A A A A A

Bibla në një vit


Gusht 18


Punë 27:1-23
1. Jobi e mori fjalën përsëri dhe tha:
2. "Ashtu si rron Perëndia që më ka hequr të drejtën time dhe i Plotfuqishmi që më ka hidhëruar shpirtin,
3. deri sa të ketë një frymë jete tek unë dhe të jetë fryma e Perëndisë në flegrat e hundës sime,
4. buzët e mia nuk do të thonë asnjë ligësi, as gjuha ime nuk ka për të shqiptuar asnjë gjë të rreme.
5. Nuk do të pranoj që ju keni të drejtë; deri në regëtimat e fundit nuk do të heq dorë nga ndershmëria ime.
6. Do të qëndroj i patundur në drejtësinë time, pa bërë lëshime; zemra nuk më qorton asnjë nga ditët e mia.
7. Armiku im qoftë si njeriu i keq, dhe ai që ngrihet kundër meje ashtu si njeriu i padrejtë.
8. Çfarë shprese mund të ketë në fakt i pabesi, edhe sikur të arrijë të sigurojë fitime, kur Perëndia i heq jetën?
9. A do ta dëgjojë Perëndia britmën e tij, kur mbi të do të bjerë fatkeqësia?
10. A do t'i vërë kënaqësitë e tij vallë tek i Plotfuqishmi dhe do të kërkojë ndihmën e Perëndisë në çdo kohë?
11. Do t'ju jap mësime mbi fuqinë e Perëndisë, nuk do t'ju fsheh qëllimet e të Plotfuqishmit.
12. Por ju të gjithë i keni vënë re këto gjëra, pse, pra, silleni në mënyrë kaq të kotë?
13. Ky është fati që Perëndia i rezervon njeriut të keq, trashëgimia që njerëzit që përdorin dhunën marrin nga i Plotfuqishmi.
14. Në rast se ka një numër të madh bijsh, këta i destinohen shpatës, dhe trashëgimtarët e tij nuk do të kenë bukë për t'u ngopur.
15. Ata që do të mbijetojnë pas tij do të varrosen nga vdekja dhe të vejat e tyre nuk do të qajnë.
16. Në rast se grumbullon argjend si pluhur dhe mbledh rrobe si baltë,
17. ai i grumbullon, por do t'i veshë i drejti, dhe argjendin do ta ndajë i pafajmi.
18. Ai ndërton shtëpinë e tij si një mole, si një kasolle që e ka bërë një rojtar.
19. I pasuri bie në shtrat, por nuk do të bashkohet me njerëzit e tij; hap sytë dhe nuk është më.
20. Tmerri e kap në befasi si ujërat; në mes të natës një furtunë e rrëmben tinëzisht.
21. Era e lindjes e merr me vete dhe ai ikën, e fshin nga vendi i tij si një vorbull.
22. Ajo sulet kundër tij pa mëshirë, ndërsa ai kërkon në mënyrë të dëshpëruar të shpëtojë nga ajo dorë,
23. njerëzia duartroket në mënyrë tallëse për të dhe fërshëllen kundër tij nga vendi ku ndodhet".

Punë 28:1-28
1. "Me siguri ka një minierë për argjendin dhe një vend ku bëhet rafinimi i arit.
2. Hekuri nxirret nga toka dhe guri i shkrirë jep bakrin.
3. Njeriu i jep fund territ dhe hulumton thellësitë më të mëdha në kërkim të gurëve të varrosur në terr dhe në hijen e vdekjes.
4. Ai çel një pus larg vendbanimit, në vende të harruara nga këmbësorët; janë pezull dhe lëkunden larg njerëzve.
5. Sa për tokën, prej asaj del buka, por nga poshtë është e trazuar nga zjarri.
6. Gurët e saj janë banesa e safirëve dhe përmbajnë pluhur ari.
7. Shpendi grabitqar nuk e njeh shtegun dhe as syri i skifterit nuk e ka parë kurrë.
8. Bishat e egra nuk e kanë përshkruar dhe as luani nuk ka kaluar kurrë andej.
9. Njeriu vë dorë mbi strallin dhe i rrëzon malet nga rrënjët.
10. Hap galeri ndër shkëmbinj dhe syri i tij sheh gjithçka që është e çmuar.
11. Zë rrjedhat ujore që të mos rrjedhin, dhe nxjerr në dritë gjërat e fshehura.
12. Po ku mund ta gjesh diturinë, dhe ku është vendi i zgjuarsisë?
13. Njeriu nuk ua di vlerën dhe ajo nuk gjendet mbi tokën e të gjallëve.
14. Humnera thotë: "Nuk është tek unë"; deti thotë: "Nuk qëndron pranë meje".
15. Nuk përftohet duke e shkëmbyer me ar të rafinuar as blihet duke peshuar argjend.
16. Nuk shtihet në dorë me arin e Ofirit, me oniksin e çmuar ose me safirin.
17. Ari dhe kristali nuk mund të barazohen me të dhe nuk këmbehet me enë ari të kulluar.
18. Korali dhe kristali as që meritojnë të përmenden; vlera e diturisë është më e madhe se margaritarët.
19. Topazi i Etiopisë nuk mund të barazohet dhe nuk mund të vlerësohet me ar të kulluar.
20. Por atëherë nga rrjedh dituria dhe ku e ka selinë zgjuarsia?
21. Ajo u fshihet syve të çdo të gjalli, është e mbuluar për zogjtë e qiellit.
22. Abadoni dhe vdekja thonë: "Kemi dëgjuar të flitet për të me veshët tona".
23. Vetëm Perëndia njeh rrugën e saj, vetëm ai e di ku ndodhet,
24. sepse ai vë re skajet e tokës dhe sheh tërë ato që ndodhen nën qiejt.
25. Kur caktoi peshën e erës dhe u caktoi ujërave një masë,
26. kur bëri një ligj për shiun dhe një rrugë për vetëtimën e bubullimave,
27. atëherë pa dhe e tregoi, e vendosi dhe madje e hetoi,
28. dhe i tha njeriut: "Ja, të kesh frikë nga Zoti, kjo është dituri, dhe t'i largohesh së keqes është zgjuarsi"".

Psalmet 97:1-6
1. Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.
2. Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.
3. Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark.
4. Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet.
5. Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.
6. Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.

Fjalët e Urta 23:13-14
13. Mos ia kurse korrigjimin fëmijës; edhe sikur ta rrahësh me thupër, ai nuk do të vdesë;
14. do ta rrahësh me thupër, por do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli.

Romakëve 16:1-27
1. Dhe unë po jua rekomandoj Febën, motrën tonë, që është dhjake e kishës që ndodhet në Kenkrea,
2. që ta pranoni në Zotin, sikurse u ka hije shenjtorëve, dhe ta ndihmoni në çdo gjë që të ketë nevojë nga ju, sepse edhe ajo ka ndihmuar shumë veta, edhe mua vetë.
3. U bëni të fala Prishilës dhe Akuilës, bashkëpunëtorë të mi në Krishtin Jezus,
4. të cilët për jetën time vunë kokën në rrezik; ata i falendëroj jo vetëm unë, por të gjitha kishat e johebrenjve.
5. I bëni të fala edhe kishës që është në shtëpinë e tyre, të fala edhe Epenetit tim të dashur, i cili është fryti i parë i Akaisë në Krishtin.
6. Të fala Marisë, e cila u mundua shumë për ne.
7. Të fala Andronikut dhe Juniës, kushërinj të mi dhe shokë burgu, të cilët janë dalluar midis apostujve dhe kanë qenë në Krishtin përpara meje.
8. Të fala Ampliut, të dashurit tim në Zotin.
9. Të fala Urbanit, bashkëpunëtorit tonë në Krishtin dhe Stakit tim të dashur.
10. Të fala Apelit, të provuarit në Krishtin. Të fala atyre të shtëpisë së Aristobulit.
11. Të fala Herodionit, kushëririt tim. Të fala atyre të shtëpisë së Narkisit që janë në Zotin.
12. U bëni të fala Trifenës dhe Trifozës, të cilat mundohen në Zotin. Të fala Persidës së dashur, e cila është munduar shumë në Zotin.
13. Të fala Rufit, të zgjedhurit në Zotin, dhe nënës së tij që është edhe imja.
14. Të fala Asinkritit, Flegontit, Ermës, Patrobës, Ermit dhe vëllezërve që janë me ta.
15. Të fala Filologut, Julisë, Nereut dhe motrës së tij Olimpës, dhe gjithë shenjtorëve që janë me ta.
16. Përshëndetni njeri tjetrin me një të puthur të shenjtë; kishat e Krishtit ju përshëndesin.
17. Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar dhe të largoheni nga ata;
18. sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të tyre, dhe me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të thjeshtit?.
19. Sepse të bindurit tuaj arriti kudo; prandaj unë gëzohem për ju; dhe dëshiroj që të jeni të mëncur për të mirën dhe të thjesht për të keqen.
20. Tani Perëndia e paqes do ta dërmojë së shpejti Satananë nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju.
21. Timoteu, bashkëpunëtori im, Luci, Jasoni dhe Sosipatri, kushërinj të mi, ju përshendesin.
22. Unë, Terci, që shkrova këtë letër ju përshëndes në Zotin.
23. Gai, mikpritësi im dhe i mbarë kishës, ju bën të fala. Erasti, arkëtari i qytetit, dhe vëllai Kuarti, ju dërgojnë të fala.
24. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.
25. Dhe atij që mund t'ju forcojë juve sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së misterit, të mbajtur fshehur prej kohësh të pasosur,
26. por tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshme dhe u njoh ndër të gjitha kombet, për t'i sjellë në dëgjesën e besimit,
27. Perëndisë, të vetmin të ditshëm, i qoftë lavdi në përjetësi me anë të Jezu Krishtit. Amen.