A A A A A

Bibla në një vit


Shtator 2


Kënga e Solomonit 3:1-11
1. Mbi shtratin tim gjatë natës kërkova atë që dashuron zemra ime, e kërkova, por nuk e gjeta.
2. Tani do të ngrihem dhe do të shkoj rrotull nëpër qytet, nëpër rrugët dhe nëpër sheshet do të kërkoj atë që do zemra ime. E kërkova, por nuk e gjeta.
3. Rojet që sillen nëpër qytet më takuan. I pyeta ata: "A e patë atë që do zemra ime?".
4. Sapo i kalova, gjeta atë që do zemra ime. E shtrëngova fort dhe nuk kam ndërmend ta braktis deri sa ta çoj në shtëpinë e nënes sime dhe në dhomën e asaj që më ka ngjizur.
5. Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat e fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurin time deri sa kështu t'i pëlqejë.
6. Kush është ajo që vjen nga shkretëtira, si kollona tymi, e parfumuar me mirrë dhe temjan dhe me lloj-lloj pluhurash aromatikë të tregëtarëve?
7. Ja shtrati i Salomonit, rreth të cilit qëndrojnë gjashtëdhjetë njerëz guximtarë, trima të Izraelit.
8. Të gjithë përdorin shpatën, janë të rrahur në çështjen e luftës; secili mban shpatën në ijë për tmerret e natës.
9. Mbreti Salomon i ka bërë vetes një lektizë me dru Libani.
10. I ka bërë kolonat e saj prej argjendi, shpinzën e saj prej ari, ndenjësen prej purpuri; pjesa e brendëshme e saj është qendisur me dashuri nga bijat e Jeruzalemit.
11. Dilni, bija të Sionit, soditni mbretin Salomon me kurorën me të cilën e ka kurorëzuar e ëma, ditën e dasmës së tij, ditën e gëzimit të zemrës së tij.

Kënga e Solomonit 4:1-16
1. Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je! Sytë e tu prapa velit tënd janë si ato të pëllumbeshave; flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin në malin Galaad.
2. Dhëmbët e tua janë si një kope delesh të qethura, që kthehen nga vendi i larjes; të gjitha kanë binjakët e tyre dhe asnjë prej tyre nuk është shterpë.
3. Buzët e tua janë si një fije e kuqe flakë, dhe goja jote është e këndshme; tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një thelë shege.
4. Qafa jote është si kulla e Davidit, e ndërtuar për një armëri; mbi të cilën janë varur një mijë mburoja, të gjitha mburojat të njerëzve trima.
5. Të dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjël, binjake të gazelave, që kullosin midis zambakëve.
6. Përpara se flladi i ditës të ndihet dhe hijet të ikin, do të shkoj në malin e mirrës dhe në kodrën e temjanit.
7. Ti je e tëra e bukur, mikja ime, dhe nuk ka në ty asnjë të metë.
8. Eja me mua nga Libani, o nusja ime, eja me mua nga Libani! Shiko nga maja e Amanas, nga maja e Senirit dhe e Hermonit, nga strofkat e luanëve dhe nga malet e leopardëve.
9. Ti më ke rrëmbyer zemrën, o motra ime, nusja ime; ti më ke rrëmbyer zemrën me një shikim të vetëm të syve të tu, me një gushore të vetme të qafës sate.
10. Sa e kënaqshme është dashuria jote, o motra ime, nusja ime! Sa më e mirë se vera është dashuria jote dhe aroma e vajrave të tua të parfumuara është më e këndshme se gjithë aromat!
11. Nusja ime, buzët e tua pikojnë si një huall mjaltë, mjaltë dhe qumësht ka nën gjuhën tënde, dhe aroma e rrobave të tua është si aroma e Libanit.
12. Motra ime, nusja ime, është një kopsht i mbyllur, një burim i mbyllur, gurrë e vulosur.
13. Filizat e tua janë një kopësht shegësh me fryte të zgjedhura me bimë të alkanës me nardo,
14. me nardo dhe kroko, kanellë dhe çinamom, me të gjitha llojet e drurëve të temjanit, të mirrës dhe të aloes, me të gjitha aromat më të mira.
15. Ti je një burim lulishtesh, një pus ujërash të freskëta, rrëkesh që dalin nga Libani.
16. Zgjohu, o veri dhe eja, o jugë; fryj mbi kopshtin tim, dhe aromat e tij të përhapen! Le të hyjë i dashuri im në kopshtin e tij dhe të hajë frytet e zgjedhura!

Psalmet 104:10-23
10. Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,
11. dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.
12. Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.
13. Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.
14. Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,
15. dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.
16. Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë;
17. aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij.
18. Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve.
19. Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij.
20. Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit.
21. Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.
22. Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre.
23. Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje.

Fjalët e Urta 24:17-18
17. Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,
18. me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.

1 Korintianëve 12:1-31
1. Edhe për sa u përket dhuntive frymërore, o vëllezër, nuk dua të jeni të paditur.
2. Ju e dini se, kur ishit paganë, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë, nën shtytje të çastit.
3. Prandaj ju bëj të ditur se askush që flet në Frymën e Shenjtë nuk thotë: ''Mallkuar qoftë Jezusi!''; edhe asnjë nuk mund të thotë: ''Jezusi është Zot'', veç se në Frymën e Shenjtë.
4. Ka larmi dhuntish, por i njëjti Frymë.
5. Ka edhe larmi shërbimësh, por i njëjti Zot.
6. Dhe ka larmi veprimtarish por është i njejti Perëndi i cili i bën të gjitha gjërat në të gjithë.
7. Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët.
8. Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie;
9. një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat;
10. një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve.
11. Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë.
12. Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëtit trup, megjithse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti.
13. Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frym të vetëm në të njëjtin trup, qofshin Hebrenjtë apo Grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë e kemi jemi uijtur në të njëjtin Frymë.
14. Sepse edhe trupi nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë.
15. Sikur të thoshte këmba: ''Mbasi nuk jam dorë, unë nuk jam pjesë e trupit'', mos për këtë nuk është pjesë e trupit?
16. Dhe sikur veshi të thoshte: ''Mbasi nuk jam sy, unë nuk jam pjesë e trupit'', mos për këtë nuk është pjesë e trupit?
17. Po të ishte gjithë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte gjithë dëgjim, ku do të ishte të nuhaturit?
18. Por Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur.
19. Po të ishin të gjitha gjymtyrët një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?
20. Kështu, pra, janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm.
21. Dhe syri nuk mund t'i thotë dorës: ''Unë nuk kam nevojë për ty''; dhe po ashtu koka nuk mund t'u thotë këmbëve: ''Unë nuk kam nevojë për ju''.
22. Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat;
23. dhe ato që ne i konsiderojmë më pak të nderuara, pikërisht ata rrethojmë me më shumë nderim; dhe të pahijshmet tona kanë më tepër hijë.
24. Por gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke i dhënë më tepër nder asaj pjese që e kishte mangut,
25. që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën.
26. Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.
27. Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç.
28. Dhe Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit, të ndihmës e të qeverisjes dhe të larmive të gjuhëve.
29. A janë vallë të gjithë apostuj? Janë të gjithë profetë? Janë të gjithë mësues?
30. A kanë të gjithë dhuntinë e veprave të fuqishme? A kanë të gjithë dhuntitë e shërimeve? A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? A interpretojnë të gjithë?
31. Por kërkoni me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira; dhe unë do t'ju tregoj një udhë shumë më të lartë.