A A A A A

Bibla në një vit


Shtator 15


Isaia 21:1-16
1. Profecia kundër shkretëtirës së detit. Ashtu si shakullimat kalojnë me të shpejtë nëpër Negev, kështu një pushtues vjen nga shkretëtira, nga një vend i tmerrshëm.
2. Një vegim i tmerrshëm m'u shfaq: i pabesi vepron me pabesi dhe shkatërruesi shkatërron. Dil, o Elam. Rrethoje, o Medi! Bëra që të pushojë çdo rënkim të tij.
3. Për këtë arsye ijët e mia më dhëmbin shumë, më zunë dhembjet si të prerat e një gruaje që lind; jam i tronditur nga sa dëgjova, jam i tmerruar nga sa pashë.
4. Zemra ime e ka humbur, tmerri më ka zënë; nata që aq shumë e dëshiroja është bërë llahtarë për mua.
5. Ndërsa po shtrohet tryeza, bëhet rojë mbi kullën vëzhgimit hahet dhe pihet. "Çohuni, o krerë, dhe vajosni mburojat".
6. Sepse kështu më ka thënë Zoti: "Shko, vër një roje që të njoftojë atë që shikon".
7. Ajo pa qerre dhe çifte kalorësish, disa prej të cilëve kishin hipur mbi gomarë dhe të tjerë mbi deve, dhe i vëzhgoi me kujdes, me shumë kujdes.
8. Pastaj bërtiti si një luan: "O Zot, ditën unë rri gjithnjë mbi kullën e vëzhgimit, dhe çdo natë rri më këmbë te vendroja ime.
9. Dhe ja po vijnë disa qerre dhe çifte kalorësish". Atëherë ajo nisi të flasë përsëri: "Ra, ra Babilonia"! Të gjitha shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të saj janë për tokë të copëtuara.
10. O populli im, atë që kam shirë dhe shkelur në lëmin tim, atë që kam dëgjuar nga Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, unë ta kam njoftuar!".
11. Profecia kundër Dumahut. Më bërtasin nga Seiri: "Roje, në ç'pikë ka arritur nata? Roje, në ç'pikë ka arritur nata?".
12. Roja përgjigjet: "Vjen mëngjesi, pastaj edhe nata. Në rast se doni të pyesni, pyesni, pra; kthehuni, ejani".
13. Profecia kundër Arabisë. Do ta kaloni natën në pyjet e Arabisë, o karvanë të Dedamitëve.
14. I dilni para të eturit duke i sjellë ujë, o banorë të vendit të Temas; i kanë dalë përpara ikanakut me bukën e tyre.
15. Sepse ata ikin para shpatave, para shpatës së zhveshur, para harkut të nderur, para tërbimit të betejës.
16. Sepse kështu më ka thënë Zoti: "Për një vit, ashtu si viti i një argati me mëditje, tërë lavdia e Kedarit do të zhduket;

Isaia 22:1-25
1. Profecia kundër Luginës së Vegimit. Çfarë ke ti tani që ke hipur e tëra mbi çatitë,
2. ti që je plot me britma, qytet zhurmëmadh, qytet dëfrimesh? Të vrarët e tu nuk janë vrarë nga shpata as kanë vdekur në betejë.
3. Tërë krerët e tu kanë ikur bashkë, janë zënë robër pa hark; tërë ata që u gjetën te ti u zunë robër, megjithëse kishin ikur larg.
4. Prandaj them: "Largoni shikimin nga unë; unë do të qaj me hidhërim. Mos kërkoni të më ngushëlloni për dëshpërimin e bijës së popullit tim".
5. Sepse është një ditë lemerie, shkatërrimi dhe ngurimi nga ana e ZOTIT, të Zotit të ushtrive; në Luginën e Vegimeve muret janë shembur dhe britma për ndihmë arrin deri në mal.
6. Elami ka marrë kukurën me qerre njerëzish dhe kalorësish. Kiri ka zbuluar mburojën.
7. Do të ndodhë që luginat e tua më të mira do të jenë plot me qerre dhe kalorësit do të zënë pozicion para portave të tua.
8. Pastaj ai hoqi mbrojtjen e Judës dhe po atë ditë ti e hodhe shikimin mbi arsenalin e pallatit të Pyllit.
9. Keni parë gjithashtu sa të shumta ishin të çarat në muret e qytetit të Davidit, dhe keni mbledhur ujërat e hauzit të poshtëm.
10. Keni numëruar shtëpitë e Jeruzalemit dhe keni shembur shtëpi për të fortifikuar muret.
11. Përveç kësaj keni ndërtuar një rezervuar midis dy mureve për ujërat e hauzit të vjetër, por nuk keni parë se kush e ka bërë këtë, as nuk keni marrë parasysh kush e ka menduar këtë prej një kohe të gjatë.
12. Atë ditë Zoti, Zoti i ushtrive, ju thirri që të qani, të mbani zi, të rruani kokën dhe të mbështilleni me thasë.
13. Po përkundrazi ja, gëzim dhe hare, priten qe dhe theren dele, hahet mish dhe pihet verë. "Të hamë dhe të pimë, se nesër do të vdesim!".
14. Por Zoti i ushtrive u ka thënë veshëve të mi: "Ky mëkati juaj nuk do të shlyhet deri sa ju të vdisni", thotë Zoti, Zoti i ushtrive.
15. Kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: "Shko pra te ky administrator, te Shebna, kryekujdestar, dhe i thuaj:
16. "Çfarë zotëron ti këtu dhe cilin ke këtu, që ke bërë të të gërmojnë këtu një varr, ashtu si ai që gërmon për vete një vendvarrim lart dhe pret në shkëmb një varr?".
17. Ja, Zoti po të flak me dhunë, o njeri i fuqishëm, dhe do të të kapë mirë.
18. Do të të rrukullisë mirë e mirë dhe do të të hedhë si një top në një vend të gjerë. Aty do të vdesësh dhe do të mbarojnë qerret e tua krenare, o turp i shtëpisë së zotit tënd.
19. Do të të dëbojë nga zyra jote dhe do të tërhiqesh poshtë nga posti yt!
20. Atë ditë do të ndodhë që të thëras shërbëtorin tim Eliakim, birin e Hilkiahut;
21. do ta vesh me tunikën tënde, do t'i vë brezin tënd dhe do ta kaloj pushtetin tënd në duart e tij, dhe ai do të jetë një atë për banorët e Jeruzalemit dhe për shtëpinë e Judës.
22. Do të vë mbi supin e tij çelësin e shtëpisë së Davidit; kështu ai do të hapë dhe askush nuk do të mund ta mbyllë, do ta mbyllë dhe askush nuk do ta mund ta hapë.
23. Do ta ngul si një gozhdë në një vend të sigurt, dhe ai do të bëhet një fron lavdie për shtëpinë e atit të tij.
24. Nga ai do të varet tërë lavdia e shtëpisë së atit të tij, trashëgimtarët dhe degët anësorë, të gjitha enët edhe ato më të vogla, që nga kupat e e deri te shtambët e çdo lloji.
25. "Atë ditë, thotë Zoti i ushtrive, gozhda e ngulur në vend të sigurt do të hiqet, do të shkulet poshtë dhe do të bjerë; dhe gjithë pesha që mbante do të shkatërrohet, sepse Zoti ka folur".

Psalmet 107:1-9
1. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2. Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit,
3. dhe që ka mbledhur nga vende të ndryshme, nga lindja dhe perëndimi, nga veriu dhe nga jugu.
4. Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vënde të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin.
5. Të uritur e të etur, jeta e tyre po ligështohej.
6. Por në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe ai i çliroi nga ankthet e tyre;
7. dhe i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin.
8. Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve.
9. Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur.

Fjalët e Urta 25:14-16
14. Ai që mburret duke gënjyer se ka bërë një dhuratë është si retë dhe era pa shi.
15. Me durimin i mbushet mendja një princi dhe gjuha e ëmbël thyen kockat.
16. Në rast se gjen mjaltë, ha aq sa të mjafton, me qëllim që të mos dendesh dhe pastaj të vjellësh.

2 Korintianëve 1:1-16
1. Pali, apostull i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetin e Perëndisë, dhe vëllai Timote, kishës së Perëndisë që është në Korint, bashkë me gjithë shenjtorët që janë në gjithë Akainë:
2. Paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
3. Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i të mëshirëve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi,
4. i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi.
5. Sepse, ashtu si ndër ne teprojnë vuajtjet e Krishtit, po ashtu, nëpërmjet Jezu Krishtit, tepron edhe ngushëllimi ynë.
6. Dhe, nëse jemi të pikëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj; nëse jemi të ngushëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj, që veprojnë në mënyrë të efektshme që të duroni të njëjtat vuajtje që heqim edhe neve.
7. Edhe shpresa jonë për ju është e patundur, duke ditur se ashtu siç jeni pjesëmarrës në mundime, kështu do të jeni pjesëmarrës edhe në ngushëllim.
8. Sepse nuk duam, o vëllezër, që të mos dini për vështirësinë që na ngjau në Azi, që u rënduam përtej fuqive tona, aq sa u dëshpëruam edhe për jetën vetë.
9. Për më tepër ne e kishim në veten tonë vendimin e vdekjes, që të mos besonim në veten tonë, por në Perëndinë që ringjall të vdekurit,
10. i cili na ka çliruar dhe na çliron nga një vdekje kaq e madhe, dhe tek i cili ne shpresojmë se do të na çlirojë edhe më,
11. me ndihmën tuaj me anë të lutjeve për ne, që shumë njerëz të falënderojnë për dhuntinë e hirit që do të na jepet me anë të lutjeve të shumë njerëzve.
12. Mburrja jonë, në fakt, është kjo: dëshmimi i ndërgjegjes sonë se ne jemi sjellë me thjeshtësinë dhe sinqeritetin e Perën-disë në botë dhe sidomos përpara jush, jo me dituri mishi, por me hirin e Perëndisë.
13. Sepse ne nuk ju shkruajmë të tjera gjëra, përveç atyre që ju mund të lexoni dhe të kuptoni; dhe unë shpresoj se do t'i kuptoni deri në fund;
14. sikurse i keni kuptuar tanimë deri diku, se ne jemi mburrja juaj, sikurse edhe ju do të jeni mburrja jonë, në ditën e Jezu Krishtit.
15. Dhe me këtë siguri unë doja të vija te ju më përpara që të kishit një vepër të mirë të dytë,
16. dhe, nga ju të shkoja në Maqedoni, dhe përsëri nga Maqedonia të vija te ju dhe ju të më përcillnit në Jude.