A A A A A

Bibla në një vit


Shtator 3


Kënga e Solomonit 5:1-16
1. Hyra në kopshtin tim, o motra ime, nusja ime, mblodha mirrën time me balsamin tim, hëngra huallin tim me mjaltin tim, piva verën time me qumështin tim. Shokë, hani, pini; po, dehuni, o të dashur!
2. Unë flija, por zemra ime përgjonte. Dëgjoj zërin e të dashurit tim, që troket dhe thotë: "Hapma, motra ime, mikja ime, pëllumbesha ime, e përkryera ime, sepse koka ime është gjithë vesë dhe kaçurrelat e mia gjithë cirka të natës.
3. E hoqa rrobën time, si mund ta vesh përsëri? I lava këmbët, si mund t'i fëlliq përsëri?
4. I dashuri im e vuri dorën te vrima e derës, dhe të përbrëndshmet e mia u ngashërryen nga ai.
5. U ngrita për t'i hapur derën të dashurit tim, dhe nga duart e mia pikoi mirra, nga gishtërinjtë e mi mirra e lëngët, që rridhte mbi dorezën e bravës.
6. Ia hapa të dashurit tim, por i dashuri im ishte tërhequr dhe kishte ikur; zemra ime ligshtohej kur ai fliste. E kërkova, por nuk e gjeta; e thirra, por ai nuk m'u përgjigj.
7. Rojet që sillen nëpër qytet më gjetën, më rrahën, më plagosën; rojet e mureve më çorën velin.
8. Unë ju lutem shumë, o bija të Jeruzalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë do t'i thoni? I thoni se jam e sëmurë nga dashuria.
9. Çfarë ka më tepër i dashuri yt se një i dashur tjetër, o më e bukura midis grave? Çfarë ka i dashuri yt më tepër se një i dashur tjetër, përse përgjërohesh kështu?
10. I dashuri im është i bardhë dhe i kuq, ai dallon ndër dhjetë mijë veta.
11. Koka e tij është ar i kulluar, kaçurelat e flokëve të tij janë rica-rica, të zeza korb.
12. Sytë e tij janë si ato të pëllumbit pranë rrëkeve të ujit, të lara në qumësht, të ngallmuara si një gur i çmuar në një unazë.
13. Faqet e tij janë si një lehe balsami, si lehe barërash aromatike; buzët e tij janë zambakë, që nxjerrin mirra të lëngët.
14. Duart e tij janë unaza ari, të stolisura me gurë të çmuar; barku i tij është i fildisht që shndrit, i mbuluar me safire.
15. Këmbët e tij janë kollona mermeri të mbështetura në themele ari të kulluar. Pamja e tij është si Libani, madhështore si kedrat.
16. Goja e tij është vetë ëmbëlsia; po, ai është tërheqës në çdo pikpamje. Ky është i dashuri im, ky është miku im, o bija të Jeruzalemit.

Kënga e Solomonit 6:1-13
1. Ku shkoi i dashuri yt, o më e bukura midis grave? Ku shkoi i dashuri yt, që të mund ta kërkojmë bashkë me ty?
2. I dashuri im zbriti në kopshtin e tij, në lehet e balsamit për të kullotur kopenë në kopshtet dhe për të mbledhur zambakë.
3. Unë jam e të dashurit tim dhe i dashuri im është imi; ai e kullot kopenë midis zambakëve.
4. Mikja ime, ti je e bukur si Tirtsahu, i hijshëm si Jeruzalemi, e tmerrshme si një ushtri me flamuj të shpalosur.
5. Largo nga unë sytë e tu, sepse më turbullojnë. Flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin mbi malin e Galaadit.
6. Dhëmbët e tua janë si një kope dhensh, që kthehen nga vendi ku lahen; të gjitha kanë binjakë dhe asnjëra prej tyre nuk është shterpe.
7. Tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një rriskë shege.
8. Aty ka gjashtëdhjetë mbretëresha dhe tetëdhjetë konkubina, si dhe vajza pa numërim.
9. Por pëllumbesha ime, e përkryera ime, është e vetme; nëna e ka të vetme, e përzgjedhura e saj që e ka pjellë. Vajzat e kanë parë dhe e kanë shpallur të lume, po, edhe mbretëreshat dhe konkubinat, e kanë lavdëruar.
10. Kush është ajo që shfaqet si agimi, e bukur si hëna, e pastër si dielli, e tmerrshme si një ushtri me flamuj të shpalosur?
11. Unë zbrita në kopshtin e arrave për të parë bimët e blerta të luginës, për të parë në se hardhitë ishin në lulëzim dhe shegët kishin bulëzuar.
12. Nuk e di si, por dëshira ime më vuri mbi qerret e popullit tim fisnik.
13. Kthehu, kthehu, o Shulamite, kthehu, kthehu, që të mund të të admirojmë. Çfarë shikoni te Shulamitja? Si një valle me dy grupe?

Psalmet 104:24-30
24. Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.
25. Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;
26. e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t'u tallur në të.
27. Të gjithë presin që ti t'u japësh ushqimin në kohën e duhur.
28. Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.
29. Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.
30. Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.

Fjalët e Urta 24:19-20
19. Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,
20. sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.

1 Korintianëve 13:1-13
1. Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon.
2. Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë.
3. Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfërit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë!
4. Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset,
5. nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq;
6. nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën,
7. i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë.
8. Dashuria nuk ligshtohet kurrë; por profecitë shfuqizohen, gjuhët pushojnë dhe njohuria do të shfuqizohet,
9. sepse ne njohim pjesërisht dhe profetizojmë pjesërisht.
10. Por, kur të vijë përsosmëria, atëherë ajo që është e pjesshme do të shfuqizohet.
11. Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë; kur u bëra burrë, i flaka gjërat fëminore.
12. Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem.
13. Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria.