A A A A A

Bible in one year


July 21


Ezdra 3:1-13
1. Sa arriti muaji i shtatë dhe bijtë e Izraelit ishin në qytetet e tyre, populli u mblodh si një njeri i vetëm në Jeruzalem.
2. Atëherë Jeshua, bir i Jotsadakut, bashkë me vëllezërit e tij priftërinj dhe me Zorobabelin, birin e Shealtielit me gjithë vëllezërit e tij, u ngritën dhe ndërtuan altarin e Perëndisë të Izraelit, për t'i ofruar olokauste, siç është shkruar në ligjin e Moisiut, njeriut të Perëndisë.
3. E rivendosën altarin mbi themelet e tij, megjithëse kishin frikë nga popujt e tokave të afërta, dhe mbi të i ofruan olokauste Zotit, olokaustet e mëngjesit dhe të mbrëmjes.
4. Kremtuan gjithashtu festën e Kasolleve, ashtu siç është shkruar, dhe ofruan çdo ditë olokauste, në bazë të numrit që kërkohej për çdo ditë.
5. Pastaj ofruan olokaustin e përjetshëm, olokaustet e hënës së re dhe të gjitha festave të përcaktuara nga Zoti, dhe ato të cilitdo që i bënte një ofertë vullnetare Zotit.
6. Nga dita e parë e muajit të shtatë filluan t'i ofrojnë olokauste Zotit, por themelet e tempullit të Zotit nuk ishin hedhur ende.
7. Pastaj u dhanë para gurëgdhendësve dhe marangozëve, si dhe ushqime, pije dhe vaj atyre të Sidonit dhe të Tiros që të sillnin dru kedri nga Libani në bazë të koncesionit që kishte marrë Kiri, mbret i Persisë.
8. Në muajin e dytë të vitit të dytë të arritjes së tyre në shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem, Zorobabeli, bir i Shealtielit, Jeshua, bir i Jotsadakut, vëllezërit e tjerë të tyre priftërinj dhe Levitët
9. Atëherë Jeshua me bijtë e tij dhe vëllezërit e tij, Kadmieli me bijtë e tij dhe bijtë e Judës u ngritën si një njeri i vetëm për të drejtuar ata që punonin në shtëpinë e Perëndisë; po kështu vepruan bijtë e Henadadit me bijtë e tyre dhe vëllezërit e tyre, Levitët.
10. Kur ndërtuesit hodhën themelet e tempullit të Zotit, ishin të pranishëm priftërinjtë të veshur me rrobat e tyre dhe me bori dhe Levitët, bijtë e Asafit, me cembale për të lëvduar Zotin sipas udhëzimeve të Davidit, mbretit të Izraelit.
11. Ata këndonin, kremtonin dhe lëvdonin Zotin, "Sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij ndaj Izraelit është e përjetshme". Tërë populli lëshonte britma të forta gëzimi, duke lëvduar Zotin, sepse ishin hedhur themelet e shtëpisë së Zotit.
12. Shumë priftërinj, Levitët dhe krerë të shtëpive atërore, pleq, që kishin parë tempullin e parë, qanin me zë të lartë kur hidheshin themelet e këtij tempulli para syve të tyre. Shumë të tjerë përkundrazi bërtisnin fort nga gëzimi,
13. kështu që njerëzit nuk mund të dallonin zhurmën e britmave të gëzimit nga ajo e vajit të popullit, sepse populli lëshonte britma të forta, dhe zhurma e tyre dëgjohej nga larg.

Ezdra 4:1-24
1. Kur armiqtë e Judës dhe të Beniaminit dëgjuan që ata që kishin qenë në robëri po rindërtonin tempullin e Zotit, Perëndisë të Izraelit,
2. iu afruan Zorobabelit dhe krerëve të shtëpive atërore dhe u thanë atyre: "Na lejoni të ndërtojmë bashkë me ju, sepse edhe ne kërkojmë Perëndinë tuaj, ashtu si ju; i kemi ofruar flijime atij nga koha e Esar-Hadonit, mbretit të Asirisë, që na solli këtu".
3. Por Zorobabeli, Jeshua dhe krerët e tjerë të shtëpive atërore të Izraelit iu përgjigjën atyre: "Nuk keni asnjë të drejtë të ndërtoni me ne një shtëpi, Perëndisë tonë, por ne vetë do ti ndërtojmë Zotit, Perëndisë së Izraelit, ashtu si na ka urdhëruar mbreti Kir, mbret i Persisë".
4. Atëherë njerëzit e vendit filluan ta shkurajojnë popullin e Judës dhe ta trëmbin, me qëllim që të mos ndërtonin.
5. Përveç kësaj rekrutuan disa këshilltarë kundër tyre për të hedhur poshtë qëllimin e tyre, dhe këtë e bënë gjatë gjithë kohës së Kirit, mbretit të Persisë, deri në mbretërimin e Darit, mbretit të Persisë.
6. Gjatë mbretërimit të Asueros, në fillim të mbretërimit të tij, ata shkruan një letër me akuza kundër banorëve të Judës dhe të Jeruzalemit.
7. Më vonë, në kohën e Artasersit, Bishlami, Mithredathi, Tabeeli dhe kolegët e tjerë të tyre i shkruan Artasersit, mbretit të Persisë. Letra ishte shkruar me shkronja aramaike dhe ishte përkthyer në gjuhën aramaike.
8. Rehumi, qeveritari, dhe Shimshai, sekretari, i shkruan mbretit Artasers një letër kundër Jeruzalemit me këtë përmbajtje:
9. "Rehumi, qeveritari, Shimshai, sekretari, dhe kolegët e tyre të tjerë, Dinaitët, Afarsathkitët, Tarpelitët, Afaresitët, Arkevitët, Babilonasit, Shushankitët, Dehavitët, Elamitët,
10. dhe popujt e tjerë që i madhi dhe i famshmi Osnapar ka internuar dhe ka vendosur në qytetin e Samarisë dhe në pjesën tjetër të krahinës matanë Lumit, e të tjera".
11. Ja kopja e letrës që ata i dërguan: "Mbretit Artasers, nga shërbëtorët e tu, njerëzit e krahinës matanë Lumit, e të tjera.
12. T'i njoftohet mbretit që Judejtë, që ikën nga ti dhe kanë ardhur pranë nesh në Jeruzalem, janë duke rindërtuar qytetin rebel të keq, po rindërtojnë muret dhe po ndreqin themelet.
13. Tani t'i bëhet e njohur mbretit që në rast se ky qytet rindërtohet dhe muret e tij përfundohen, ata nuk do të paguajnë asnjë haraç, tatim ose taksë për kalim, dhe thesari i mbretit do të ketë pasoja.
14. Tani, duke qenë se ne marrim ushqime nga pallati dhe nuk na duket e drejtë të shohim çnderimin e mbretit, prandaj i dërgojmë këtë njoftim mbretit,
15. me qëllim që të bëhen kërkime në librin e kujtimeve të etërve të tu; dhe në librin e kujtimeve do të gjesh dhe do të mësosh që ky qytet është një qytet rebel, shumë i rrezikshëm për mbretërit dhe për provincat, dhe se aty nxiten rebelime që nga kohët e lashta. Për këtë arësye qyteti u shkatërrua.
16. Ne i bëjmë të ditur mbretit, që në qoftë se ky qytet rindërtohet dhe muret e tij përfundohen, nuk do të mbetet asnjë zotërim në krahinën matanë Lumit".
17. Mbreti dërgoi këtë përgjigje: "Rehumit, qeveritarit, Shimshait, sekretarit, dhe pjesës tjetër të kolegëve të tyre që banonin në Samaria dhe pjesës tjetër të krahinës matanë Lumit: Përshëndetje, e të tjera.
18. Letra që na dërguat u lexua me kujdes përpara meje.
19. Unë dhashë urdhër të bëhen kërkime, dhe u gjet që ky qytet qysh prej kohësh të lashta është ngritur kundër mbretërve dhe që në të kanë ndodhur rebelime dhe kryengritje.
20. Në Jeruzalem ka pasur mbretër të fuqishëm që kanë sunduar mbi gjithë vendin matanë Lumit, dhe të cilëve u paguheshin haraçe, tatime dhe taksa kalimi.
21. Prandaj jepni urdhër që këta njerëz të pezullojnë punimet dhe ky qytet të mos rindërtohet deri sa të jetë dhënë nga unë urdhëri përkatës.
22. Tregohuni të kujdesshëm tani dhe mos e lini pas dore këtë punë. Pse, pra, dëmi duhet të shtohet në kurriz të mbretit?".
23. Sapo kopja e letrës së mbretit Artasers u lexua përpara Rehumit, Shimshait, sekretarit, dhe kolegëve të tyre, ata shkuan me nxitim në Jeruzalem tek Judejtë dhe i detyruan të pezullojnë punimet me forcën e armëve.
24. Kështu u pezullua puna e shtëpisë së Perëndisë që është në Jeruzalem, dhe mbeti pezull deri në vitin e dytë të mbretërimit të Darius, mbretit të Persisë.

Psalmet 86:11-17
11. Mësomë rrugën tënde, o Zot, dhe unë do të ec në të vërtetën tënde; bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd.
12. Unë do të të lëvdoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemër, dhe do ta përlëvdoj emrin tënd përjetë.
13. Sepse e madhe është mirësia jote ndaj meje; ti ke shpëtuar shpirtin tim nga Sheoli.
14. O Perëndi, njerëz kryelartë kanë dalë kundër meje dhe një turmë njerëzish të dhunës kërkojnë jetën time dhe nuk të vë ty para syve të tyre.
15. Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë.
16. Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua; jepi forcën tënde shërbëtorit tënd dhe shpëto birin e shërbëtores sate.
17. Tregomë një shenjë të dashamirësisë sate, me qëllim që ata që më urrejnë ta shohin dhe të mbeten të shushatur, duke parë që ti, o Zot, më ke ndihmuar dhe më ke ngushëlluar.

Fjalët e Urta 21:17-18
17. Ai që i do qejfet do të jetë në varfëri, ai që e do verën dhe vajin nuk do të pasurohet.
18. I pabesi do t'i shërbejë si shpërblim të drejtit; dhe i paudhi në vend të njerëzve të drejtë.

Aktet 22:1-30
1. ''Vëllezër dhe etër, dëgjoni çfarë ju them tani për mbrojtjen time''.
2. Kur dëgjuan se u fliste atyre në gjuhën hebraike, heshtën edhe më shumë. Pastaj ai tha:
3. ''Në të vërtetë unë jam një Jude, lindur në Tars të Kilikisë dhe rritur në këtë qytet te këmbët e Gamalielit, edukuar me përpikërinë e ligjit të etërve tanë, plot me zell për Perëndinë, sikurse jeni ju të gjithë sot;
4. unë kam përndjekur këtë Udhë deri në vdekje, duke lidhur dhe duke futur në burg burra dhe gra,
5. sikurse jep dëshmi për mua kryeprifti dhe gjithë sinedri i pleqve, prej të cilëve mora edhe letra për vëllezërit dhe shkova në Damask për të sjellë të lidhur në Jeruzalem ata që ishin atje, që të ndëshkoheshin.
6. Dhe më ndodhi që, kur isha duke udhëtuar dhe po i afrohesha Damaskut, aty nga mesi i ditës, papritmas një dritë e madhe nga qielli vetëtiu rreth meje.
7. Dhe unë rashë përdhe dhe dëgjova një zë që po më thoshte: "Saul, Saul, përse më përndjek?".
8. Dhe unë u përgjigja: "Kush je ti, o Zot?" Edhe ai më tha: "Unë jam Jezus Nazareasi, të cilin ti e përndjek".
9. Edhe ata që ishin me mua e panë dritën dhe u trembën, por nuk dëgjuan zërin e atij që më fliste.
10. Unë thashë: "O Zot, ç'duhet të bëj?". Zoti më tha: "Çohu dhe shko në Damask! Atje do të të thuhet çfarë të është urdhëruar të bësh".
11. Dhe, mbasi unë nuk shihja asgjë për shkak të shkëlqimit të asaj drite, më morën për dore ata që ishin me mua; dhe hyra në Damask.
12. Dhe njëfarë Anania, njeri i perëndishëm sipas ligjit, për të cilin jepnin dëshmi të gjithë Judenjtë që banonin aty,
13. erdhi tek unë, dhe duke qëndruar pranë meje, tha: "O vëlla Saul, shiko përsëri!". Dhe në atë çast unë fitova përsëri dritën e syve dhe e shikova.
14. Pastaj vazhdoi: "Perëndia i etërve tanë të ka paracaktuar të njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin dhe të dëgjosh një zë nga goja e tij.
15. Sepse ti duhet të dëshmosh për të tek të gjithë njerëzit për ato që ke parë dhe ke dëgjuar.
16. Dhe tani ç'pret? Çohu dhe ji i pagëzuar dhe i larë nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin e Zotit".
17. Dhe ndodhi që, kur u ktheva në Jeruzalem dhe isha duke u lutur në tempull, u rrëmbeva në ekstazë,
18. dhe pashë Zotin që më thoshte: "Nxito dhe dil shpejt nga Jeruzalemi, sepse ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua".
19. Atëherë unë thashë: "O Zot, ata e dinë vetë se unë burgosja dhe rrihja nga një sinagogë te tjetra ata që besonin në ty;
20. kur u derdh gjaku i Stefanit, dëshmorit tënd, edhe unë isha i pranishëm, e miratoja vdekjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që e vrisnin.
21. Por ai më tha: "Shko, sepse unë do të të dërgoj larg midis johebrenjve"''.
22. Ata e dëgjuan deri në këtë pikë; pastaj ngritën zërin duke thënë: ''Hiqe nga bota një njeri të tillë, sepse nuk është i denjë të rrojë!''.
23. Duke qenë se ata bërtisnin, duke i flakur rrobat e duke ngritur pluhurin në erë,
24. kryemijësi urdhëroi ta çonin Palin në fortesë, duke urdhëruar që ta marrin në pyetje duke e rrahur me kamxhik, që të merrej vesh për çfarë arsye ata bërtisnin kështu kundër tij.
25. Por, kur e shtrinë, të lidhur me rripa, Pali i tha centurionit që ishte aty: ''A është e ligjshme për ju të rrihni me kamxhik një qytetar romak, ende të pagjykuar?''.
26. Kur e dëgjoi, centurioni shkoi e i tregoi kryemijësit duke thënë: ''Çfarë do të bësh? Ky njeri është një qytetar romak!''.
27. Atëherë kryemijësi shkoi te Pali dhe e pyeti: ''Më thuaj, a je një qytetar romak?''. Ai tha: ''Po, jam!''.
28. Kryemijësi u përgjigj: ''Unë e kam fituar këtë qytetëri me një shumë të madhe''. Pali tha: ''Kurse unë e kam qysh prej lindjes!''.
29. Menjëherë ata që duhet ta merrnin në pyetje u larguan prej tij; dhe vetë kryemijësi, kur mori vesh se ai ishte qytetar romak, pati frikë që e kishte lidhur.
30. Të nesërmen, duke dashur të marrë vesh me saktësi përse ishte akuzuar nga Judenjtë, e zgjidhi nga prangat dhe urdhëroi krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrin të vinin. Pastaj, si e sollën poshtë Palin, e nxori përpara tyre.