A A A A A

Bibla në një vit


Korrik 23


Ezdra 7:1-28
1. Mbas këtyre gjërave, nën mbretërimin e Artasersit, mbretit të Persisë, Ezdra, bir i Serajahut, bir i Azarias, bir i Hilkiahut,
2. bir i Shalumit, biri i Tsadokut, bir i Ahitubit,
3. bir i Amariahut, bir i Azarias, bir i Merajothit,
4. bir i Zerajahut, bir i Uzit, bir i Bukit,
5. bir i Abishuas, bir i Finehasit, bir i Eleazarit, bir i Aaronit, kryeprift;
6. ky Ezdra vinte nga Babilonia. Ishte një shkrues kompetent në ligjin e Moisiut të dhënë nga Zoti, Perëndia i Izraelit. Mbreti i dha të gjitha ato që ai kërkoi, sepse dora e Zotit, Perëndisë të tij, ishte mbi të.
7. Në vitin e shtatë të mbretit Artasersit, ngjitën gjithashtu në Jeruzalem disa nga bijtë e Izraelit dhe të priftërinjve, Levitë, këngëtarë, derëtarë dhe Nethinej.
8. Ezdra arriti në Jeruzalem në muajin e pestë, që ishte viti i shtatë i mbretit.
9. Ai e filloi udhëtimin e tij nga Babilonia ditën e parë të muajit të parë dhe arriti në Jeruzalem ditën e parë të muajit të pestë, sepse dora mirëbërëse e Perëndisë të tij ishte mbi të.
10. Në të vërtetë Ezdra i ishte kushtur me gjithë zemër të studjonte ligjin e Zotit, ta zbatonte në praktikë dhe të mësonte në Izrael statutet dhe dekretet.
11. Ja kopja e letrës që mbreti Artasers i dorëzoi priftit Ezdra, shkruesit, një shkrues kompetent në urdhërimet e Zotit dhe në statutet e tij e dhëna Izraelit.
12. "Artasersi, mbret i mbretërve, priftit Ezdra, shkruesit kompetent në ligjin e Perëndisë të qiellit. Përshëndetje, e të tjera.
13. Unë kam nxjerrë një dekret sipas të cilit kushdo nga populli i Izraelit dhe nga priftërinjtë e tij dhe nga Levitët e mbretërisë sime që ka vendosur lirisht të shkojë në Jeruzalem, mund të vijë me ty.
14. Në të vërtetë ti je dërguar nga ana e mbretit dhe nga shtatë këshilltarët e tij për të bërë hulumtime në Judë dhe në Jeruzalem mbi ligjin e Perëndisë tënd, që është në duart e tua,
15. dhe për t'i çuar argjendin dhe arin që mbreti dhe këshilltarët e tij ia kanë ofruar spontanisht Perëndisë të Izraelit, banesa e të cilit është në Jeruzalem,
16. dhe tërë argjendin dhe arin që mund të gjesh në tërë krahinën e Babilonisë, së bashku me ofertën vullnetare, që bëhen në mënyrë spontane nga populli dhe nga priftërinjtë për shtëpinë e Perëndisë të tyre në Jeruzalem.
17. Prandaj me këto para ti do të kujdesesh të blesh dema, desh dhe qengja me ofertat e tyre të ushqimit dhe të libacioneve, dhe do t'i ofrosh mbi altarin e shtëpisë së Perëndisë tuaj që është në Jeruzalem.
18. Sa për pjesën tjetër të argjendit dhe të arit, do të bëni atë që të duket e mirë ty dhe vëllezërve të tu, sipas vullnetit të Perëndisë tuaj.
19. Edhe veglat që të janë dhënë për shërbimin e shtëpisë së Perëndisë tënd, vendosi përsëri përpara Perëndisë të Jeruzalemit.
20. Për çfarëdo lloj nevoje tjetër të shtëpisë së Perëndisë tënd që të takon ty ta plotësosh, do ta plotësosh me shpenzimet e thesarit mbretëror.
21. Unë, mbreti Artasers, urdhëroj të gjithë arkëtarët e krahinës matanë Lumit: gjithçka që do të kërkojë prifti Ezdra, shkruesi i ligjit të Perëndisë të qiellit, t'i plotësohen menjëherë,
22. deri në njëqind talenta argjendi, njëqind kore gruri, njëqind bate vere dhe njëqind bate vaji dhe kripë në sasi të pakufizuar.
23. Tërë ato që janë urdhëruar nga Perëndia i qiellit të zbatohen me zell për shtëpinë e Perëndisë të qiellit. Pse zemërimi duhet të bjerë mbi mbretërinë e mbretit dhe të bijve të tij?
24. Përveç kësaj ju njoftojmë se nuk është e lejueshme të merren haraçe, tatime ose taksa kalimi nga asnjë prej priftërinjve, Levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, Nethinejve dhe shërbëtorëve të kësaj shtëpie të Perëndisë.
25. Dhe ti, o Ezdra, sipas diturisë së Perëndisë tënd që ti zotëron, cakto zyrtarë dhe gjyqtarë që t'i sigurojnë drejtësinë tërë popullit që ndodhet në krahinën matanë Lumit, gjithë atyre që njohin ligjet e Perëndisë tënd; dhe ua mëso atyre që nuk i njohin.
26. Dhe ai që nuk respekton ligjin e Perëndisë tënd dhe ligjin e mbretit t'i jepet menjëherë gjyqit, ose me vdekje, ose me dëbim ose me konfiskimin e pasurisë ose me burgim".
27. I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i etërve tanë, që i ka shtënë një gjë të tillë zemrës së mbretit, që të zbukurojë shtëpinë e Zotit që është në Jeruzalem,
28. dhe më bëri të gëzoj favoret te mbreti, këshilltarët e tij dhe të tërë princat e fuqishëm mbretërorë. Kështu e ndjeva veten të trimëruar, sepse dora e Zotit, Perëndisë tim, ishte mbi mua, dhe mblodha krerët e Izraelit që të niseshin me mua.

Ezdra 8:1-36
1. Këta janë krerët e shtëpive atërore dhe lista gjenealogjike e atyre që u kthyen me mua nga Babilonia, nën mbretërimin e Artasersit.
2. Nga bijtë e Finehasit, Gershomi; nga bijtë e Ithamarit, Danieli; nga bijtë e Davidit, Hatushi.
3. Nga bijtë e Shekaniahut: nga bijtë e Paroshit, Zakaria, dhe bashkë me të u regjistruan njëqind e pesëdhjetë meshkuj.
4. Nga bijtë e Pahath-Moabit, Elihoenai, bir i Zerahiahut, dhe me të dyqind meshkuj.
5. Nga bijtë e Shekaniahut, i biri i Jahazielit dhe bashkë me të treqind meshkuj.
6. Nga bijtë e Adinit, Ebedi, bir i Jonathanit, dhe bashkë me të pesëdhjetë meshkuj.
7. Nga bijtë e Elamit, Isai, bir i Athaliahut, dhe bashkë me të shtatëdhjetë meshkuj.
8. Nga bijtë e Shefatiahut, Zebadiahu, bir i Mikaelit, dhe bashkë me të tetëdhjetë meshkuj.
9. Nga bijtë e Joabit, Obadiahu, bir i Jehielit, dhe bashkë me të dyqind e tetëmbëdhjetë meshkuj.
10. Nga bijtë e Shelomithit, bir i Josifiahut dhe bashkë me të njëqind e gjashtëdhjetë meshkuj.
11. Nga bijtë e Bebait, Zakaria, bir i Bebait, dhe bashkë me të njëzet e tetë meshkuj.
12. Nga bijtë e Azgadit, Johanani, bir i Hakatas, dhe bashkë me të njëqind e dhjetë meshkuj.
13. Nga bijtë e Adonikamit, të fundit, emrat e të cilëve ishin: Elifelet, Jehiel dhe Shemajah, dhe bashkë me ta gjashtëdhjetë meshkuj.
14. Nga bijtë e Bigvait, Uthai dhe Zabudi, dhe bashkë me ta shtatëdhjetë meshkuj.
15. Unë i mblodha pranë lumit që rrjedh në drejtim të Ahavës, dhe fushuam aty tri ditë. Kur kalova në revistë popullin dhe priftërinjtë, nuk gjeta asnjë bir Leviti.
16. Atëherë dërgova të thërrasë Eliezerin, Arielin, Shemajahun, Elnathanin, Jaribin, Elnathanin, Nathanin, Zakarian dhe Meshulamin, që ishin të parë, si edhe Jojaribin dhe Elnathanin që ishin njerëz të urtë,
17. dhe i urdhërova të shkonin tek Ido, kreu i lokalitetit të Kasifias, dhe u vura në gojë fjalët që duhet t'i thonin Idos dhe vëllezërve të tij, Nethinejve në lokalitetin e Kasifias, që të na dërgonin njerëz që të kryenin shërbimin në shtëpinë e Perëndisë tonë.
18. Me qenë se dora mirëbërëse e Perëndisë tonë ishte mbi ne, ata na dërguan Sherebiahun, një njeri me mend, nga bijtë e Mahlit, birit të Levit, bir i Izraelit, bashkë me bijtë e vëllezërit e tij, gjithsej tetëmbëdhjetë;
19. dhe Hashabiahun, dhe me të Isai nga bijtë e Merarit, vëllezërit dhe bijtë e tyre, gjithsej njëzet;
20. dhe nga Nethinej, që Davidi dhe krerët kishin caktuar në shërbim të Levitëve, dyqind e njëzet Nethinej, të gjithë të caktuar me emër.
21. Aty, pranë lumit Ahava, unë shpalla një agjerim për t'u përulur përpara Perëndisë tonë, për t'i kërkuar një udhëtim të sigurt për ne, për fëmijët tanë dhe për të gjitha pasuritë tona.
22. Në fakt unë kisha turp t'i kërkoja mbretit një roje ushtarësh dhe kalorësish që të na mbronte nga armiku gjatë udhëtimit, sepse i kishim thënë mbretit: "Dora e Perëndisë tonë është mbi të gjithë ata që kërkojnë për të mirën e tyre, por fuqia e tij dhe zemërimi i tij janë kundër të gjithë atyre që e braktisin".
23. Kështu ne agjeruam dhe iu lutëm Perëndisë tonë për këtë arësye, dhe ai e dëgjoi lutjen tonë.
24. Atëherë unë zgjodha dymbëdhjetë nga krerët e priftërinjve: Sherebiahun, Hashabiahun dhe bashkë me ta dhjetë nga vëllezërit e tyre,
25. dhe u peshova atyre argjendin, arin, veglat, që ishin oferta e bërë për shtëpinë e Perëndisë tonë nga mbreti, nga këshilltarët dhe nga paria e tij, dhe nga të gjithë Izraelitët që ndodheshin atje.
26. Në duart e tyre peshova gjithashtu gjashtëqind e pesëdhjetë talenta argjendi, vegla prej argjendi me një vlerë prej njëqind talentash, njëqind talenta ari,
27. njëzet kupa ari me një vlerë prej një mijë darikë, dy enë prej bronzi të hollë dhe të shndritshëm, i çmueshëm si ari.
28. Pastaj u thashë atyre: "Ju i jeni shenjtëruar Zotit; edhe përdorëset janë të shenjta, dhe argjendi dhe ari janë një ofertë vullnetare për Zotin, Perëndinë e etërve tuaj.
29. Kini kujdes dhe ruajini deri sa t'i peshoni përpara krerëve të priftërinjve, Levitëve dhe të parëve të shtëpive atërore të Izraelit në Jeruzalem, në dhomat e shtëpisë të Zotit".
30. Kështu priftërinjtë dhe Levitët morën argjendin, arin dhe veglat që u peshuan atëherë, për t'i çuar në Jeruzalem në shtëpinë e Perëndisë tonë.
31. Ditën e dymbëdhjetë të muajit të parë u nisëm nga lumi Ahava për të shkuar në Jeruzalem; dora e Perëndisë tonë ishte mbi ne dhe gjatë udhëtimit na liroi nga armiku dhe nga pritat e tij.
32. Arritëm kështu në Jeruzalem dhe qëndruam tri ditë atje.
33. Ditën e katërt në shtëpinë e Perëndisë tonë, u peshuan argjendi, ari dhe veglat në duart e Meremothit, birit të priftit Uriah, me të cilin ishte Eleazari, bir i Finehasit, dhe me ta Levitët Jozabad, bir i Jeshuas, dhe Noadiahu, bir i Binuit.
34. U njëhsua dhe u peshua çdo gjë; dhe pesha e të gjitha gjërave u vu me shkrim.
35. Të mërguarit që u kthyen nga robëria, i ofruan si olokauste Perëndisë të Izraelit dymbëdhjetë dema për tërë Izraelin, nëntëdhjetë e gjashtë desh, shtatëdhjetë e shtatë qengja dhe dymbëdhjetë cjep si flijim për mëkatin, e tërë kjo si olokaust për Zotin.
36. Pastaj ua dorëzuan dekretet e mbretit satrapëve të mbretit dhe qeveritarëve të krahinës matanë Lumit, dhe këta ndihmuan popullin dhe shtëpinë e Perëndisë.

Psalmet 88:1-5
1. O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje.
2. Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time,
3. sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol.
4. Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë.
5. Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote.

Fjalët e Urta 21:21-22
21. Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë.
22. I urti ngjitet në qytetin e njerëzve të fortë dhe rrëzon forcën në të cilën kishte besim.

Aktet 23:16-35
16. Por djali i motrës së Palit, si e mori vesh kurthin, rendi në fortesë dhe, mbasi hyri, i tregoi Palit.
17. Atëherë Pali thirri një nga centurionët pranë vetes dhe i tha: ''Çoje këtë djalë tek kryemijëshi, sepse ka diçka për t'i thënë''.
18. Atëherë ai e mori dhe e çoi tek kryemijëshi dhe tha: ''Pali, i burgosuri, më thirri dhe m'u lut të të sjell këtë djalë, sepse ka diçka për të të thënë''.
19. Atëherë kryemijësi e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: ''Çfarë ke për të më thënë?''.
20. Ai tha: ''Judenjtë janë marrë vesh që të të kërkojnë që nesër ta nxjerrësh Palin poshtë, në sinedër, se gjoja dashkan ta hetojnë më thellë çështjen e tij.
21. Prandaj ti mos ua vër veshin, sepse më shumë se dyzet burra nga ata kanë ngritur kurth kundër tij, sepse janë zotuar duke u lidhur me betim, të mos hanë e të mos pinë, derisa ta kenë vrarë; dhe tani janë gati dhe presin që ti t'ua lejosh atyre''.
22. Tribuni, pra, e la të shkojë djalin, duke e urdhëruar që të mos i tregojë kurrkujt se e kishte vënë në dijeni për këto gjëra.
23. Pastaj thirri dy centurionë dhe u tha: ''Bëni gati që nga ora tre e natës dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shtizëmbajtës, për të shkuar deri në Cezare''.
24. Dhe u tha të bëjnë gati kuajt që ta hipte Pali dhe ta çonin shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks.
25. Ai shkroi një letër me këtë përmbajtje:
26. ''Klaud Lisia, qeveritarit shumë të shkëlqyeshëm Feliks, shëndet.
27. Ky njeri ishte kapur nga Judenjtë që ishin gati ta vrisnin, kur ia mbërrita unë me ushtarët dhe e lirova, sepse mora vesh se ishte qytetar romak.
28. Dhe, duke dashur të di fajin për të cilin e akuzonin, e nxora para sinedrit të tyre.
29. Përfundova se e kishin akuzuar për çështje që lidheshin me ligjin e tyre dhe që ai nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen e as burgimin.
30. Dhe, kur më njoftuan për kurthin që Judenjtë i ngritën këtij njeriu, ta nisa menjëherë, duke u dhënë urdhër paditësve të parashtrojnë para teje ankimet që kanë kundër tij. Qofsh me shëndet!''.
31. Ushtarët, pra, sipas urdhrit të dhënë, morën në dorëzim Palin dhe e çuan natën në Antipatridë.
32. Të nesërmen, pasi ua lanë si detyrë kalorësve të shkojnë me të, u kthyen në fortesë.
33. Ata, pasi arritën në Cezare dhe ia dorëzuan letrën qeveritarit, i paraqitën edhe Palin.
34. Mbasi e lexoi letrën, qeveritari e pyeti Palin nga ç'krahinë ishte; dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia,
35. i tha: ''Unë do të të dëgjoj kur të mbrrijnë edhe paditësit e tu''. Dhe urdhëroi që ta ruanin në pretoriumin e Herodit.