
18 |
Ata e panë së largu, dhe para se t'u afrohej, komplotuan kundër tij për ta vrarë. |
19 |
Dhe i thanë njëri tjetrit: "Ja ku po vjen ëndërruesi! |
20 |
Ejani, pra, ta vrasim dhe ta hedhim në një pus; do të themi pastaj që një kafshë e egër e hëngri; kështu do të shohim se ç'përfundim do të kenë ëndërrat e tij". |
21 |
Rubeni i dëgjoi këto dhe vendosi ta shpëtojë nga duart e tyre, dhe tha: "Nuk do ta vrasim". |
22 |
Pastaj Rubeni shtoi: "Mos derdhni gjak, por hidheni në këtë pus të shkretëtirës dhe mos e goditni me dorën tuaj". Thoshte kështu për ta shpëtuar nga duart e tyre dhe për t'ia shpënë të atit. |
23 |
Kur Jozefi arriti pranë vëllezërve të tij, këta e zhveshën nga veshja e tij, nga rrobja e gjatë që i arrinte deri te këmbët; |
24 |
pastaj e kapën dhe e hodhën në pus. Por pusi ishte bosh, nuk kishte ujë brenda. |
25 |
Pastaj u ulën për të ngrënë; por, duke ngritur sytë, ata panë një karvan Ismaelitësh që vinte nga Galaadi me devetë e tyre të ngarkuara me erëza, balsame dhe mirrë, dhe udhëtonte për t'i çuar në Egjipt. |
26 |
Atëherë Juda u tha vëllezërve të tij: "Ç'dobi do të kemi po të vrasim vëllanë tonë dhe të fshehim gjakun e tij? |
27 |
Ejani, t'ia shesim Ismaelitëve dhe të mos e godasë dora jonë, sepse është vëllai ynë, mishi ynë". Dhe vëllezërit e tij e dëgjuan. |
28 |
Ndërsa po kalonin ata tregtarë Madianitë, ata e ngritën dhe e nxorën Jozefin jashtë pusit dhe ia shitën Ismaelitëve për njëzet monedha argjendi. Dhe këta e shpunë Jozefin në Egjipt. |
29 |
Rubeni u kthye te pusi, por Jozefi nuk ishte më në pus. Atëherë ai i çorri rrobat e tij. |
30 |
Pastaj u kthye te vëllezërit e tij dhe tha: "Djali nuk është më; po unë, ku do të shkoj unë?". |
31 |
Kështu ata muarën rrobën e gjatë të Jozefit, therën një cjap dhe e futën rrobën në gjak. |
32 |
Pastaj e çuan rrobën te babai dhe i thanë: "Kemi gjetur këtë; shiko pak nëse është rrobja e birit tënd". |
33 |
Dhe ai e njohu dhe tha: "Éshtë rrobja e tim biri, e ka ngrënë ndonjë kafshë e egër; me siguri Jozefin e kanë bërë copë e çikë". |
34 |
Atëherë Jakobi i shqeu rrobat e tij, veshi një grathore dhe mbajti zi për birin e tij shumë ditë. |
35 |
Dhe të gjithë bijtë dhe të gjitha bijat e tij erdhën për ta ngushëlluar, por ai nuk pranoi të ngushëllohet dhe tha: "Unë do të zbres në Sheol pranë birit tim për të mbajtur zi". Kështu e qau i ati. |
36 |
Ndërkaq Madianitët e shitën Jozefin në Egjipt dhe ia shitën Potifarit, oficer i Faraonit dhe kapiten i rojeve. |
Albanian Bible 1884 |
Public Domain 1884 |