A A A A A

Piibel ühe aasta


Rujan 25


Isaia 41:1-29
1. Ishuj, mbani heshtje! Le të marrin forca të reja popujt; le të afrohen dhe pastaj të flasin. Të mblidhemi bashkë për të gjykuar!
2. "Kush e ka nxitur një nga lindja, duke e thirrur në këmbët e tij në drejtësi? Kush i dorëzoi kombet dhe i nënshtroi mbretërit? Ai ia jep si pluhur shpatës së tij dhe si kashtë e shpërndarë harkut të tij.
3. Ai i përndjek dhe ecën i sigurtë nëpër një rrugë mbi të cilën këmbët e tij nuk kanë shkelur kurrë.
4. Kush ka vepruar dhe ka kryer këtë, duke thirrur brezat që nga fillimi? Unë Zoti, jam i pari dhe, me ata të fundit, do të jem po ai".
5. Ishujt e shohin dhe i ka zënë frika, skajet e tokës dridhen; po afrohen, po arrijnë.
6. Secili ndihmon shokun e tij dhe i thotë vëllait të tij: "Kurajo".
7. Farkëtari i jep zemër argjendarit dhe ai që i jep dorën e fundit punës me çekiç i jep zemër atij që i bie kudhrës dhe thotë për saldaturën: "Mirë është" dhe e përforcon me gozhda që të mos lëvizë.
8. "Por ti, Izrael, shërbëtori im, Jakob që kam zgjedhur, pasardhës i Abrahamit, mikut tim,
9. ty që të mora nga skajet e tokës, që kam thirrur nga cepat më të largëta të saj dhe të kam thënë: "Ti je shërbëtori im, të kam zgjedhur dhe nuk të kam hedhur poshtë".
10. Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.
11. Ja, tërë ata që janë zemëruar kundër teje do të turpërohen dhe do të shushaten; ata që luftojnë kundër teje do të katandisen në hiç dhe do të zhduken.
12. Ti do t'i kërkosh, por nuk do t'i gjesh më ata që të kundërshtonin; ata që të bënin luftë do të jenë asgjë, si një gjë që nuk ekziston më.
13. Sepse unë, Zoti, Perëndia yt, të zë nga dora e djathtë dhe të them: "Mos u frikëso, unë të ndihmoj".
14. "Mos u frikëso, o krimb i Jakobit, o njerëz të Izraelit! Unë të ndihmoj", thotë Zoti; "Shpëtimtari yt është i Shenjti i Izraelit.
15. Ja, unë të bëj një shirëse të re me dhëmbë të mprehura; ti do të shish malet dhe do t'i katandisësh në pluhur, dhe do t'i bësh kodrat si byk.
16. Ti do t'i frysh, era do t'i çojë larg dhe shakullima do t'i shpërndajë; por ti do të gëzohesh te Zoti dhe do të përlëvdohesh tek i Shenjti i Izraelit.
17. Të mjerët dhe të varfërit kërkojnë ujë, por mungon; gjuha e tyre u është tharë nga etja; unë, Zoti do t'ua plotësoj dëshirën; unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t'i braktis.
18. Do të bëj që të dalin lumenj mbi kodrat e zhveshura dhe burime në mes të luginave; do ta bëjë shkretëtirën një liqen uji dhe tokën e thatë burim ujërash.
19. Do të mbjell në shkretëtirë kedrin, akacien, mërsinën dhe ullirin, do të mbjellë në Arabah qiparisin, vidhin dhe bredhin,
20. me qëllim që ta shohin, ta dinë, ta konsiderojnë dhe ta kuptojnë të gjithë tok se dora e Zotit e ka bërë këtë gjë dhe i Shenjti i Izraelit e ka krijuar.
21. Paraqitni çështjen tuaj, thotë Zoti, parashtroni arsyetimet tuaja, thotë Mbreti i Jakobit.
22. Le t'i parashtrojnë dhe të na njoftojnë ç'ka për të ndodhur. Le të deklarojnë cilat ishin gjërat e kaluara, në mënyrë që të mund t'i shqyrtojmë dhe të njohim kryerjen e tyre; ose na njoftoni ç'ka për të ndodhur.
23. Na njoftoni ç'ka për të ndodhur në të ardhmen, dhe kështu do të mësojmë se jeni perëndi; po, na bëni të mirë apo të keqe në mënyrë që të mbetemi të habitur duke i parë bashkë.
24. Ja, ju jeni një hiç dhe vepra juaj nuk vlen asgjë; ai që ju zgjedh kryen një gjë të neveritshme.
25. Unë thirra dikë nga veriu, dhe ai ka për të ardhur, nga lindja ai do të përmëndë emrin tim; do t'i shkelë princat sikur të ishin prej argjile, ashtu siç vepron poçari që e ngjesh baltën.
26. Kush e shpalli këtë që në krye me qëllim që ta dinim, shumë më parë që të mund të thonim: "A është e drejtë"? Por nuk ka njeri që ta ketë njoftuar këtë gjë, njeri që ta ketë shpallur, njeri që të ketë dëgjuar fjalët tuaja.
27. E shpalla i pari në Sion: "Shikoni, ja ku janë!", dhe në Jeruzalem dërgova një lajmëtar me lajme të mira.
28. Shikova, por nuk kishte asnjë, vërtetë asnjë midis tyre që të dinte të jepte një këshillë, apo, i pyetur, mund të më jepte një përgjigje.
29. Ja, të gjithë këta janë kot; veprat e tyre janë një hiç dhe shtatoret e tyre janë erë dhe gjëra pa kurrfarë vlere".

Isaia 42:1-25
1. "Ja shërbëtori im, që unë përkrah, i zgjedhuri im që më kënaq shpirtin. Kam vënë Frymën time mbi të; ai do t'ju sjellë drejtësinë kombeve.
2. Nuk do të bërtasë, nuk do ta ngrerë zërin, nuk do të bëjë të dëgjohet zëri i tij nëpër rrugë.
3. Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës.
4. Ai nuk do të ligështohet dhe nuk do të dekurajohet; deri sa të vendosë drejtësinë mbi tokë; dhe ishujt do të presin ligjin e tij".
5. Kështu thotë Perëndia, Zoti, që ka krijuar qiejtë dhe i ka shpalosur, që ka shtruar tokën dhe gjërat që ajo prodhon, që i jep frymëmarrje popullit dhe jetë atyre që ecin në të:
6. "Unë, Zoti, të kam thirrur sipas drejtësisë dhe do të të zë për dore, do të të ruaj dhe do të bëj aleancën e popullit dhe dritën e kombeve,
7. për t'u hapur sytë të verbërve, për të nxjerrë nga burgu të burgosurit dhe ata që dergjen në terr.
8. Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t'i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura.
9. Ja, gjërat e mëparshme kanë ndodhur, dhe tani po ju njoftoj gjëra të reja; unë jua bëj të njohura para se të mbijnë".
10. I këndoni Zotit një kantik të ri, lëvdimin e tij nga skajet e tokës, o ju që zbrisni në det, dhe atë që ai përmban, ishujt dhe banorët e tyre.
11. Shkretëtira dhe qytetet e tij të lartojnë zërin e tyre, bashkë me fshatrat në të cilat banojnë ata të Kedarit. Le të ngazëllojnë banorët e Selas, le të lëshojnë britma nga maja e maleve.
12. Le t'i japin lavdi Zotit, le ta shpallin lëvdimin e tij në ishuj.
13. Zoti do të shkojë përpara si një hero, do të nxisë dëshirën e tij të zjarrtë si një luftëtar, do të lëshojë një klithmë, po një klithmë therëse; do të triumfojë mbi armiqtë e tij.
14. "Për një kohë të gjatë kam qëndruar në heshtje, nuk kam folur, e kam përmbajtur veten; por tani do të bërtas si një grua që heq të prerat e lindjes, do të marr frymë me vështirësi dhe njëkohësisht do të shfryj.
15. Do të shkretoj malet dhe kodrat dhe do të t'i thaj tërë bimët e blerta; do t'i katandis lumenjtë në ishuj dhe do të thaj pellgjet.
16. Do t'i bëj të verbërit të ecin nëpër një rrugë që ata nuk e njihnin dhe do t'i çoj nëpër shtigje të panjohura; do të ndryshoj para tyre terrin në dritë dhe vendet dredha-dredha në fushë. Këto gjëra do të bëj për ta dhe nuk do t'i braktis.
17. Do të kthejnë kurrizin plot me turp ata që kanë besim në shëmbëlltyrat e gdhendua dhe u thonë shëmbëlltyrave të derdhura: "Ju jeni perënditë tona!".
18. O të shurdhër, dëgjoni; o të verbër, shikoni dhe keni për të parë!
19. Kush është i verbër, në mos shërbëtori im, o i shurdhër si lajmëtari im që po dërgoj? Kush është i verbër si ai që është në paqe me mua, i verbër si shërbëtori i Zotit?
20. Ke parë shumë gjëra, por pa u kushtuar kujdesin e duhur; veshët e tu ishin të hapur, por nuk dëgjove asgjë".
21. Zoti u gëzua për hir të drejtësisë së tij; do ta bëjë ligjin e tij të madh dhe të mrekullueshëm.
22. Por ky është një popull që e kanë vjedhur dhe zhveshur; janë zënë të gjithë nga leqe në burgjet e nëndheshme dhe janë mbyllur në burgje. Janë bërë objekt plaçkitjeje, por askush nuk i ka çliruar; të zhveshur, por askush nuk ka thënë: "Ktheji!".
23. Kush prej jush do t'i kushtojë vemendje kësaj gjëje? Kush prej jush do t'i kushtojë vemendje dhe do të dëgjojë në të ardhmen?
24. Kush e ka braktisur Jakobin në duart e plaçkitësve dhe Izraelin në ato të grabitësve? A nuk ka qenë vallë Zoti kundër të cilit kemi mëkatuar? Ata në fakt nuk kanë dashur të ecin në rrugët e tij dhe nuk i janë bindur ligjit të tij.
25. Prandaj ai hodhi mbi të afshin e zemërimit të tij dhe dhunën e luftës, që e mbështolli rreth e qark në flakë pa e vënë re ai; e shkriu atë, por ai nuk pati gajle.

Psalmet 109:26-31
26. Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde,
27. dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.
28. Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.
29. U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel,
30. Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe,
31. sepse ai rri në të djathtë të të varfërit për ta shpëtuar nga ata që e dënojnë me vdekje.

Fjalët e Urta 26:3-4
3. Kamxhiku për kalin, kapistra për gomarin dhe shkopi për kurrizin e budallenjve.
4. Mos iu përgjegj budallait simbas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai.

Galatasve 3:1-29
1. Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën me anë të veprave të ligjit apo nëpërmjet dëgjimit të besimit?
2. A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish?
3. A thua hoqët kaq shumë gjëra më kot, nëse kanë qenë vërtetë më kot?
4. Ai që ju jep juve Frymën, dhe kryen midis jush vepra të fuqishme, i bën me anë të veprave të ligjit apo me anë të predikimit të besimit?
5. Kështu Abrahami ''e besoi Perëndinë, dhe kjo iu numërua për drejtësi'';
6. Ta dini, pra, se ata që janë nga besimi janë bij të Abrahamit.
7. Dhe Shkrimi, duke parashikuar se Perëndia do t'i shfajësonte kombet me anë të besimit, ia dha më përpara Abrahamit lajmin e mirë: ''Të gjitha kombet do të bekohen në ty''.
8. Prandaj ata që themelohen mbi besimin bekohen bashkë me të besueshmin Abraham.
9. Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: ''I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t'i praktikuar''.
10. Sepse me anë të ligjit askush nuk shfajësohet përpara Perëndisë, sepse: ''I drejti do të rrojë me anë të besimit''.
11. Dhe ligji nuk është nga besimi, por ''njeriu që do t'i bëjë ato, do të rrojë me anë të tyre''.
12. Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: ''I mallkuar është kushdo që varet në dru''),
13. që bekimi i Abrahamit t'u vijë johebrenjve me anë të Jezu Krishtit, që ne të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit.
14. O vëllezër, po ju flas në mënyrën e njerëzve: në qoftë se një besëlidhje është aprovuar, edhe pse është besëlidhje njeriu, askush nuk e zhvleftëson as nuk i shton gjë.
15. Dhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij. Shkrimi nuk thotë: ''Edhe pasardhësve'' si të ishin shumë, por të një të vetme: ''Dhe pasardhjes sate'', pra Krishti.
16. Dhe unë them këtë: ligji, që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më pas, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e aprovuar më parë nga ana e Perëndisë në Krishtin, në mënyrë që të prishë premtimin.
17. Sepse, në qoftë se trashëgimi është nga ligji, nuk është më nga premtimi. Por Perëndia ia fali atë Abrahamit me anë të premtimit.
18. Atëherë, pse u dha ligji? Ai u shtua për shkak të shkeljeve, deri sa të vinte pasardhja së cilës i qe bërë premtimi; dhe ky ligj u shpall nëpërmjet engjëjve, me anë të një ndërmjetësi.
19. Dhe ndërmjetësi nuk është ndërmjetës i një ane të vetme, kurse Perëndia është një.
20. A thua atëherë ligji është kundër premtimeve të Perëndisë? Kurrsesi jo! Sepse po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit.
21. Por Shkrimi i mbylli të gjitha gjërat nën mëkatin, që t'u jepej besimtarëve premtimi nëpërmjet besimit të Jezu Krishtit.
22. Dhe, para se të vinte besimi, ne ruheshim nën ligjin, si të mbyllur, duke pritur besimin që duhej të zbulohej.
23. Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.
24. Por, mbasi besimi erdhi, ne nuk jemi më nën ndonjë mësues,
25. sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti.
26. Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.
27. Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.
28. Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.
29. Edhe them se për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, megjithëse është zot i të gjithave,