A A A A A

Βίβλος σε ένα χρόνο


Σεπτέμβριος 30


Isaia 51:1-23
1. Dëgjomëni, ju që ndiqni drejtësinë dhe kërkoni Zotin! Shikoni shkëmbin nga i cili jeni prerë dhe zgafellën e minierës prej së cilës keni dalë.
2. Shikoni Abrahamin, atin tuaj, dhe Sarën që ju ka lindur, sepse e thirra kur ishte vetëm. E bekova dhe e shumova.
3. Në fakt Zoti do të ngushëllojë Sionin, do ta ngushëllojë për të gjitha shkatërrimet e tij, do ta bëjë shkretëtirën e tij si Edenin dhe vetminë e tij si kopshtin e Zotit. Do të gjejnë në të gëzim dhe hare, falenderim dhe tinguj këngësh.
4. Kushtomë kujdes, o populli im, dëgjomë, o kombi im, sepse nga unë do të vijë ligji dhe unë do të vendos të drejtën time si dritë e popujve.
5. Drejtësia ime është e afërt, shpëtimi im do të shfaqet dhe krahët e mi do të gjykojnë popujt; ishujt do të kenë shpresë tek unë dhe do të kenë besim në krahun tim.
6. Çoni sytë tuaj drejt qiellit dhe shikoni tokën që ndodhet poshtë, sepse qiejtë do të davariten si tym, toka do të konsumohet si një rrobe dhe po kështu banorët e saj do të vdesin; por shpëtimi im do të vazhdojë përjetë dhe drejtësia ime nuk do të mungojë kurrë.
7. Dëgjomëni, o ju që e njihni drejtësinë, o popull, që ka në zemër ligjin tim. Mos kini frikë turpërimin nga njerëzit, as mos u trembni nga fyerjet e tyre të rënda.
8. Sepse tenja do t'i hajë si një rrobe dhe mola do t'i brejë si leshin, por drejtësia ime do të jetë përjetë dhe shpëtimi im brez pas brezi.
9. Zgjohu, zgjohu, vishu me forcë, o krah i Zotit, zgjohu si në ditët e lashta, ashtu si në brezat që shkuan! A nuk je ti ai që e ke bërë copë-copë Rahabin, që ke prerë kuçedrën?
10. A nuk je ti ai që ke tharë detin, ujërat e humnerës së madhe, që i ke bërë rrugë thellësitë e detit, me qëllim që të çliruarit të kalonin?
11. Kështu të shpenguarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me klithma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të marrin gëzim dhe hare, e dhembja dhe rënkimi do të zhduken.
12. Unë, unë vetë, jam ai që ju ngushëllon; kush je ti që i trembesh njeriut që po vdes dhe birit të njeriut të caktuar të jetë si bari?
13. Ti ke harruar Zotin që të ka bërë, që ka shpalosur qiejt dhe ka hedhur themelet e tokës. Ti kishe gjithnjë frikë, tërë ditën përpara tërbimit të shtypësit; kur ai përgatitej të të shkatërronte. Por ku është tani tërbimi i shtypësit?
14. I mërguari në robëri do të çlirohet së shpejti, nuk do të vdesë në gropë as nuk do t'i mungojë buka.
15. Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, që tund detin dhe bën të gjëmojnë valët; emri i tij është Zoti i ushtrive.
16. Unë i vura fjalët e mia në gojën tënde dhe të mbulova me hijen e dorës sime për të vendosur qiejtë dhe për të hedhur themelet e tokës, dhe për t'i thënë Sionit: "Ti je populli im".
17. Rizgjohu, rizgjohu, çohu, o Jeruzalem, që ke pirë nga dora e Zotit kupën e zemërimit të tij, që ke pirë llumin e kupës së hutimit deri sa e kullove krejt.
18. Midis gjithë bijve që ka pjellë nuk ka asnjë që ta udhëheqë; midis gjithë bijve që ka rritur nuk ka asnjë që ta marrë prej dore.
19. Këto dy gjëra të kanë ndodhur, kujt do t'i vijë keq për ty? Pikëllim dhe shkatërrim, uri dhe shpatë, kush do të ngushëllojë?
20. Djemtë e tu ligështoheshin, qëndronin në krye të të gjitha rrugëve si një antilopë e zënë në rrjetë, plot me zemërimin e Zotit, me kërcënimin e Perëndisë tënd.
21. Prandaj tani dëgjo këtë, o e pikëlluar dhe e dehur, por jo nga vera.
22. Kështu thotë Zoti yt, Zoti, Perëndia yt, që mbron çështjen e popullit të tij: "Ja, unë po të heq nga dora kupën e hutimit, llumin e kupës së zemërimit tim; ti nuk do ta pish më.
23. Do ta vë përkundrazi në duart e atyre që të hidhëronin dhe të thonin: "Shtrihu për tokë, që të kalojmë mbi ty", dhe ti e bëje kurrizin tënd një vend, një rrugë për kalimtarët".

Isaia 52:1-15
1. Rizgjohu, rizgjohu, rivishu me forcën tënde, o Sion; vish rrobat e tua të mrekullueshme, o Jeruzalem, qytet i shenjtë! Sepse nuk do të hyjnë më te ti i parrethpreri dhe i papastri.
2. Shkunde pluhurin që ke në kurriz, çohu dhe ulu ndenjur, o Jeruzalem; zgjidhi zinxhirët që ke në qafë, o bijë e Sionit, që je në robëri!
3. Sepse kështu thotë Zoti: "Ju kanë shitur për asgjë dhe do të shpengoheni pa para".
4. Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Populli im zbriti së lashti në Egjipt për të banuar; pastaj Asiri e shtypi pa shkak.
5. Dhe tani çfarë po bëj unë këtu?", thotë Zoti, "ndërsa popullin tim e kanë hequr larg për asgjë? Ata që e sundojnë, bëjnë që ai të rënkojë", thotë Zoti, "dhe emri im shahet vazhdimisht tërë ditën.
6. Prandaj populli im do të njohë emrin tim, prandaj do të kuptojë atë ditë që jam unë që kam folur: "Ja ku jam!"".
7. Sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit që sjell lajme të mira që njofton paqen, që sjell lajme të bukura mbi gjëra të mira, që shpall shpëtimin, që i thotë Sionit: "Perëndia yt mbretëron!".
8. Dëgjo! Rojet e tua ngrenë zërin dhe lëshojnë bashkë britma gëzimi, sepse shohin me sytë e tyre Zotin që kthehet në Sion.
9. Shpërtheni bashkë në britma gëzimi, o rrënoja të Jeruzalemit, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe çliron Jeruzalemin.
10. Zoti ka zhveshur krahun e tij të shenjtë para syve të të gjitha kombeve; të gjitha skajet e tokës do të shohin shpëtimin e Perëndisë tonë.
11. Ikni, ikni, dilni andej, mos prekni asgjë të papastër! Dilni nga ambienti i saj, pastrohuni, ju që mbani vazot e Zotit!
12. Sepse ju nuk do të niseni me nxitim dhe nuk do të shkoni me turr, sepse Zoti do të ecë para jush, Perëndia i Izraelit do të jetë praparoja juaj.
13. Ja, shërbëtori im do të begatohet, do të ngrihet dhe do të lartësohet shumë.
14. Duke qenë se shumë veta u çuditën me ty, sepse pamja e tij ishte e shfytyruar më tepër se e çdo njeriu tjetër dhe fytyra e tij ishte ndryshe nga ajo e bijve të njeriut,
15. kështu ai do të spërkasë shumë kombe; mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çfarë nuk u ishte treguar kurrë atyre dhe do të kuptojnë ato që nuk kishin dëgjuar.

Psalmet 112:5-10
5. Do të jetë i lumtur njeriu që ka dhemshuri dhe jep hua, dhe i drejton punët e tij me drejtësi,
6. sepse nuk do të lëvizet kurrë; i drejti do të kujtohet gjithnjë.
7. Ai nuk do t'u trëmbet lajmeve të këqia; zemra e tij është e fortë, me besim tek Zoti.
8. Zemra e tij është e sigurt; ai nuk do të ketë fare frikë, deri sa të mos shikojë triumfues mbi armiqtë e tij.
9. Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi.
10. I pabesi do ta shohë dhe do të zemërohet, do të kërcëllijë dhëmbët dhe do të konsumohet; dëshira e të pabesëve nuk do të realizohet kurrë.

Fjalët e Urta 26:16-16
16. Përtaci pandeh se është më i urtë se shtatë persona që japin përgjigje me mend.

Efesianëve 2:1-22
1. në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes,
2. ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët.
3. Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi,
4. edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit),
5. edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus,
6. për të treguar në epokat që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus.
7. Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë,
8. jo nga vepra, që të mos mburret askush.
9. Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.
10. Prandaj kujtohuni se dikur ju johebrenj në mish, të quajtur të parrethprerë nga ata që e quajnë veten të rrethprerë, sepse të tillë u bënë në mish, nga dora e njeriut,
11. ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetërinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qënë pa Perëndi në botë.
12. Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit.
13. Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes,
14. duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve të përftuar nga porosi, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen,
15. dhe për t'i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete.
16. Dhe ai erdhi për t'ju shpallur paqen, juve që ishit larg dhe atyre që ishin afër,
17. sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme.
18. Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë,
19. të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes,
20. mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin,
21. në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë.
22. Për këtë arsye unë, Pali, jam i burgosuri i Jezu Krishtit për ju johebrenjtë,