A A A A A

Bibla në një vit


Korrik 26


Nehemia 3:1-31
1. Eliashibi, kryeprifti, u ngrit atëherë bashkë me vëllezërit e tij priftërinj dhe ndërtuan portën e Deleve; e shenjtëruan dhe ia vunë kanatet. Vazhduan të ndërtojnë deri në kullën e Meahut, që pastaj
2. Pranë Eliashibit ndërtuan njerëzit e Jerikos dhe pranë tyre ndërtoi Zakuri, bir i Imrit.
3. Bijtë e Senaahut ndërtuan portën e Peshqve, bënë kasën dhe vunë kanatet e saj, bravat dhe shufrat.
4. Pranë tyre punonte për riparimet Meremothi, bir i Urias, që ishte bir i Kotsit; pranë tyre për riparimet punonte Meshullami, bir i Berekiahut, që ishte bir i Meshezabeelit; pranë tyre punonte për riparimet Tsadoku, bir i Baanas;
5. pranë tyre për riparimet punonin Tekoitët; por fisnikët midis tyre nuk e ulën qafën për të bërë punën e Zotit të tyre.
6. Jehojada, bir i Paseahut, dhe Meshulami, bir i Besodejahut, restauruan portën e Vjetër; bënë kasën dhe vunë kanatet e saj, bravat dhe shufrat.
7. Pranë tyre punonin për riparimin e selisë së qeveritarit të krahinës matanë Lumit Melatiahu, Gabaoniti, Jadoni Meronithiti dhe njerëzit e Gabaonit dhe të Mitspahut.
8. Pranë tyre punonte për riparimet Uzieli, bir i Harhajahut, një ndër argjendarët; pranë tij punonte për riparimet Hananiahu, një nga parfumierët. Ata e përforcuan Jeruzalemin deri në Murin e Gjerë.
9. Pranë tyre punoi për riparimet Refajahu, bir i Hurit, kryetar i gjysmës së rrethit të Jeruzalemit.
10. Pranë tyre punonte për riparimet, përballë shtëpisë së tij, Jedajahu, bir i Harumafit; pranë tij punonin për riparimet Hatushi, bir i Hashabnejahut.
11. Malkijahu, bir i Harimit, dhe Hashshubi, bir i Pahath-Moabit, ndreqën një pjesë tjetër të mureve dhe kullën e Furrave.
12. Pranë tij punonte për riparimet, bashkë me bijat e tij, Shalumi, bir i Haloheshit, kryetar i gjysmës së rrethit të Jeruzalemit.
13. Hanuni dhe banorët e Zanoahit ndreqën portën e Luginës; e ndërtuan dhe i vunë kanatet, bravat dhe shufrat. Përveç kësaj ndreqën një mijë kubitë muri deri në portën e Plehut.
14. Malkijahu, bir i Rekabit, kryetar i rrethit të Beth-Hakeremit, ndreqi portën e Plehut; e ndërtoi, dhe i vuri kanatet, bravat dhe shufrat.
15. Shalumi, bir i Kol-Hezeut, kryetar i rrethit të Mitspahut, ndreqi portën e Burimit; e ndërtoi, e mbuloi dhe i vuri kanatet, bravat dhe shufrat. Ndreqi gjithashtu murin e pishinës të Siloes, pranë kopshtit të mbretit, deri në shkallëzat që zbresin nga qyteti i Davidit.
16. Pas tij Nehemia, bir i Azbukut, kryetar i gjysmës së rrethit të Beth-Zurit, punoi për riparimet deri përpara varreve të Davidit, deri te pishina artificiale dhe deri te shtëpia e Trimave.
17. Pas tij punuan për riparimet Levitët, nën drejtimin e Rehumit, birit të Banit; pranë tij punonte për riparimet për rrethin e tij Hashabia, kryetar i gjysmës së rrethit të Keilahut.
18. Pas tij punuan për riparimet vëllezërit e tyre, nën mbikëqyrjen e Bavait, birit të Henadat, kryetar i gjysmës tjetër të rrethit të Keilahut.
19. Pranë tij Ezeri, bir i Jeshuas, kryetar i Mitspahut, ndreqi një pjesë tjetër të mureve, përballë të përpjetës së arsenalit, në qoshe.
20. Mbas tij Baruku, bir i Zabait, riparoi me zell të madh një pjesë tjetër të mureve, nga qoshja deri te porta e shtëpisë së Eliashibit, kryepriftit.
21. Mbas tij Meremothi, bir i Urias, që ishte bir i Kotsit, ndreqi një pjesë tjetër të mureve, nga porta e shtëpisë së Eliashibit deri në skajin e shtëpisë së Eliashibit.
22. Mbas tij punuan për riparimet priftërinjtë që banonin përreth.
23. Mbas tyre Beniamini dhe Hashubi punuan për riparimet përballë shtëpisë së tyre. Mbas tyre Azaria, bir i Maasejahut, që ishte bir i Ananiahut, punoi për riparimet afër shtëpisë së tij.
24. Mbas tij Binui, bir i Henadadit, ndreqi një pjesë tjetër të mureve, nga shtëpia e Azarias deri në kthesë, domethënë në qoshe.
25. Palali, bir i Uzait, bëri riparime përballë kthesës dhe kullës që spikat nga shtëpia e epërme e mbretit, që ishte pranë oborrit të burgut. Mbas tij bëri riparime Pedajahu, bir i Paroshit.
26. Nethinejtë, që banonin mbi Ofelin, bënë riparime deri përpara portës së Ujërave, në drejtim të lindjes, dhe përballë kullës që spikaste.
27. Mbas tyre Tekoitët riparuan një pjesë tjetër të mureve, përballë kalasë së madhe që spikaste dhe deri në murin e Ofelit.
28. Mbi portën e Kuajve, priftërinjtë punuan në riparimet, secili përballë shtëpisë së vet.
29. Mbas tyre Tsadoku, bir i Imerit, punoi për riparimet përballë shtëpisë së tij. Mbas tij punoi Shemajahu, bir i Shekaniahut, që ishte rojtar i portës lindore.
30. Mbas tij Hananiahu, bir i Shelemiahut, dhe Hanuni, biri i gjashtë i Tsalafit, riparuan një pjesë tjetër të mureve. Mbas tyre Meshullami, bir i Berekiahut, punoi për riparimet përballë banesës së tij.
31. Mbas tij Malkijahu, një nga argjendarët, mori pjesë në riparimet deri në shtëpitë e Nethinejve dhe të tregtarëve, përballë portës së Mifkadit dhe deri në të përpjetën e qoshes.

Nehemia 4:1-23
1. Kur Sanballati dëgjoi që ne po rindërtonim muret, u zemërua, u revoltua thellë dhe filloi të tallet me Judejtë,
2. dhe u tha përpara vëllezërve të tij dhe ushtarëve të Samarisë: "Çfarë po bëjnë këta Judej matufë? Do të fortifikohen? Do të ofrojnë flijime? A do të mbarojnë brenda një dite? Mos vallë do të ringjallin gurët e konsumuar nga zjarri i togjeve të rrënojave?".
3. Tobiahu, Amoniti, që i rrinte pranë, tha: "Le të ndërtojnë! Por në rast se një dhelpër hipën sipër, do ta rrëzojë murin e tyre prej guri!".
4. Dëgjo, o Perëndia ynë, sepse na përçmojnë! Bëj që të bjerë mbi kokën e tyre fyerja e tyre dhe braktisi në përbuzje në një vend robërie!
5. Mos e mbulo paudhësinë e tyre dhe mos lejo që mëkati i tyre të fshihet para teje, sepse kanë provokuar zemërimin tënd para ndërtuesve".
6. Ne, pra, i rindërtuam muret që u bashkuan deri në gjysmën e lartësisë së tyre; populli e kishte marrë me zemër punën.
7. Por kur Sanballati, Tobiahu, Arabët, Amonitët dhe Asdodejtë mësuan që riparimi i mureve të Jeruzalemit po përparonte dhe të çarat kishin filluar të mbylleshin, ata u zemëruan shumë,
8. dhe të gjithë së bashku komplotuan për të ardhur në Jeruzalem dhe për të krijuar trazira në të.
9. Por ne iu lutëm Perëndisë tonë dhe për shkak të tyre vumë roje natë e ditë kundër tyre.
10. Por ata të Judës thonin: "Forcat e mbartësve të peshave vijnë duke u pakësuar dhe gërmadhat janë aq të shumta sa nuk do të arrijmë të ndërtojmë muret!
11. Përveç kësaj kundërshtarët tanë thonin: "Ata nuk do të dinë dhe nuk do të shohin asgjë, deri sa ne do të sulemi në mes të tyre dhe do t'i vrasim; kështu do të bëjmë që të ndërpriten punimet".
12. Por kur Judejtë që banonin pranë tyre erdhën dhjetë herë rrjesht për të na thënë: "Ngado që të ktheheni, do të na sulen".
13. Unë vendosa njerëz të armatosur në vendet më të ulta prapa mureve; e vendosa popullin sipas familjeve, me shpatat e tyre, shtizat e tyre dhe harqet e tyre.
14. Mbasi e shqyrtova situatën u ngrita dhe u thashë parisë, gjyqtarëve dhe pjesës tjetër të popullit: "Mos kini frikë nga ata! Kujtoni Zotin e madh dhe të tmerrshëm dhe luftoni për vëllezërit tuaj, për bijtë dhe bijat tuaja, për bashkëshortet tuaja dhe për shtëpitë tuaja!".
15. Kur armiqtë tanë mësuan që ne ishim të informuar mbi këtë gjë dhe që Perëndia e kishte bërë të dështonte plani i tyre, ne të gjithë u kthyem tek muret, secili në punën e tij.
16. Qysh prej asaj dite, gjysma e shërbëtorëve të mi merrej me punët, ndërsa gjysma tjetër kishte rrokur shtizat, mburojat, harqet dhe kishte veshur parzmoret; komandantët qëndronin prapa tërë shtëpisë së Judës.
17. Por ata që ndërtonin muret dhe ata që mbartnin o ngarkonin peshat, me një dorë merreshin me punimet dhe me dorën tjetër mbanin armën e tyre.
18. Tërë ndërtuesit, duke punuar, mbanin secili shpatën e ngjeshur në ijet, ndërsa borizani rrinte pranë meje.
19. Atëherë unë u thashë parisë, zyrtarëve dhe pjesës tjetër të popullit: "Puna është e madhe dhe e shtrirë, dhe ne jemi të shpërndarë mbi muret, larg njeri tjetrit.
20. Kudo që të dëgjoni tingullin e borisë, atje mblidhuni pranë nesh; Perëndia ynë do të luftojë për ne".
21. Kështu e vazhdonim punën, ndërsa gjysma e njerëzve kishte rrokur shtizën që në agim e deri sa dilnin yjet.
22. Në të njëjtën kohë i thashë gjithashtu popullit: "Secili nga ju të rrijë me shërbëtorin e tij brenda Jeruzalemit, për të na ruajtur natën dhe për të punuar pastaj ditën".
23. Kështu as unë, as vëllezërit e mi, as shërbëtorët e mi, as njerëzit e rojes që më ndiqnin, nuk i hiqnim rrobat; por secili kishte armën e tij me ujë.

Nehemia 5:1-19
1. Ndërkaq u ngrit një ankesë e madhe prej popullit dhe bashkëshorteve të tyre kundër Judejve, vëllezërve të tyre.
2. Disa thonin: "Ne, bijtë tanë dhe bijat tona jemi shumë; prandaj të gjejmë grurë që të mund të hamë dhe të jetojmë!".
3. Të tjerë thonin: "Kemi hipotekuar arat tona, vreshtat tona dhe shtëpitë tona për të blerë grurë gjatë zisë!".
4. Disa të tjerë akoma thonin: "Kemi marrë para hua për të paguar haraçin e mbretit mbi arat tona dhe vreshtat tona.
5. Ndonëse mishi ynë është si mishi i vëllezërve tanë dhe bijtë tanë janë si bijtë e tyre, në realitet jemi të detyruar t'i kthejmë në skllevër bijtë tanë dhe bijat tona; disa nga bijat tona janë katandisur që tani në skllavëri dhe nuk kemi asnjë mundësi t'i shpengojmë, sepse arat tona dhe vreshtat tona janë në dorë të të tjerëve".
6. Kur dëgjova ankimet e tyre dhe këto fjalë, u indinjova shumë.
7. Mbasi u mendova mirë për këtë gjë, qortova parinë dhe gjyqtarët dhe u thashë atyre: "Secili prej jush kërkon një kamatë prej fajdexhiu nga vëllai i vet". Kështu mblodha kundër tyre një asamble të madhe
8. dhe u thashë: "Simbas mundësive tona ne kemi shpenguar vëllezërit tanë Judej që u ishin shitur kombeve; por tani a do t'i shisnit vëllezërit tuaj, apo duhet që ata të na shiten neve?". Atëherë ata heshtën me qenë se nuk gjenin fjalë për të thënë.
9. Dhe unë shtova: "Ajo që po bëni nuk është e mirë. A nuk duhet përkundrazi të ecni duke pasur frikë nga Perëndia ynë për të shmangur dëmin nga kombet që i kemi armiq?
10. Edhe unë, vëllezërit e mi dhe shërbëtorët e mi u kemi dhënë hua para dhe grurë. Ju lutem, të mos kërkojmë më kamatë për këtë!
11. Ua ktheni që sot arat e tyre, vreshtat e tyre, ullishtat e tyre dhe shtëpitë e tyre, dhe të njëqindtën pjesë të parave, të grurit, të verës dhe të vajit që u keni kërkuar".
12. Ata u përgjigjën: "Do t'i kthejmë dhe nuk do të kërkojmë më asgjë prej tyre; do të veprojmë ashtu si thua ti". Atëherë thirra priftërinjtë dhe i vura të betohen përpara atyre se do të vepronin sipas këtij premtimi.
13. Shkunda pastaj palën e rrobave të mia dhe thashë: "Kështu Perëndia ta shkundë nga shtëpia e tij dhe nga pasuria e tij cilindo që nuk do ta mbajë këtë premtim! Kështu të shkundet dhe të zbrazet ai nga të gjitha!". Atëherë tërë asambleja tha: "Amen!", dhe lavdëruan Zotin. Populli veproi sipas atij premtimi.
14. Përveç kësaj qysh prej ditës që u caktova të jem qeveritar i tyre në vendin e Judës, nga viti i njëzetë deri në vitin e tridhjetedytë të mbretit Artakserks, gjatë dymbëdhjetë vjetëve, unë dhe vëllezërit
15. Ndërsa qeveritarët e mëparshëm që më kishin paraprirë e kishin rënduar popullin duke marrë bukë dhe verë, dhe përveç kësaj dyzet sikla argjendi. Madje edhe shërbëtorët e tyre silleshin si zotër me popullin, por unë nuk veprova kështu, sepse kisha frikë nga Perëndia.
16. Përkundrazi i hyra me të madhe punës së riparimit të këtyre mureve dhe nuk kemi bërë asnjë blerje toke; përveç kësaj tërë shërbëtorët e mi u mblodhën atje për të punuar.
17. Kisha gjithashtu në mencën time njëqind e pesëdhjetë Judej dhe zyrtarë, përveç atyre që vinin nga kombet fqinje.
18. Çdo ditë përgatitej një ka dhe gjashtë krerë të zgjedhur që merreshin nga kopeja; për mua gatuheshin edhe zogj, dhe çdo dhjetë ditë bëhej furnizimi me lloj lloj vere me shumicë; por me gjithë këtë, nuk e kam kërkuar kurë kuotën e qeveritarit, sepse mbi këtë popull rëndonte tashmë shërbimi.
19. Më kujto, o Perëndia im, për tërë të mirat që i kam bërë këtij populli.

Psalmet 89:1-4
1. Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t'u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.
2. Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".
3. "Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:
4. "Do t'i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)

Fjalët e Urta 21:21-27
21. Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë.
22. I urti ngjitet në qytetin e njerëzve të fortë dhe rrëzon forcën në të cilën kishte besim.
23. Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij mbron jetën e tij nga fatkeqësitë.
24. Emri i krenarit pa cipë është: "tallës"; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar.
25. Dëshirat e përtacit e vrasin atë, sepse duart e tij nuk pranojnë të punojnë.
26. Ai dëshiron me zjarr tërë ditën, por i drejti dhuron duke mos refuzuar kurrë.
27. Flijimi i të pabesit është gjë e neveritshme, aq më tepër në rast se e ofron me qëllim të keq.

Aktet 26:1-32
1. Atëherë Agripa i tha Palit: ''Ke leje të flasësh për të mbrojtur veten!''. Dhe Pali, si e shtriu dorën, nisi të bëjë mbrojtjen e tij:
2. ''O mbret Agripa, e quaj veten të lumtur që kam mundësi sot të shfajësohem para teje nga të gjitha ato që më kanë akuzuar Judenjtë,
3. veçanërisht sepse ti i njeh të gjitha zakonet dhe çështjet që janë midis Judenjve; prandaj të lutem të më dëgjosh me durim.
4. Se cila ka qenë mënyra ime e të jetuarit që nga rinia, të cilën e kalova tërësisht në Jeruzalem në mes të popullit tim, të gjithë Judenjtë e dinë.
5. Ata më njohin qysh atëherë dhe mund të dëshmojnë, po deshën, se kam jetuar si farise, sipas sektit më të drejtë të fesë sonë.
6. Dhe tani ndodhem para qjyqit për shpresën e premtimit që u ka bërë Perëndia etërve tanë,
7. premtim të cilin dymbëdhjetë fiset tona, që i shërbejnë me zell ditë e natë Perëndisë, shpresojnë ta fitojnë; për këtë shpresë, o mbret Agripa, unë jam akuzuar nga Judenjtë.
8. Përse vallë mendoni se është e pabesueshme që Perëndia t'i ringjallë të vdekurit?
9. Unë vetë mendova se ishte detyra ime të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezusit Nazarenas.
10. Dhe këtë kam bërë në Jeruzalem; mbasi kam marrë pushtet nga krerët e priftërinjve, futa në burg shumë shenjtorë dhe, kur i vrisnin, jepja miratimin tim.
11. Dhe shpesh, duke shkuar nga një sinagogë te tjetra, i kam detyruar të blasfemojnë dhe, me zemërim të madh kundër tyre, i kam përndjekur deri në qytetet e huaja.
12. Në kohën kur unë po merresha me këtë punë dhe po shkoja në Damask me autorizim dhe me fuqi të plota nga krerët e priftërinjve,
13. në mesditë, o mbret, në rrugë unë pashë një dritë nga qielli që shkëlqente më shumë se dielli, e cila vetëtiu rreth meje dhe rreth atyre që udhëtonin me mua.
14. Mbasi të gjithë ne ramë përtokë, dëgjova një zë që po më fliste dhe më tha në gjuhën hebraike: "Saul, Saul, pse më përndjek? Éshtë e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave".
15. Unë thashë: "Kush je ti, Zot?". Ai tha: "Unë jam Jezusi, të cilin ti e përndjek.
16. Por çohu dhe rri në këmbë, sepse prandaj të jam shfaqur: që të të vë shërbyes dhe dëshmues për gjërat që ke parë dhe për ato për të cilat unë do të shfaqem,
17. duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga johebrenjtë, tek të cilët po të dërgoj tani,
18. që t'u çelësh sytë atyre dhe t'i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve".
19. Prandaj, o mbret Agripa, unë nuk kam qenë i pabindur ndaj vegimit qiellor.
20. Por në fillim atyre në Damask, pastaj në Jeruzalem, në mbarë krahinën e Judesë dhe johebrenjve, u kam shpallur të pendohen dhe të kthehen te Perëndia, duke bërë vepra të denja pendimi.
21. Për këto gjëra Judenjtë, mbasi më kapën në tempull, u orvatën të më vrasin.
22. Por, për shkak të ndihmës që pata nga Perëndia deri në këtë ditë, vazhdova t'u dëshmoj të vegjëlve dhe të mëdhenjve, duke mos thënë tjetër përveç atyre që profetët dhe Moisiu thanë se duhet të ndodhnin,
23. domethënë: që Krishti duhej të vuante dhe që, duke qenë i pari i ringjallur prej së vdekuris, duhej t'i shpallte dritën popullit dhe johebrenjve''.
24. Dhe, ndërsa Pali i thoshte këto gjëra në mbrojtje të tij, Festi tha me zë të lartë: ''Pal, ti je tërbuar; studimet e shumta të bënë të shkallosh".
25. Por ai tha: ''Unë nuk jam tërbuar, shumë i shkëlqyeri Fest, por them fjalë të së vërtetës dhe të mendjes së shëndoshë.
26. Sepse mbreti, të cilit unë po i flas lirisht, është i mirinformuar për këto gjëra, sepse unë jam i bindur se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse e gjithë kjo nuk është bërë në fshehtësi.
27. O mbret Agripa, a u beson profetëve? Unë e di se ti beson''.
28. Atëherë Agripa i tha Palit: ''Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë''.
29. Pali i tha: ''Dhëntë Perëndia që në pak ose në shumë kohë jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që sot po më dëgjojnë, të bëhen të tillë, sikurse jam unë, përveç këtyre zinxhirëve''.
30. Mbasi tha këto gjëra, mbreti u ngrit dhe me të qeveritari, Berenike dhe ata që ishin ulur me ta.
31. Mbasi u hoqën mënjanë, folën me njëri-tjetrin dhe thanë: ''Ky njeri nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen ose burgun''.
32. Atëherë Agripa i tha Festit: ''Ky njeri mund të ishte liruar, po të mos i ishte apeluar Cezarit''.