A A A A A

Bibla në një vit


Gusht 26


Predikuesi 1:1-18
1. Fjalët e Predikuesit, e birit të Davidit, mbretit të Jeruzalemit.
2. "Kotësi e kotësive", thotë Predikuesi;
3. "Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi". Çfarë përfitimi ka njeriu nga gjithë mundi i tij, kur mundohet nën rrezet e diellit?
4. Një brez shkon, një brez vjen, por toka mbetet përjetë.
5. Edhe dielli lind e pastaj perëndon, dhe shpejtohet në drejtim të vendit nga del përsëri.
6. Era fryn në drejtim të jugut, pastaj kthehet nga veriu; kthehet dhe rikthehet vazhdimisht dhe bën po ato rrotullime.
7. Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri.
8. Tërë gjërat kërkojnë mund, më tepër nga sa mund të thotë njeriu; syri nuk ngopet kurrë duke parë, po kështu veshi nuk ngopet kurrë duke dëgjuar.
9. Ajo që ka qenë është ajo që do të jetë; ajo që është bërë është ajo që do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell.
10. A ka diçka për të cilën mund të thuhet: "Shiko, kjo është e re!". Kjo gjë ekzistonte që në shekujt që na kanë pararendur.
11. Nuk mbetet asnjë kujtim nga gjërat e kaluara, dhe kështu nuk do të mbetet asnjë kujtim nga gjërat që do të ndodhin midis atyre që do të vijnë më pas.
12. Unë, Predikuesi, kam qenë mbret i Izraelit në Jeruzalem,
13. dhe kam kërkuar me zemër të zbuloj dhe të hetoj me dituri çdo gjë që ndodh nën qiell; kjo është një punë e rëndë që Perëndia u ka dhënë bijve të njerëzve që ata të lodhen.
14. Unë i kam parë tërë gjërat që bëhen nën diell; dhe ja, të gjitha janë gjëra të kota dhe një kërkim për të kapur erën.
15. Ajo që është e shtrëmbër nuk mund të drejtohet dhe ajo që mungon nuk mund të numërohet.
16. Unë kam folur me zemrën time, duke thënë: "Ja, kam fituar madhështi dhe dituri më të madhe se të gjithë ata që kanë mbretëruar para meje në Jeruzalem dhe zemra ime ka parë shumë dituri dhe njohuri".
17. Dhe ia kushtova zemrën time për të njojtur diturinë si dhe njohjes së marrëzisë dhe budallallëkut; dhe kuptova që edhe kjo është një kërkim për të kapur erën.
18. Sepse aty ku ka shumë dituri ka edhe shumë shqetësim dhe kush shton diturinë shton dhembjen.

Predikuesi 2:1-26
1. Unë thashë në zemrën time: "Eja tani, dua të të vë në provë me gëzimin, dhe ti do të gëzosh ëndjen". Por ja, edhe kjo është kotësi.
2. Për të qeshurit kam thënë: "Éshtë një marrëzi, dhe për gëzimin: "Kujt i shërben?".
3. Kërkova në zemrën time si ta kënaq trupin tim me verë, duke e nxitur njëkohësisht zemrën time drejt diturisë dhe t'i qepet marrëzisë, deri sa të shoh cila është e mira që bijtë e njerëzve do të duhej të bënin nën qiell tërë ditët e jetës së tyre.
4. Kështu kreva punime të mëdha për vete; ndërtova shtëpi, mbolla vreshta,
5. bëra kopshte dhe parqe, duke mbjellë drurë frutorë të çdo lloji;
6. ndërtova pellgje për ujin me të cilat të mund të vadis pyllin që të rriten drurët.
7. Bleva shërbëtorë dhe shërbëtore dhe u bëra me shërbëtorë që lindën në shtëpi; pata pasuri të mëdha në kope me bagëti të trashë dhe të imët më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem.
8. Grumbullova për vete edhe argjend, ar dhe pasuritë e mbretërve dhe të krahinave; gjeta këngëtarë dhe këngëtare, kënaqësitë e bijve të njerëzve, dhe vegla muzikore të çdo lloji.
9. Kështu u bëra i madh dhe u begatova më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem; edhe dituria më mbeti mua.
10. Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemrës sime asnjë qejf, sepse zemra ime kënaqej me çdo punë timen; dhe ky ka qenë shpërblimi për çdo punë të bërë nga unë.
11. Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t'i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell.
12. Atëherë u ktheva të rrah me mend diturinë, marrëzinë dhe budallallëkun. "Çfarë do të bëjë njeriu që do të zërë vendin e mbretit, në mos atë që është bërë?".
13. Pastaj kuptova që dituria ka një epërsi mbi budallallëkun, ashtu si drita ka një epërsi mbi errësirën.
14. I urti i ka sytë në kokë, kurse budallai ecën në errësirë; por kuptova gjithashtu që të dyve u është rezervuar i njëjti fat.
15. Kështu thashë në zemrën time: "Po ai fat që i takon budallait më takon edhe mua". Ç'përfitim ke se ke qenë më i urtë?". Prandaj thashë në zemrën time: "Edhe kjo është kotësi".
16. Nuk mbetet në fakt asnjë kujtim jetëgjatë si i njeriut të urtë ashtu edhe i njeriut budalla, sepse në ditët e ardhme gjithçka do të harrohet. Dhe ashtu si vdes budallai, në të njëjtën mënyrë vdes i urti.
17. Prandaj fillova të urrej jetën, sepse të gjitha ato që bëhen nën diell më janë bërë të neveritshme, sepse të gjitha janë kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.
18. Kështu kam urryer çdo mundim që kam kryer nën diell, sepse duhet t'i lë të gjitha atij që do të vijë pas meje.
19. Dhe kush e di në se do të jetë i urtë ose budalla? Sidoqoftë ai do të jetë zot i gjithë punës që kam kryer me mund dhe për të cilën kam përdorur diturinë nën diell. Edhe kjo është kotësi.
20. Kështu arrita të dëshpërohem në zemrën time për gjithë mundin që kam bërë nën diell.
21. Sepse këtu ka një njeri që ka punuar me dituri, me zgjuarësi dhe me sukses, por që duhet t'ia lërë trashëgiminë e tij një tjetri, që nuk është munduar fare! Edhe kjo është një kotësi dhe një e keqe e madhe.
22. Çfarë i mbetet në të vërtetë njeriut për tërë mundin e tij dhe për shqetësimin e zemrës së tij, me të cilën është munduar nën diell?
23. Tërë ditët e tij nuk janë veçse dhembje dhe puna e tij është e rëndë. Zemra e tij nuk pushon as natën. Edhe kjo është kotësi.
24. Për njeriun nuk ka gjë më të mirë se sa të hajë e të pijë dhe të gëzohet në mundin e tij; por kam vënë re se edhe kjo vjen nga dora e Perëndisë.
25. Kush mund të hajë ose të gëzohet më shumë se unë?
26. Sepse Perëndia i jep njeriut që i pëlqen dituri, njohje dhe gëzim; por mëkatarit i ngarkon detyrën të mbledhë dhe të grumbullojë, për t'ia lënë pastaj të gjitha atij që pëlqehet nga sytë e Perëndisë. Edhe kjo është kotësi dhe përpjekje për të kapur erën.

Psalmet 102:1-11
1. O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty.
2. Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.
3. Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri.
4. Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim.
5. Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia.
6. I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara.
7. Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati.
8. Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.
9. Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi.
10. Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg.
11. Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.

Fjalët e Urta 24:1-2
1. Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta,
2. sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen.

1 Korintianëve 7:20-40
20. Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur.
21. A je thirrur kur ishe skllav? Mos u pikëllo; por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë.
22. Sepse ai që është thirrur në Zotin kur ishte skllav, është i liruari i Zotit; po ashtu ai që është thirrur kur ishte i liruar, është skllav i Krishtit.
23. Ju jeni blerë me një çmim, mos u bëni skllevër të njerëzve.
24. Vëllezër, secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur.
25. Por për sa u takon virgjëreshave, s'kam urdhër nga Zoti, por po jap një mendim si njeri që kam fituar mëshirën e Zotit për të qenë i besueshëm.
26. Mendoj se është mirë për njeriun të jetë kështu siç është, për shkak të ngushticës së tanishme.
27. Je i lidhur me një grua? Mos kërko të zgjidhesh. Je i zgjidhur nga gruaja? Mos kërko grua.
28. Por, edhe në qoftë se martohesh, ti nuk mëkaton; edhe nëse një virgjëreshë martohet, nuk mëkaton; por këta do të kenë shtrëngim në mish; dhe unë dëshiroj t'ju kursej juve.
29. Dhe po ju them këtë, o vëllezër, se koha tanimë është shkurtuar; kështu tash e tutje edhe ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë;
30. dhe ata që qajnë, sikurse të mos qanin; dhe ata që gëzohen, sikurse të mos gëzoheshin; dhe ata që blejnë, sikur të mos kishin gjë në zotërim;
31. dhe ata që përdorin nga kjo botë, sikur të mos e përdornin, sepse forma e kësaj bote po kalon.
32. Dhe unë dëshiroj që ju të jeni pa merak. I pamartuari merakoset për gjërat e Zotit, si mund t'i pëlqejë Zotit;
33. por i martuari merakoset për gjërat e botës, si mund t'i pëlqejë gruas së tij.
34. Ka dallim gruaja nga virgjëresha; e pamartuara kujdeset për gjërat e Zotit që të jetë e shenjtë në trup e në frymë, kurse e martuara kujdeset për gjërat e botës, si mund t'i pëlqejë burrit.
35. Edhe këtë unë e them për dobinë tuaj, jo që t'ju vë një lak, po që të jeni të hijshëm dhe t'i kushtoheni Zotit pa u shkëputur.
36. Por nëqoftëse dikush mendon të sillet në mënyrë të pahijshme ndaj virgjëreshës së tij, kur asaj i kalon lulja e kohës, edhe duhet të bëhet kështu, le të bëjë çfarë të dojë; le të martohen.
37. Por ai që është i qëndrueshëm në zemër të vet dhe që nuk i nënshtrohet nevojës, por është zot i vullnetit të vet dhe e ka vendosur në zemër të vet të ruajë virgjëreshën e tij, bën mirë.
38. Prandaj ai që marton bën mirë, ai që nuk e marton bën edhe më mirë.
39. Gruaja është e lidhur për sa kohë rron burri i saj; por, në qoftë se i vdes burri, ajo është e lirë të martohet me cilin të dojë, veçse kjo punë të bëhet në Zotin.
40. Por, sipas gjykimit tim, ajo është më e lumtur, po mbeti ashtu; dhe mendoj se edhe unë kam Frymën e Perëndisë.