A A A A A

Bibla në një vit


Gusht 21


Punë 33:1-33
1. "Tani pra, Job, dëgjo atë që kam për të thënë dhe vëru veshin gjithë fjalëve të mia!
2. Ja, unë po hap gojën dhe gjuha ime flet në gojën time.
3. Fjalët e mia burojnë nga një zemër e drejtë, buzët e mia do të thonë njohuri të pastra.
4. Fryma e Perëndisë më ka krijuar dhe fryma e të Plotfuqishmit më jep jetë.
5. Në rast se mundesh, m'u përgjigj; përgatitu gjithashtu të mbrosh pozitat e tua.
6. Ja, unë jam i barabartë me ty përpara Perëndisë; edhe unë jam formuar nga argjili.
7. Ja, asnjë frikë nga unë nuk duhet të të lemerisë, dhe dora ime nuk do të rëndojë mbi ty.
8. Por ti u ke thënë veshëve të mi dhe dëgjova tingullin e fjalëve të tua, që thonin:
9. "Una jam i pastër, pa mëkat; jam i pafajmë, nuk ka asnjë faj tek unë.
10. Por Perëndia gjen kundër meje shkaqe armiqësie dhe më konsideron armikun e tij;
11. i fut këmbët e mia në pranga dhe kqyr gjithë hapat e mia".
12. Mirë, pra, unë të them se këtu nuk ke të drejtë, sepse Perëndia është më i madh se njeriu.
13. Pse hahesh me të, kur ai nuk jep llogari për asnjë nga veprimet e tij?
14. Në fakt Perëndia flet në një mënyrë apo në një tjetër por njeriu nuk e vë re:
15. në një ëndërr, në një vegim të natës, kur një gjumë i rëndë i zë njerëzit, kur dremitin në shtretërit e tyre.
16. Atëherë ai hap veshët e njerëzve dhe vulos paralajmërimet që u bën,
17. për ta larguar njeriun nga veprimet e tij dhe për ta mbajtur larg nga kryelartësia,
18. për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për të penguar që jeta e tij të mbarojë nga shpata.
19. Njeriu paralajmërohet gjithashtu me dhembjen në shtratin e vet dhe me torturën e pandërprerë të kockave të tij,
20. aq sa i neveritet buka dhe madje edhe ushqimet më të shijshme.
21. Mishi konsumohet sa mbyll e hap sytë, ndërsa kockat e tij, që më parë nuk dukeshin, tani dalin jashtë;
22. kështu shpirti i tij i afrohet gropës dhe jeta e tij atyre që sjellin vdekjen.
23. Por në rast se pranë tij ka një engjëll, një interpret, një i vetëm ndër një mijë, që t'i tregojë njeriut detyrën e tij.
24. Perëndisë i vjen keq për të dhe thotë: "Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të".
25. Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.
26. Do t'i lutet fort Perëndisë, do të gjejë hir pranë tij dhe do të mund të sodisë fytyrën e tij me gëzim, sepse Perëndia do ta ketë rivendosur njeriun në drejtësinë e tij.
27. Duke iu drejtuar njerëzve, do të thotë: "Kam mëkatuar dhe kam shkelur drejtësinë, dhe nuk u ndëshkova siç e meritoja.
28. Perëndia i ka shpenguar shpirtin tim, që të mos zbriste në gropë dhe jeta ime mund të shohë dritën".
29. Ja, Perëndia e bën këtë dy herë, tri herë me njeriun,
30. për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për ta ndriçuar me dritën e jetës.
31. Ki kujdes, Jobi, dëgjomë; rri në heshtje, dhe unë do të flas.
32. Në qoftë se ke diçka për të thënë, përgjigjmu, folë, sepse do të dëshiroja të të jepja të drejtë.
33. Përndryshe dëgjomë; hesht dhe unë do të të mësoj diturinë".

Punë 34:1-37
1. Elihu nisi përsëri të flasë dhe tha:
2. "Dëgjoni, o njerëz të urtë, fjalët e mia, dhe ju, njerëz të ditur, ma vini veshin!
3. Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza i shijon ushqimet.
4. Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtë të pranojmë midis nesh atë që është e mirë.
5. Sepse Jobi ka thënë: "Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time.
6. A duhet të gënjej kundër drejtësisë sime? Plaga ime është e pashërueshme, megjithëse jam pa mëkat".
7. Kush është si Jobi, që e pi përqeshjen si ujin,
8. që ecën bashkë me keqbërësit dhe shkon bashkë me njerëzit e këqij?
9. Sepse ka thënë: "Nuk i vlen fare njeriut të vendosë kënaqësinë e tij te Perëndia".
10. Më dëgjoni, pra, o njerëz me mend! Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit!
11. Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij dhe secilin e bën të gjejë shpërblimin për sjelljen e tij.
12. Sigurisht Perëndia nuk kryen të keqen dhe i Plotfuqishmi nuk shtrembëron drejtësinë.
13. Kush i ka besuar kujdesin për tokën, ose kush e ka vendosur mbi tërë botën?
14. Në qoftë se Perëndia duhet të vendoste në zemër të vet të tërhiqte mbi vete Frymën e tij dhe frymën e tij,
15. çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht, dhe njeriu do të kthehej në pluhur.
16. Në qoftë se ke mend, dëgjoje këtë, vër veshin për të dëgjuar atë që po të them.
17. A mund të qeverisë ai që urren drejtësinë? A guxon ti të dënosh të Drejtin, të Fuqishmin?
18. Ai që i thotë një mbreti: "Je për t'u përbuzur" dhe princave: "Jeni të këqij".
19. Por ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij.
20. Në një çast ata vdesin; në mesin e natës njerëzia tronditet dhe zhduket, të fuqishmit çohen tutje pa dorë njeriu.
21. Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij.
22. Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij.
23. Në fakt Perëndia nuk ka nevojë ta kqyrë gjatë një njeri para se ta nxjerrë për gjykim para tij.
24. Ai i ligështon të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre.
25. Duke qenë se i njeh veprat e tyre, i rrëzon natën dhe ata shkatërrohen;
26. i godet si njerëz të këqij para syve të të gjithëve,
27. sepse janë larguar nga ai pa u kujdesur për rrugët e tij,
28. deri sa të arrijë tek ai britma e të varfrit, sepse ai dëgjon britmën e të pikëlluarve.
29. Kur Perëndia jep qetësinë, kush do ta dënojë? Kur fsheh fytyrën e tij, kush do të mund ta shikojë, qoftë kundër një kombi të tërë ose kundër një njeriu të vetëm,
30. për të penguar që i pabesi të mbretërojë dhe që populli të zihet ndër leqe?
31. Dikush mund t'i thotë Perëndisë: "Unë e mbart fajin tim, po nuk do ta bëj më të keqen;
32. tregomë atë që nuk arrij të shikoj; në rast se kam kryer ndonjë paudhësi, nuk do ta bëj më"?
33. A duhet të të shpërblejë ai në bazë të konditave të tua, sepse ti nuk pranon gjykimin e tij? Ti duhet të zgjedhësh dhe jo unë; prandaj thuaj atë që di.
34. Njerëzit me mend; si çdo njeri i urtë që më dëgjon, do të më thonë:
35. "Jobi flet pa mend, fjalët e tij nuk kanë dituri".
36. Le të provohet Jobi deri në fund, sepse përgjigjet e tij janë si ato të njerëzve të këqij,
37. sepse i shton mëkatit të tij revoltën, rreh duart mes nesh dhe i shumëzon fjalët e tij kundër Perëndisë".

Psalmet 98:4-9
4. Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.
5. Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës.
6. Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit.
7. Le të zhurmojë deti dhe gjithçka ndodhet në të, bota dhe banorët e saj.
8. Lumenjtë le të rrahin duart dhe malet le të ngazëllohen tok nga gëzimi përpara Zotit,
9. sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.

Fjalët e Urta 23:19-21
19. Dëgjo, biri im, ji i urtë, dhe drejtoje zemrën në rrugën e drejtë.
20. Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit;
21. sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka.

1 Korintianëve 3:1-23
1. Dhe unë, o vëllezër, nuk munda t'ju flas si njerëz frymëror, por ju fola si njerëz të mishit, si foshnja në Krisht.
2. Ju dhashë qumësht për të pirë dhe nuk ju dhashë ushqim të fortë, sepse nuk ishit në gjendje ta asimilonit, madje edhe tani jo, sepse jeni akoma të mishit;
3. në fakt sepse midis jush ka smirë, grindje e përçarje a nuk jeni të mishit dhe a nuk ecni sipas mënyrës së njerëzve?
4. Sepse, kur dikush thotë: ''Unë jam i Palit'', dhe një tjetër: ''Unë jam i Apolit'', a nuk jeni ju të mishit?
5. Kush është, pra, Pali dhe kush është Apoli, veçse shërbëtor me anë të të cilëve ju besuat, edhe ashtu si Zoti i dha gjithsecilit?
6. Unë mbolla, Apoli ujiti, po Perëndia i bëri të rriten.
7. Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit.
8. Por ai që mbjell dhe ai që ujit janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit të tij.
9. Ne, pra, jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.
10. Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të; por secili të ketë kujdes se si ndërton mbi të,
11. sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti.
12. Dhe, në qoftë se dikush ndërton mbi këtë themel ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë,
13. vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç'lloji është.
14. Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim,
15. në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit.
16. A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?
17. Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë.
18. Askush të mos mashtrojë vetveten; në qoftë se ndonjë nga ju mendon se është i urtë në këtë kohë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë.
19. Sepse dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë, sepse është shkruar: ''Ai i zë të urtët në dinakërinë e tyre'';
20. dhe përsëri: ''Zoti i njeh mendimet e të urtëve se janë të kota''.
21. Prandaj asnjë të mos mburret në njerëzit, sepse të gjitha gjërat janë tuajat;
22. Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, gjërat e tanishme dhe gjërat e ardhshme, të gjitha gjërat janë tuajat.
23. Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.