A A A A A

Bibla në një vit


Korrik 7


2 Kronikave 9:1-30
1. Kur mbretëresha e Shebës dëgjoi të flitet për famën e Salomonit, ajo vajti në Jeruzalem për ta vënë në provë Salomonin me pyetje të vështira, e shoqëruar nga shumë njerëz, me deve të ngarkuara me
2. Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj, dhe nuk pati asnjë gjë të fshehur për Salomonin që ai nuk dinte ta shpjegonte.
3. Kur mbretëresha e Shebës pa diturinë e Salomonit dhe shtëpinë që kishte ndërtuar,
4. gjellërat e tryezës së tij, banesat e shërbëtorëve të tij, shërbimin e kamerierëve të tij dhe rrobat e tyre, kupëmbajtësit e tij dhe rrobat e tyre, si dhe olokaustet që ai ofronte në shtëpinë e Zotit, ajo mbeti e mahnitur.
5. Pastaj i tha mbretit: "Ishte, pra, e vërtetë ajo që kisha dëgjuar në vendin tim përsa u përket fjalëve të tua dhe diturisë sate.
6. Por nuk u besova këtyre gjërave deri sa erdha vetë dhe i pashë me sytë e mi; e mirë, pra, nuk më kishin thënë as gjysmën e vëllimit të diturisë sate. Ti e kalon famën që kisha dëgjuar të flitet.
7. Lum njerëzit e tu, lum këta shërbëtorë të tu që rrinë gjithnjë para teje dhe dëgjojnë diturinë tënde!
8. Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia yt, që të deshi, dhe të vuri mbi fronin e tij si mbret për Zotin, Perëndinë tënd! Duke qenë se Perëndia yt e do Izraelin dhe do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë, të ka vendosur si mbret mbi të që të ushtrosh gjykime dhe drejtësi".
9. Pastaj ajo i fali mbretit njëqind e njëzet talenta ari dhe një sasi të madhe aromash dhe gurësh të çmuar. Nuk pati kurrë më aroma si ato që mbretëresha e Shebës i dha mbretit Salomon.
10. Shërbëtorët e Hiramit dhe shërbëtorët e Salomonit që mbartnin ar nga Ofiri, suallën edhe dru santali dhe gurë të çmuar;
11. me drurin e santalit mbreti bëri shkallë për shtëpinë e Zotit dhe për pallatin mbretëror të tij; ai bëri gjithashtu qeste dhe harpa për këngëtarët. Asnjë vegël si këto nuk ishte parë më përpara në vendin e Judës.
12. Mbreti Salomon i dha mbretëreshës së Shebas të gjithë gjërat e dëshiruara që ajo kërkoi, shumë më tepër nga ato që ajo i kishte sjellë mbretit. Pastaj ajo u kthye, duke shkuar me shërbëtorët e saj në vendin e vet.
13. Pesha e arit që Salomoni merrte çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari,
14. përveç atij që merrte nga tregtarët; edhe tërë mbretërit e Arabisë dhe qeveritarët e vendit i sillnin Salomonit ar dhe argjend.
15. Mbreti Salomon urdhëroi të bëhen dyqind mburoja të mëdha prej ari të rrahur, duke përdorur për secilën prej tyre gjashtëqind sikla ari të rrahur,
16. dhe treqind mburoja prej ari të rrahur, për secilën prej tyre përdori treqind sikla ari; pastaj mbreti i vendosi në pallatin e pyllit të Libanit.
17. Mbreti bëri gjithashtu një fron të madh prej fildishi, që e veshi me ar të kulluar.
18. Froni kishte shtatë shkallëza dhe një stol prej ari, që ishin të lidhura me fronin; kishte krahë në anët e fronit dhe dy luanë rrinin pranë krahëve.
19. Dymbëdhjetë luanë rrinin në të dy anët e skajeve të gjashtë shkallëzave. Asgjë e tillë nuk ishte bërë në një mbretëri tjetër.
20. Të gjitha kupat për pijet e mbretit Salomon ishin prej ari, madje edhe ato të pallatit të pyllit të Libanit ishin prej ari të kulluar. Në kohën e Salomonit argjendi në të vërtetë nuk kishte asnjë vlerë.
21. Sepse anijet e mbretit shkonin në Tarshish me shërbëtorët e Hiramit; dhe një herë çdo tre vjet vinin anijet e Tarshishit, duke sjellë ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj.
22. Kështu mbreti Salomon ua kaloi për pasuri dhe dituri tërë mbretërve të dheut.
23. Tërë mbretërit e dheut kërkonin praninë e Salomonit për të dëgjuar diturinë që Perëndia i kishte vënë në zemër.
24. Secili prej tyre i çonte dhuratën e vet: sende argjendi, sende ari, rroba, armë, aroma, kuaj dhe mushka, një sasi të caktuar çdo vit.
25. Salomoni kishte katër mijë stalla për kuajt dhe për qerret dhe dymbëdhjetë mijë kalorës, që i shpërndau në qytetet për qerret dhe në Jeruzalem pranë tij.
26. Kështu ai sundoi mbi tërë mbretërit nga Lumi deri në vendin e Filistejve dhe në kufi me Egjiptin.
27. Mbreti veproi në mënyrë të tillë që në Jeruzalem argjendi të ishte i rëndomtë si gurët dhe kedrat të bollshëm si fiku i Egjiptit në fusha.
28. Salomonit i sillnin kuaj nga Egjipti dhe nga të gjitha vendet.
29. Pjesa tjetër e bëmave të Salomonit, nga të parat deri në të fundit, a nuk janë vallë të shkruara në librin e Nathanit, profetit, në profecinë e Ahijahut nga Shilohu dhe në vegimet e Idos, shikuesit, mbi Jeroboamin, birin e Nebatit?
30. Salomoni mbretëroi në Jeruzalem mbi tërë Izraelin dyzet vjet.

2 Kronikave 10:1-19
1. Roboami shkoi në Sikem, sepse tërë Izraeli kishte ardhur në Sikem për ta bërë mbret.
2. Kur Jeroboami, bir i Nebatit, e mësoi këtë (ai ishte akoma në Egjipt ku kishte ikur larg pranisë së mbretit Salomon), Jeroboami u kthye nga Egjipti.
3. Prandaj dërguan ta thërrasin. Kështu Jeroboami dhe tërë Izraeli erdhën t'i flasin Roboamit dhe i thanë:
4. "Ati yt e ka bërë zgjedhën tonë të rëndë; tani ti lehtësoje robërinë e fortë të atit tënd dhe zgjedhën e rëndë që ai na ka imponuar, dhe ne do të të shërbejmë".
5. Ai u përgjigj kështu: "Kthehuni tek unë pas tri ditësh". Pastaj populli iku.
6. Atëherë mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Salomonit, kur ishte i gjallë, dhe i tha: "Çfarë më këshilloni t'i them këtij populli?".
7. Ata i folën duke thënë: "Në rast se tregohesh dashamirës me këtë popull dhe e kënaq, duke u dhënë atyre një përgjigje të favorshme, ata do të jenë shërbëtorë të tu përgjithmon".
8. Por Roboami hodhi poshtë këshillën e dhënë nga pleqtë dhe u konsultua me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin në shërbim të tij,
9. dhe u tha atyre: "Çfarë më këshilloni t'i përgjigjem këtij populli që më foli duke thënë: "Lehtësoje zgjedhën e vënë nga ati yt?"".
10. Atëherë të rinjtë që ishin rritur me të i folën, duke thënë: "Kështu do t'i përgjigjesh këtij populli që të është drejtuar ty duke thënë: "Ati yt e ka bërë të rëndë zgjedhën tonë; tani lehtësoje atë". Kështu do t'u thuash atyre: "Gishti im i vogël është më i trashë se sa ijet e atit tim;
11. prandaj në qoftë se ati im ju ka vënë një zgjedhë të rëndë, unë do ta bëj atë edhe më të rëndë; në qoftë se ati im ju ka ndëshkuar me fshikull, unë do t'ju dënoj me kamxhik"".
12. Pas tri ditëve, Jeroboami dhe tërë populli erdhën te Roboami, ashtu si kishte urdhëruar mbreti, duke thënë: "Kthehuni tek unë pas tri ditësh".
13. Mbreti iu përgjigj atyre rëndë: kështu mbreti Roboam, duke hedhur poshtë këshillën e dhënë nga pleqtë,
14. u foli atyre sipas këshillës së dhënë nga të rinjtë, duke thënë: "Ati im e ka bërë të rëndë zgjedhën tuaj, por unë do ta bëj edhe më të rëndë; ati im ju ka ndëshkuar me fshikull, unë do t'ju dënoj me kamxhik".
15. Kështu mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse zhvillimi i ngjarjeve varej nga Perëndia, me qëllim që Zoti ta çonte në vend fjalën e tij, që ia kishte drejtuar Jeroboamit, birit të Nebatit, me anë të Ahijahut nga Shilohu.
16. Kur tërë Izraeli pa që mbreti nuk e dëgjonte, iu përgjigj mbretit duke thënë: "Çfarë pjese kemi ne nga Davidi? Nuk kemi asnjë trashëgimi nga biri i Isait! Secili në çadrën e vet, o Izrael! Tani kujdesohu për shtëpinë tënde, o David!". Kështu tërë Izraeli shkoi në çadrat e veta.
17. Por mbi bijtë e Izraelit që banonin në qytetin e Judës mbretëroi Roboami.
18. Mbreti Roboam dërgoi Hadoramin, të ngarkuarin me haraçet, por bijtë e Izraelit e vranë me gurë dhe ai vdiq. Atëherë mbreti Roboam u shpejtua të hipë mbi një qerre për të ikur me vrap në Jeruzalem.
19. Kështu Izraeli ka qenë rebel ndaj shtëpisë së Davidit deri ditën e sotme.

Psalmet 80:7-13
7. O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.
8. Ti çove jashtë Egjiptit një hardhi; i dëbove kombet dhe e mbolle.
9. Ti e pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe e mbushi dheun.
10. Malet u mbuluan nga hija e saj dhe kedrat e Perëndisë me degët e saj.
11. I zgjati degët e saj deri në det dhe llastarët deri te lumi.
12. Pse i prishe gjerdhet e saj dhe kështu tërë kalimtarët kanë mundësi të korrin frytet e saj?
13. Derri i egër i pyllit e shkreton dhe egërsirat e fushës kullotin aty.

Fjalët e Urta 20:16-18
16. Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj, dhe mbaje si peng për gruan e huaj.
17. Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje.
18. Planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla; prandaj bëje luftën me këshilla të urta.

Aktet 14:1-28
1. Ndodhi që edhe në Antioki ata hynë në sinagogën Ejudenjve dhe folën në mënyrë të tillë, sa një turmë e madhe Judenjsh dhe Grekësh besuan,
2. Porjudenjtë që nuk besuan i nxitën dhe i acaruan shpirtrat e johebrenjve kundër vëllezërve.
3. Ata, pra, qëndruan shumë kohë atje, duke folur lirisht në Zotin, i cili jepte dëshmi fjalës së hirit të tij, duke lejuar që me anë të duarve të tyre të bëheshin shenja dhe mrekulli.
4. Por popullsia e qytetit u nda: disa mbanin anën e Judenjve dhe të tjerë atë të apostujve.
5. Por kur u bë një orvatje nga ana e johebrenjve dhe e Judenjve me krerët e tyre për t'i keqtrajtuar apostujt dhe për t'i vrarë me gurë,
6. ata e morën vesh dhe ikën në qytetet e Likaonisë: në Listra, në Derbë dhe në krahinën përreth,
7. dhe atje vazhduan të ungjillëzonin.
8. Dhe në Listra ishte një njeri me këmbë të paralizuara, që rrinte gjithnjë ndenjur dhe nuk kishte ecur kurrë, sepse ishte sakat që nga barku i së ëmës.
9. Ky e dëgjoi duke folur Palin, i cili nguli sytë mbi të dhe pa se ai kishte besim për t'u shëruar,
10. dhe tha me zë të lartë: ''Çohu në këmbë!''. Dhe ai hovi lart dhe nisi të ecë.
11. Turma, kur pa ç'kishte bërë Pali, e ngriti zërin duke thënë në gjuhën likaonike: ''Perënditë zbritën ndër ne, në trajtë njeriu''.
12. Dhe e quanin Barnabën Jupiter, Palin Mërkur, sepse ai fliste më shumë.
13. Atëherë prifti i Jupiterit, që e kishte tempullin në hyrje të qytetit të tyre, solli dema me kurora pranë portave dhe donte të ofronte një flijim bashkë me turmën.
14. Por apostujt Barnaba dhe Pal, kur dëgjuan këtë, i grisën rrobat e tyre dhe u turrën në mes të turmës, duke thirrur e duke thënë:
15. ''O burra, pse bëni këto gjëra? Edhe ne jemi njerëz me të njëjtën natyrë si ju, dhe po ju shpallim lajmin e mirë, që ju nga këto gjëra të kota të ktheheni te Perëndia e gjallë që ka bërë qiellin, dheun, detin dhe të gjitha gjërat që janë në ta.
16. Në brezat që shkuan ai la që të gjitha kombet të ndjekin rrugët e tyre;
17. por nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim''.
18. Duke thënë këto gjëra, mundën t'i ndalin me vështirësi turmat që të mos u bëjnë flijim.
19. Por në atë kohë erdhën disa Judenj nga Antiokia dhe nga Ikoni; ata, mbasi ia mbushën mendjen turmës, e gjuajtën me gurë Palin dhe, duke menduar se kishte vdekur, e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit.
20. Por, kur dishepujt u mblodhën rreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet; dhe të nesërmen u nis me Barnabën për në Derbë.
21. Dhe, mbasi ungjillëzuan atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listra, në Ikon dhe në Antioki,
22. duke fuqizuar shpirtërat e dishepujve dhe duke i këshilluar që të ngulmojnë në besim, dhe duke thënë se me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.
23. Dhe mbasi caktuan për ta pleqtë në çdo kishë, u lutën dhe agjëruan, i lanë në dorën e Zotit, në të cilin kishin besuar.
24. Dhe, mbasi e përshkuan Pisidinë, ardhën në Panfili.
25. Dhe, mbasi e shpallën fjalën në Pergë, zbritën në Atali.
26. Pastaj që andej lundruan për në Antioki, prej nga ishin rekomanduar në hir të Perëndisë për veprën që posa kishin kryer.
27. Si arritën atje, mblodhën kishën dhe treguan ç'gjëra të mëdha kishte kryer Perëndia me anë të tyre dhe si u kishte hapur johebrenjve derën e besimit.
28. Dhe qëndruan atje me dishepujt mjaft kohë.