A A A A A

Bibla në një vit


Shtator 9


Isaia 9:1-21
1. Por errësira nuk do të zgjasë gjithnjë mbi atë që tani është në ankth. Ashtu si në të kaluarën ai mbuloi me turp vendin e Zabulonit dhe vendin e Neftalit, kështu në të ardhmen do ta mbulojë
2. Populli që ecte në terr pa një dritë të madhe; mbi ata që banonin në vendin e hijes së vdekjes doli një dritë.
3. Ti e ke rritur kombin, ke shtuar gëzimin e tyre; ata gëzohen para teje ashtu si gëzohet dikush në korrje dhe ashtu si gëzohet kur ndahet plaçka e luftës.
4. Sepse ti ke thyer zgjedhën që rëndonte mbi të, shkopin mbi kurrizin e tij dhe shufrën e atij që e shtypte, si në ditën e Madianit.
5. Sepse çdo këpucë luftëtari në përleshje dhe çdo mantel i rrëkëllyer në gjak, do të caktohet të digjet dhe do të jetë eshkë zjarri.
6. Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.
7. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mënçurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive.
8. Zoti ka dërguar një fjalë kundër Jakobit dhe ajo ka rënë mbi Izraelin.
9. Tërë populli do ta njohë, Efraimi dhe banorët e Samarias, që në kryelartësinë e tyre dhe arrogancën e zemrës së tyre thonë:
10. "Tullat kanë rënë, por do ta rindërtojmë me gurë të latuar; fiqtë e Egjiptit janë prerë, por ne do t'i zëvendësojmë me kedra".
11. Për këtë Zoti do të nxisë kundër tij kundërshtarët e Retsinit dhe do të nxisë armiqtë e tij:
12. Sirët nga lindja, Filistejtë nga perëndimi, që do ta hanë Izraelin gojëhapur. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.
13. Megjithatë populli nuk kthehet tek ai që e godet dhe nuk kërkon Zotin e ushtrive.
14. Prandaj Zoti do t'i presë Izraelit kokë dhe bisht, degë palme dhe xunkth brenda një dite të vetme.
15. Plaku dhe njeriu nga parësia janë koka; dhe profeti që u mëson të tjerëve gënjeshtra është bishti.
16. Ata që udhëheqin këtë popull e bëjnë të shkojë në rrugë të gabuar, dhe ata që udhëhiqen prej tyre i përpijnë.
17. Prandaj Zoti nuk do të kënaqet me të rinjtë e tij dhe as do t'i vijë keq për jetimët e tij dhe gratë e veja të tij, sepse të gjithë janë hipokritë dhe të çoroditur, dhe çdo gojë thotë marrëzira. Megjithë tërë këto gjëra zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.
18. Sepse ligësia djeg si një zjarr, që përpin ferra dhe gjemba dhe flakëron në pjesën e dendur të pyllit, që ngrihet lart si një shtyllë tymi.
19. Për shkak të zemërimit të Zotit të ushtrive vendi digjet dhe populli është si eshkë për zjarrin; askujt nuk i vjen keq për vëllanë e vet.
20. Këputet nga e djathta, por uria vazhdon; gëlltitet nga e majta, por pa u ngopur; secili përpin mishin e krahut të vet.
21. Manasi përpin Efraimin, dhe Efraimi Manasin; dhe tok janë kundër Judës. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

Isaia 10:1-34
1. Mjerë ata që nxjerrin dekrete të padrejta dhe ata që vazhdojnë të hartojnë vendime të padrejta,
2. për t'u mohuar drejtësinë të mjerëve, për t'u mohuar të drejtën të varfërve të popullit tim, dhe për t'i bërë gratë e veja pre të tyre dhe jetimët plaçkë të tyre.
3. Çfarë do të bëni ditën e ndëshkimit dhe të shkatërrimit që do të vijë nga larg? Te kush do të ikni për të kërkuar ndihmë dhe kujt do t'ia lini pasurinë tuaj?
4. Atyre nuk do t'u mbetet tjetër veç se të përkulen midis robërve ose të bien midis të vrarëve. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.
5. Mjerë Asiria, shufra e zemërimit tim, në duart e së cilës ndodhet shkopi i indinjatës sime!
6. Unë do ta dërgoj kundër një kombi të pabesë dhe kundër popullit të zemërimit tim. Do ta urdhëroj që ta plaçkitë, ta zhveshë dhe ta shkelë si baltën e rrugëve.
7. Por ajo mendon ndryshe dhe në zemër të vet ka plane të tjera, por dëshiron të shkatërrojë dhe të shfarosë një numër të madh kombesh.
8. Në fakt thotë: "Princat e mi nuk janë të gjithë mbretër?
9. A nuk është Kalno si Karkemishi? A nuk është Hamathi si Arpadi? A nuk është Samaria si Damasku?
10. Ashtu siç ka arritur dora ime mbretëritë e idhujve, shëmbëlltyrat e gdhendura të të cilëve ishin më të shumta se ato të Jeruzalemit dhe të Samarias,
11. ashtu si bëra me Samarian dhe me idhujt e saj, a nuk do të veproj edhe në Jeruzalem dhe me idhujt e tij?".
12. Por do të ndodhë që, kur Zoti të ketë mbaruar tërë veprën e tij në malin Sion dhe në Jeruzalem, ai do të thotë: "Unë do të dënoj frytin e mëndjemadhësisë së zemrës së mbretit të Asirisë dhe lavdinë e syve të tij krenarë".
13. Në fakt ai thotë: "E bëra me forcën e dorës sime dhe me diturinë time, sepse jam i zgjuar; lëviza kufijtë e popujve, plaçkita thesaret e tyre dhe si një njeri i fuqishëm shfuqizova ata që rrinin mbi fron.
14. Dora ime ka gjetur si një fole pasuritë e popujve; ashtu si dikush mbledh vezët e braktisura, kështu unë grumbullova tërë dheun dhe nuk pati asnjeri që të lëvizë krahët, apo të hapë sqepin dhe të pingërojë".
15. Mos vallë sëpata lëvdohet me atë që pret me të ose mburret sharra me atë që e përdor? Ashtu si shufra të duhej të drejtonte atë që e ngre, apo shkopi të mund të ngrihej a thua se nuk është prej druri!
16. Prandaj Perëndia, Zoti i ushtrive, do të dërgojë ligështimin midis radhëve të tyre më të fuqishme, dhe në vend të lavdisë së tij ai do të ndezë një zjarr, si flakët e një zjarri.
17. Kështu drita e Izraelit do të bëhet një zjarr dhe i Shenjti i tij një flakë, që do të flakërojë dhe do të përpijë ferrat dhe gjembat brenda një dite të vetme.
18. Ai do të konsumojë lavdinë e pyllit të tij dhe të fushës pjellore të tij nga shpirti deri te trupi; do të jetë si një i sëmurë që ligështohet.
19. Pjesa tjetër e drurëve të pyllit të tij do të katandiset në një numër aq të vogël që edhe një fëmijë mund t'i numërojë.
20. Atë ditë do të ndodhë që pjesa që mbetet e Izraelit dhe ata që kanë shpëtuar nga shtëpia e Jakobit nuk do të mbështeten më mbi atë që i godiste, por do të mbështeten në të vërtetë mbi Zotin, të Shenjtin e Izraelit.
21. Një mbetje, mbetja e Jakobit, do t'i kthehet Zotit të fuqishëm.
22. Sepse, edhe sikur populli yt, o Izrael, të ishte si rëra e detit, vetëm një mbetje e tij do të kthehet; shfarosja e dekretuar do ta bëjë drejtësinë të vërshojë.
23. Në fakt Zoti, Zoti i ushtrive, do të kryejë shfarosjen e dekretuar në mes të të gjithë dheut.
24. Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: "O populli im, që banon në Sion, mos ki frikë nga Asiri, që të rreh me shufër dhe ngre kundër teje shkopin e tij, ashtu si bëri Egjipti.
25. Sepse edhe pak kohë dhe indinjata do të marrë fund, ndërsa zemërimi im do të drejtohet për shkatërrimin e tyre.
26. Zoti i ushtrive do të ngrejë kundër tij kamxhikun, ashtu siç e goditi Madianin te shkëmbi i Horebit; dhe ashtu si shtriu shkopin e tij mbi det, kështu do ta ngrerë akoma ashtu si bëri në Egjipt.
27. Atë ditë do të ndodhë që barra e tij do të hiqet nga kurrizi dhe zgjedha e tij nga qafa jote; zgjedha do të shkatërrohet nga vajosj e vajit".
28. Ai arrin në Ajath, e kapërcen Migronin dhe i lë ngarkesën e tij në Mikmash.
29. Kapërcejnë vendkalimin, fushojnë në Geba; Ramahu dridhet, Gibeahu i Saulit ka ikur.
30. Ço zërin tënd, o bija e Galimit! Kij kujdes, o Laish! E mjera Anathoth!
31. Madmenahu ka ikur, banorët e Gebimit kërkojnë një strehë.
32. Megjithatë do të qëndrojë sot në Nob, duke tundur grushtin kundër malit të bijës së Sionit, kodrës së Jeruzalemit.
33. Ja, Zoti, Zoti i ushtrive, do t'i këpusë degët me dhunë të tmerrshme; më të lartat do të priten; më krenarët do të ulen.
34. Ai do të rrëzojë me sëpatë pjesën më të dendur të pyllit dhe Libani do të bjerë nën goditjet e të Fuqishmit.

Psalmet 106:1-5
1. Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2. Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?
3. Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.
4. Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,
5. me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.

Fjalët e Urta 25:1-2
1. Edhe këto janë fjalë të urta të Salomonit, të transkriptuara nga njerëzit e Ezekias, mbretit të Judës.
2. Éshtë lavdi e Perëndisë të fshehësh një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetosh atë.

2 Korintianëve 1:1-24
1. Pali, apostull i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetin e Perëndisë, dhe vëllai Timote, kishës së Perëndisë që është në Korint, bashkë me gjithë shenjtorët që janë në gjithë Akainë:
2. Paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
3. Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i të mëshirëve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi,
4. i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi.
5. Sepse, ashtu si ndër ne teprojnë vuajtjet e Krishtit, po ashtu, nëpërmjet Jezu Krishtit, tepron edhe ngushëllimi ynë.
6. Dhe, nëse jemi të pikëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj; nëse jemi të ngushëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj, që veprojnë në mënyrë të efektshme që të duroni të njëjtat vuajtje që heqim edhe neve.
7. Edhe shpresa jonë për ju është e patundur, duke ditur se ashtu siç jeni pjesëmarrës në mundime, kështu do të jeni pjesëmarrës edhe në ngushëllim.
8. Sepse nuk duam, o vëllezër, që të mos dini për vështirësinë që na ngjau në Azi, që u rënduam përtej fuqive tona, aq sa u dëshpëruam edhe për jetën vetë.
9. Për më tepër ne e kishim në veten tonë vendimin e vdekjes, që të mos besonim në veten tonë, por në Perëndinë që ringjall të vdekurit,
10. i cili na ka çliruar dhe na çliron nga një vdekje kaq e madhe, dhe tek i cili ne shpresojmë se do të na çlirojë edhe më,
11. me ndihmën tuaj me anë të lutjeve për ne, që shumë njerëz të falënderojnë për dhuntinë e hirit që do të na jepet me anë të lutjeve të shumë njerëzve.
12. Mburrja jonë, në fakt, është kjo: dëshmimi i ndërgjegjes sonë se ne jemi sjellë me thjeshtësinë dhe sinqeritetin e Perën-disë në botë dhe sidomos përpara jush, jo me dituri mishi, por me hirin e Perëndisë.
13. Sepse ne nuk ju shkruajmë të tjera gjëra, përveç atyre që ju mund të lexoni dhe të kuptoni; dhe unë shpresoj se do t'i kuptoni deri në fund;
14. sikurse i keni kuptuar tanimë deri diku, se ne jemi mburrja juaj, sikurse edhe ju do të jeni mburrja jonë, në ditën e Jezu Krishtit.
15. Dhe me këtë siguri unë doja të vija te ju më përpara që të kishit një vepër të mirë të dytë,
16. dhe, nga ju të shkoja në Maqedoni, dhe përsëri nga Maqedonia të vija te ju dhe ju të më përcillnit në Jude.
17. Kur mora këtë vendim, vallë mos kam vepruar me mendjelehtësi? Apo ato që unë vendos, i vendos sipas mishit, që të jetë tek unë po, po dhe jo, jo?
18. Por Perëndia është besnik; fjala jonë ndaj jush nuk ka qenë po dhe jo.
19. Sepse Biri i Perëndisë, Jezu Krisht, që u predikua ndër ju nga ne, pra, nga unë, nga Silvani dhe nga Timoteu, nuk ka qenë "po" dhe "jo", por ka qenë "po" në atë.
20. Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë "po" dhe në atë "amen", për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh.
21. Edhe ai që na themelon neve bashkë me ju në Krishtin dhe na vajosi është Perëndia,
22. i cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës në zemrat tona.
23. Dhe unë e thërres Perëndinë për dëshmitar mbi jetën time që, për t'ju kursyer, nuk kam ardhur ende në Korint.
24. Jo se kemi pushtet mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorët e gëzimit tuaj, sepse për shkak të besimit ju qëndroni të patundur.