A A A A A

Bibla në një vit


Gusht 14


Punë 19:1-29
1. Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
2. "Deri kur do të hidhëroni shpirtin tim dhe do të më mundoni me ligjëratat tuaja?
3. U bënë dhjetë herë që më përqeshni dhe nuk keni turp që më fyeni.
4. Edhe sikur të ishte e vërtetë që kam gabuar, gabimi im më përket vetëm mua.
5. Por në rast se doni pikërisht të bëheni kryelartë me mua duke më qortuar për objektin e turpit tim,
6. mësoni atëherë që Perëndia më ka trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe më ka zënë në rrjetat e tij.
7. Ja, unë bërtas: "Dhunë!", por nuk kam asnjë përgjigje; bërtas për ndihmë, por drejtësi nuk ka!
8. Më ka prerë rrugën dhe kështu nuk mund të kaloj; përhapi terrin në rrugën time.
9. Më ka zhveshur nga nderi im dhe më ka hequr nga koka kurorën.
10. Më ka shkatërruar nga të gjitha anët dhe unë po shkoj; e ka shkulur si një dru shpresën time.
11. Zemërimi i tij kundër meje është, ndezur dhe më konsideron si armik të tij.
12. Ushtarët e tij kanë ardhur të gjithë së bashku dhe kanë ndërtuar rrugën e tyre kundër meje; kanë ngritur kampin e tyre rreth çadrës sime.
13. Ai ka larguar nga unë vëllezërit e mi, dhe të njohurit e mi janë bërë plotësisht të huaj me mua.
14. Farefisi im më ka braktisur dhe miqtë e mi të ngushtë më kanë harruar.
15. Shërbëtorët dhe shërbëtoret e mi më trajtojnë si një njeri të huaj, në sytë e tyre jam një i huaj.
16. Thërras shërbëtorin tim, por ai nuk përgjigjet; duhet t'i lutem me gojën time.
17. Fryma ime është e neveritshme për gruan time, dhe jam i neveritshëm edhe për fëmijët e barkut tim.
18. Edhe fëmijët më përçmojnë; në rast se provoj të ngrihem, flasin kundër meje.
19. Tërë miqtë më të ngushtë kanë lemeri prej meje, edhe ata që doja janë ngritur kundër meje.
20. Kockat e mia i ngjiten lëkurës sime dhe mishit tim dhe nuk më ka mbetur veç se lëkura e dhëmbëve.
21. Mëshiromëni, mëshiromëni, të paktën ju, miqtë e mi, sepse dora e Perëndisë më ka goditur.
22. Pse më persekutoni si bën Perëndia dhe nuk ngopeni kurrë me mishin tim?
23. Ah sikur fjalët e mia të ishin të shkruara; ah sikur të kishin zënë vend në një libër;
24. sikur të ishin të gdhendura përjetë mbi një shkëmb me një stil prej hekuri dhe me plumb!
25. Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë.
26. Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë.
27. Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra.
28. Në rast se thoni: "Pse e persekutojmë?"; kur rrënja e këtyre të këqijave ndodhet tek unë,
29. ju druani për veten tuaj shpatën, sepse zemërimi sjell ndëshkimin e shpatës, me qëllim që të dini që ekziston një gjykim".

Punë 20:1-29
1. Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:
2. "Për këtë mendimet e mia më shtyjnë të përgjigjem, për shkak të shqetësimit që ndjej brenda vetes sime.
3. Kam dëgjuar një qortim që më turpëron, por fryma ime më shtyn të përgjigjem ashtu si e gjykoj.
4. A nuk e di ti që gjithnjë, qysh prej kohës që njeriu u vu mbi tokë,
5. triumfi i të këqijve zgjat pak dhe gëzimi i të pabesëve zgjat vetëm një çast?
6. Edhe sikur madhështia e tij të arrinte deri në qiell dhe koka e tij të prekte retë,
7. ai do të vdesë për gjithmonë si jashtëqitjet e tij; ata që e kanë parë do të thonë: "Ku është?".
8. Do të fluturojë si një ëndërr dhe nuk do të gjendet më; do të zhduket si një vegim nate.
9. Syri që e shihte, nuk do ta dallojë më; edhe banesa e tij nuk do ta shohë më.
10. Bijtë e tij do të kërkojnë të fitojnë favorin e të varfërve dhe duart e tij do të rivendosin pasurinë e tij.
11. Forca rinore që i mbushte kockat do të dergjet në pluhur bashkë me të.
12. Edhe sikur e keqja të jetë e ëmbël në gojën e tij, ai e fsheh atë nën gjuhë,
13. nuk lejon që të dalë që andej por vazhdon ta mbajë në gojë.
14. Por ushqimi i tij, që është në zorrët e veta transformohet dhe bëhet një helm gjarpëri brenda tij.
15. Ai do të vjellë pasuritë që ka gëlltitur; vetë Perëndia do t'ia nxjerrë nga barku.
16. Ai ka thithur helm gjarpëri, gjuha e një nepërke do ta vrasë.
17. Nuk ka për të parë më lumenj as përrenj që rrjedhin me mjaltë dhe gjalpë.
18. Do të kthejë atë për të cilën është lodhur pa e vënë aspak në gojë; nuk do të ketë asnjë gëzim nga përfitimet e tregtisë së tij.
19. Sepse ka shtypur dhe braktisur të varfrin, ka shtënë në dorë me forcë një shtëpi që nuk e kishte ndërtuar.
20. Duke qenë se lakmia e tij nuk ka njohur kurrë qetësi, ai nuk do të shpëtojë asgjë nga gjërat që dëshironte aq shumë.
21. Asgjë nuk do t'i shpëtojë pangopësisë së tij, prandaj mirëqënia e tij nuk do të zgjasë.
22. Kur të jetë në kulmin e bollëkut do të gjendet ngushtë; dora e të gjithë atyre që vuajnë do të ngrihet kundër tij.
23. Kur të jetë bërë gati për të mbushur barkun, Perëndia do të dërgojë mbi të zjarrin e zemërimit të tij, që do të bjerë mbi të kur të jetë duke ngrënë.
24. Ai mund të shpëtojë nga një armë prej hekuri, por atë do ta shpojë një hark prej bronzi.
25. Nxirret shigjeta që del nga trupi i tij, maja e shndritshme del nga vreri i tij, atë e pushton tmerri.
26. Errësirë e plotë është caktuar për thesaret e tij; do ta konsumojë një zjarr jo i nxitur; ata që kanë mbetur në çadrën e tij do të jenë në ankth.
27. Qielli do të zbulojë paudhësinë e tij dhe toka do të ngrihet kundër tij.
28. Të ardhurat e shtëpisë së tij do t'i merren, do t'i marrin në ditën e zemërimit të tij.
29. Ky është fati që Perëndia i cakton njeriut të keq, trashëgimi që i është dhënë nga Perëndia.

Psalmet 95:6-11
6. Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.
7. Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij,
8. "mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë,
9. ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia.
10. Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia.
11. Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time".

Fjalët e Urta 23:4-5
4. Mos u lodh për t'u pasuruar, hiq dorë nga qëllimi yt.
5. A do t'i fiksosh sytë e tu mbi atë që po zhduket? Sepse pasuria me siguri do të vërë fletë si një shqiponjë që fluturon drejt qiellit.

Romakëve 13:1-14
1. Çdo njeri le t'i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.
2. Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhërit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin.
3. Sepse eprorët s'ke pse t'i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai,
4. sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen.
5. Prandaj është e nevojshme t'i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes.
6. Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi.
7. I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtje atij që është për t'u druajtur, nderimin atij që është për nderim.
8. Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç se ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin.
9. Sepse urdhërimet: ''Mos shkel kurorë, mos vraj, mos vidh, mos thua dëshmi të rreme, mos lakmo'', dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: ''Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!''.
10. Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit.
11. Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam.
12. Nata u thye dhe dita u afrua; le të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës.
13. Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë.
14. Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t'ia kënaqni lakmitë.