A A A A A

Bibla në një vit


Gusht 24


Punë 39:1-30
1. A e di ti kohën kur pjellin dhitë e malit apo ke vërejtur vallë pjelljen e drenushave?
2. A di ti të numërosh muajt kur merr fund barra e tyre, apo njeh ti kohën kur duhet të pjellin?
3. Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre.
4. Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre.
5. Kush lë të lirë gomarin e egër, kush e ka zgjidhur gomarin e egër,
6. të cilit i kam caktuar të rrijë në shkretëtirë dhe tokën e kripur si banesë?
7. Ai përçmon zhurmën e qytetit dhe nuk dëgjon britmat e asnjë zotërie.
8. Hapësirat e gjera të maleve janë kullota e tij, dhe ai shkon dhe kërkon çdo gjë që është e gjelbër.
9. Bualli vallë a pranon të të shërbejë ose të kalojë natën pranë grazhdit tënd?
10. A mund ta lidhësh vallë buallin me litar që të lërojë tokën në hulli, ose të lesojë luginat pas teje?
11. A do t'i kesh besim atij, sepse forca e tij është e madhe, ose do t'ia lësh atij punën tënde?
12. A do të mbështetesh tek ai për të çuar në shtëpi grurin dhe për ta mbledhur në lëmë?
13. Krahët e strucit rrahin tërë gaz, por ato nuk janë me siguri krahët dhe pendët e lejlekut.
14. Ai në fakt i braktis vezët e tij për tokë dhe i lë të ngrohen në pluhur.
15. duke harruar që një këmbë mund t'i shtypë ose një kafshë e fushave mund t'i shkelë.
16. I trajton ashpër të vegjlit e tij, sikur të mos ishin të vetët; por lodhja e tij pa asnjë interes është e kotë,
17. sepse Perëndia e ka lënë pa dituri dhe nuk i ka dhënë zgjuarsi.
18. Por kur ngrihet më këmbë për të ikur, tallet me kalin dhe me kalorësin e tij.
19. A je ti ai që i ke dhënë forcën kalit dhe ia ke veshur qafën me jele që valëviten?
20. A je ti ai që e bën të kërcejë si një karkalec? Hingëllima e tij krenare të kall tmerr.
21. Çukërmon në luginë duke u kënaqur nga forca e tij; sulet në mes të kacafytjes me armë.
22. Përbuz frikën dhe nuk trembet, as zmbrapset përpara shpatës.
23. Mbi të kërcet këllëfi i shigjetave, shtiza që vetëtin dhe ushta.
24. Me zjarr dhe vrull i zhduk distancat dhe nuk qëndron në vend kur bie buria.
25. Që në dëgjimin e parë të burisë, ai thotë: "Aha"!, dhe e nuhat nga larg betejën, zërin kumbues të kapitenëve dhe britmën e luftës.
26. Mos vallë për shkak të zgjuarsisë sate ngrihet e fluturon krahathati dhe i hap krahët e tij drejt jugut?
27. Éshtë vallë nën komandën tënde që shqiponja ngrihet lart dhe e bën folenë e saj në vende të larta?
28. Banon mbi shkëmbinj dhe qëndron mbi krepa të rrëpirta.
29. Nga lart ajo përgjon gjahun dhe sytë e saj vrojtojnë larg.
30. Të vegjlit e saj thithin gjak dhe, ku ka të vrarë, atje ndodhet ajo".

Punë 40:1-24
1. Zoti vazhdoi t'i përgjigjet Jobit dhe tha:
2. "Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë? Ai që qorton Perëndinë, t'i përgjigjet kësaj pyetjeje".
3. Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe i tha:
4. "Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time.
5. Kam folur një herë, por nuk do të flas më; po, dy herë, por nuk do të shtoj asgjë".
6. Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:
7. "Çohu, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.
8. A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten?
9. A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij?
10. Stolisu, pra, me madhështi dhe madhëri, vishu me lavdi dhe me shkëlqim.
11. Jepu rrugë tërbimeve të zemërimit tënd; shiko tërë mendjemëdhenjtë dhe uli,
12. shiko tërë kryelartët dhe poshtëroji, dhe shtypi njerëzit e këqij kudo që të ndodhen.
13. Varrosi të tërë në pluhur, mbylli në vende të fshehta.
14. Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore.
15. Shiko behemothin që e kam bërë njëlloj si ti; ai ha barin si kau.
16. Ja, forca e tij qëndron në ijet dhe fuqia e tij në muskujt e barkut të tij.
17. E lëkund bishtin e tij si një kedër; nervat e kofshëve të tij janë të thurura mirë.
18. Kockat e tij janë si tuba prej bronzi; kockat e tij janë si shufra hekuri.
19. Ai është e para nga veprat e Perëndisë; vetëm ai që e bëri mund t'i afrohet atij me shpatën e tij.
20. Ndonëse malet prodhojnë ushqim për të, dhe aty tërë kafshët e fushave dëfrehen,
21. ai shtrihet nën bimët e lotusit, në vende të fshehura në kallamishte dhe në moçale.
22. Bimët e lotusit e mbulojnë me hijen e tyre, shelgjet e përroit e rrethojnë.
23. Lumi mund të dalë nga shtrati i tij, por ai nuk ka frikë; është i sigurt nga vetja e tij, edhe sikur Jordani të sulej kundër gojës së tij.
24. Kush, pra, mund ta zërë nga sytë apo t'i shpojë flegrat e hundës me gremça?

Psalmet 101:1-4
1. Unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde; do të këndoj lavdet e tua, o Zot.
2. Do të kujdesem të bëj një jetë të ndershme. Kur do të vish tek unë? Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime.
3. Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe; unë e urrej sjelljen e atyre që dënojnë; nuk do lejoj të bëhem si ata.
4. Zemra e çoroditur do të largohet nga unë; nuk dua t'ia di për të keqen.

Fjalët e Urta 23:29-30
29. Për cilin janë "ah-ët", për cilin "obobo-të"? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur?
30. Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar.

1 Korintianëve 6:1-20
1. A guxon ndonjë nga ju, kur ka ndonjë çështje kundër një tjetri, të gjykohet përpara të padrejtëve dhe jo përpara shenjtorëve?
2. A nuk e dini ju se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe nëse bota do të gjykohet nga ju, a thua nuk jeni të zotët të gjykoni gjërat më të vogla?
3. A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj? Dhe aq më tepër mund të gjykojmë gjërat e kësaj jete!
4. Pra, në qoftë se keni për të gjykuar çështje të kësaj jete, vini gjykatës ata që çmohen më pak në kishë.
5. Këtë e them për turpin tuaj. Kështu midis jush nuk paska asnjë të urtë, i cili të jetë i zoti të gjykojë në mes të vëllezërve të tij?
6. Por një vëlla hyn në gjyq me të vë-llanë, dhe kjo përpara të pabesëve.
7. Gjithsesi është një e keqe që të keni gjyqe njëri me tjetrin. Pse nuk lejoni më mirë që t'ju bëhet padrejtësi? Pse nuk lejoni më mirë që të mashtroheni?
8. Po, përkundrazi, ju bëni padrejtësi dhe mashtroni, dhe këto ua bëni vëllezërve.
9. A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët,
10. as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
11. Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.
12. Çdo gjë më lejohet, por jo gjithçka është e dobishme; çdo gjë më lejohet, por unë nuk do të nënshtrohem asnjërës.
13. Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia do të shkatërrojë edhe këtë edhe atë; por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin.
14. Tani Perëndia siç e ringjalli Zotin kështu do të na ringjallë edhe ne me fuqinë e tij.
15. A nuk e dini ju se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr, pra, unë gjymtyrët e Krishtit dhe t'i bëj gjymtyrë të një kurve? mos qoftë ashtu!
16. A nuk e dini ju se ai që bashkohet me një kurvë bëhet një trup me të? Sepse thuhet: ''Do të jenë të dy, thotë Zoti, një mish i vetëm''.
17. Por ai që bashkohet me Zotin është një frymë me të.
18. Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet.
19. A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes?
20. Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.