A A A A A

Bibla në një vit


Korrik 16


2 Kronikave 28:1-27
1. Ashazi ishte njëzet vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai nuk bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, siç kishte bërë Davidi, i ati;
2. por ndoqi rrugët e mbretërve të Izraelit, madje bëri shëmbëlltyra prej metali të shkrirë për Baalët.
3. Ai dogji temjan në luginën e Birit të Hinomit dhe dogji në zjarr bijtë e tij, duke ndjekur veprimet e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit;
4. përveç kësaj bënte flijime dhe dogji temjan mbi vendet e larta, mbi kodrat dhe nën çdo pemë të gjelbëruar.
5. Prandaj Zoti, Perëndia i tij, ia dha në dorë mbretit të Sirisë; ky i mundi dhe zuri një numër të madh robërish që i çuan në Damask. U dha gjithashtu në dorë të mbretit të Izraelit, që i shkaktoi një humbje të madhe.
6. Në të vërtetë Pekahu, bir i Remaliahut, brenda një dite vrau njëqind e njëzet mijë burra në Judë, tërë trima, sepse kishin braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre.
7. Zikri, një trim nga Efraimi, vrau Maasejahun, birin e mbretit, Azrikam, prefektin e pallatit, dhe Elkanahun, që zinte vendin e dytë pas mbretit.
8. Bijtë e Izraelit çuan robër, midis vëllezërve të tyre, dyqind mijë gra, bij dhe bija; u morën atyre edhe një plaçkë të madhe, që e çuan në Samari.
9. Por aty ishte një profet i Zotit, që quhej Obed. Ai doli para ushtrisë që po kthehej në Samari dhe tha: "Ja, me qenë se Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ishte i zemëruar me Judën, ju dha ata në duart tuaja, por ju i vratë me tërbim, që arriti deri në qiell.
10. Dhe tani doni t'i nënshtroni, si skllevërit tuaj dhe skllavet tuaja, bijtë dhe bijat e Judës dhe të Jeruzalemit. Por në realitet a nuk jeni fajtorë ju vetë përpara Zotit, Perëndisë tuaj?
11. Dëgjomëni, pra, dhe kthejini robërit që keni zënë midis vëllezërve tuaj, sepse përndryshe zemërimi i zjarrtë i Zotit do të bjerë mbi ju".
12. Atëherë disa nga krerët e bijve të Efraimit, Azariahu, bir i Johananit, Berekiahu, bir i Meshilemothit, Ezekia, bir i Shalumit, dhe Amasa, bir i Hadlait, u ngritën kundër atyre që ktheheshin nga lufta,
13. dhe u thanë: "Ju nuk do t'i sillni këtu robërit, sepse mbi ne rëndon tanimë një faj kundër Zotit; ajo që keni ndër mend të bëni do t'i shtojë edhe më tepër mëkatet dhe fajin tonë, sepse faji ynë është mjaft i madh dhe një zemërim i zjarrtë i kërcënohet Izraelit".
14. Atëherë ushtarët i lanë robërit dhe plaçkën përpara komandantëve dhe tërë asamblesë.
15. Pastaj disa njerëz të thirrur me emër u ngritën dhe morën robërit dhe me rrobat e plaçkës veshën tërë ata që ishin lakuriq; u dhanë rroba dhe sandale, për të ngrënë dhe për të pirë dhe i vajosën; pastaj i mbartën tërë të dobëtit mbi gomarë dhe i çuan në Jeriko, qyteti i palmave, pranë vëllezërve të tyre, pastaj u kthyen në Samari.
16. Në atë kohë mbreti Ashaz shkoi t'i kërkojë ndihmë mbretit të Asirisë.
17. Edomitët kishin ardhur përsëri, kishin mundur Judën dhe kishin marrë me vete robërit.
18. Filistejtë kishin pushtuar edhe qytetet e fushës dhe të Negevit të Judës dhe kishin marrë Beth-Shemeshin, Ajalonin, Gederothin, Sokon me fshatrat e tij, Timnahun me fshatrat e tij, Gimzon me fshatrat e tij, dhe ishin vendosur aty.
19. Zoti në fakt kishte poshtëruar Judën për shkak të Ashazit, mbretit të Izraelit, që kishte nxitur rënien morale në Judë dhe kishte kryer mëkate të rënda kundër Zotit.
20. Kështu Tilgath-Pilneseri, mbret i Asirisë, doli kundër tij dhe e shtypi në vend që ta ndihmonte,
21. megjithatë Ashazi kishte marrë një pjesë të thesareve të shtëpisë të Zotit, të pallatit të mbretit dhe të krerëve, dhe ia kishte dhënë të gjitha mbretit të Asirisë; megjithatë kjo nuk i vlejti fare.
22. Edhe kur ishte i shtypur, mbreti Ashaz mëkatoi edhe më shumë kundër Zotit.
23. U ofroi flijime perëndive të Damaskut që e kishin mundur, duke thënë: "Me qenë se perënditë e mbretit të Sirisë i ndihmojnë ata, unë do t'i ofroj atyre flijime që të më ndimojnë edhe mua". Por qenë pikërisht ata që shkaktuan shkatërrimin e tij dhe atë të të gjithë Izraelit.
24. Ashazi mblodhi gjithë veglat e shtëpisë së Perëndisë, i bëri ato copë-copë, mbylli portat e shtëpisë të Zotit, ndërtoi altare në çdo kënd të Jeruzalemit,
25. dhe në çdo qytet të Judës vendosi vende të larta për t'u djegur temjan perëndive të tjera, duke shkaktuar kështu zemërimin e Zotit, Perëndisë të etërve të tij.
26. Pjesa tjetër e bëmave të tij dhe tërë sjelljet e tij, nga e para në të fundit, janë shkruar në librin e mbretërve të Judës dhe të Izraelit.
27. Pastaj Ashazin pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytet, në Jeruzalem, por nuk deshën ta vënë në varrezat e mbretërve të Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ezekia.

2 Kronikave 29:1-36
1. Ezekia ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Abijah; ishte bija e Zakarias.
2. Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar Davidi, i ati.
3. Në vitin e parë të mbretërimit të tij, në muajin e parë, ai hapi portat e shtëpisë të Zotit dhe i restauroi.
4. Pastaj solli priftërinjtë dhe Levitët, dhe i mblodhi në sheshin lindor,
5. dhe u tha: "Më dëgjoni, o Levitë! Tani shenjtërohuni dhe shenjtëroni shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve tuaj, dhe nxirrni nga vendi i shenjtë çdo gjë të papastër.
6. Sepse etërit tanë kanë kryer mëkate dhe kanë bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë tonë dhe e kanë braktisur, duke i hequr fytyrat e tyre nga banesa e Zotit dhe duke i kthyer krahët.
7. Ata madje kanë mbyllur portat e portikut, kanë shuar llambat dhe nuk kanë djegur më temjan as nuk kanë ofruar olokauste në vendin e shenjtë të Perëndisë të Izraelit.
8. Prandaj zemërimi i Zotit ra mbi Judën dhe Jeruzalemin, dhe ai i ka braktisur në telashe, në shkretim dhe në përbuzje, siç mund ta shihni me sytë tuaj.
9. Dhe ja, për shkak të kësaj, etërit tanë ranë nga goditjet e shpatës, dhe bijtë tanë, bijat tona dhe gratë tona janë në robëri.
10. Tani kam në zemër të bëj një besëlidhje me Zotin, Perëndinë e Izraelit, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet prej nesh.
11. Bij të mij, mos u tregoni të shkujdesur tani, sepse Zoti ju ka zgjedhur që t'i shërbeni atij, që të jemi shërbëtorët e tij dhe që t'i ofroni temjan".
12. Atëherë Levitët u ngritën: Mahathi, bir i Amasait, Joeli, bir i Azariahut, nga bijtë e Kehathit. Nga bijtë e Merarit, Kishi, bir i Abdiut dhe Azariahut, bir i Jehalelelit. Nga Ghershonitët, Joahu, bir i Zimahut dhe Edeni, bir i Joahut.
13. Nga bijtë e Elitsafanit, Shimri dhe Jeieli. Nga bijtë e Asafit, Zakaria dhe Mataniahu.
14. Nga bijtë e Hemanit, Jehieli dhe Shimei. Nga bijtë e Jeduthunit, Shemajahu dhe Uzieli.
15. Ata mblodhën vëllezërit e tyre dhe u shenjtëruan; pastaj hynë në shtëpinë e Zotit për ta pastruar, sipas urdhrit të mbretit, në përputhje me fjalët e Zotit.
16. Kështu priftërinjtë hynë brënda shtëpisë të Zotit për ta pastruar dhe nxorën jashtë, në oborrin e shtëpisë të Zotit, të gjitha sendet e papastra që gjetën në tempullin e Zotit; Levitët i morën për t'i çuar jashtë në përroin e Kidronit.
17. Filluan të shenjtërohen ditën e parë të muajit; ditën e tetë të muajit hynë në portikun e Zotit; brenda tetë ditëve pastruan shtëpinë e Zotit dhe e përfunduan ditën e gjashtëmbëdhjetë të muajit të parë.
18. Pastaj hynë në pallatin e mbretit Ezekia dhe i thanë: "Kemi pastruar tërë shtëpinë e Zotit, altarin e olokausteve me të gjitha veglat e tij dhe tryezën e bukëve të paraqitjes me gjithë veglat e saj.
19. Përveç kësaj kemi vënë përsëri në vend dhe kemi pastruar të gjitha përdorëset që mbreti Ashaz në mëkatin e tij kishte flakur tej gjatë mbretërimit të tij; dhe ja, tani janë përpara altarit të Zotit".
20. Atëherë mbreti Ezekia u ngrit shpejt, mblodhi parinë e qytetit dhe u ngjit në shtëpinë e Zotit.
21. Ata sollën shtatë dema, shtatë desh, shtatë qengja dhe shtatë cjep, si flijim për mëkatin për mbretërinë, për shenjtëroren dhe për Judën. Pastaj mbreti urdhëroi priftërinjtë, bijtë e Aaronit, t'i ofronin në altarin e Zotit.
22. Kështu therën demat, dhe priftërinjtë mblodhën gjakun e tyre dhe spërkatën altarin me të; në të njëjtën mënyrë therën deshtë dhe spërkatën gjakun e tyre mbi altar; pastaj therën qengjat dhe spërkatën me gjakun e tyre altarin.
23. Pastaj i paraqitën mbretit dhe asamblesë cjeptë e flijimit për mëkatin, dhe ata vunë mbi to duart e tyre.
24. Priftërinjtë i therën dhe ofruan gjakun e tyre mbi altar si flijim për mëkatin, si shlyerje e fajit për tërë Izraelin, sepse mbreti kishte urdhëruar të ofronin olokaustin dhe flijimin për mëkatin, për tërë Izraelin.
25. Mbreti vendosi gjithashtu Levitët në shtëpinë e Zotit me cembale, me harpa dhe me qeste, sipas urdhrit të Davidit, të Gadit, shikuesi i mbretit, dhe të profetit Nathan, sepse urdhri ishte dhënë nga Zoti me anë të profetëve të tij.
26. Kështu Levitët zunë vend me veglat e Davidit, dhe priftërinjtë me boritë.
27. Atëherë Ezekia urdhëroi që olokausti të ofrohej mbi altar; dhe në çastin që filloi olokausti, filloi gjithashtu kënga e Zotit me boritë dhe me shoqërimin e veglave të Davidit, mbretit të Izraelit.
28. Atëherë tërë asambleja u përul, ndërsa këngëtarët këndonin dhe trumbetierët u binin veglave të tyre; e tërë kjo vazhdoi deri në fund të olokaustit.
29. Me të mbaruar olokausti, mbreti dhe tërë ata që ishin me të u përkulën dhe adhuruan.
30. Pastaj mbreti Ezekia dhe paria urdhëruan Levitët të lëvdonin Zotin me fjalët e Davidit dhe të shikuesit Asaf; ata e lëvduan me gëzim, pastaj u përkulën dhe e adhuruan.
31. Atëherë Ezekia mori fjalën dhe tha: "Tani që i jeni shenjtëruar Zotit, afrohuni dhe sillni flijime dhe oferta falënderimi në shtëpinë e Zotit". Kështu asambleja solli flijime dhe oferta falenderimi; dhe të gjithë ata që ua donte zemra sollën olokauste.
32. Numri i olokausteve që solli asambleja ishte shtatëdhjetë dema, njëqind desh dhe dyqind qengja; të tëra këto ishin olokauste për Zotin.
33. Kafshët e shenjtëruara ishin gjashtëqind lopë dhe tre mijë dele.
34. Por priftërinjtë ishin shumë të pakët dhe nuk mund të rripnin tërë olokaustet; prandaj vëllezërit e tyre, Levitët, i ndihmuan deri sa mbaroi tërë puna dhe deri sa të shenjtëroheshin priftërinjtë e tjerë, sepse Levitët e kishin zemrën më të pastër në shenjtërimin e priftërinjve.
35. Pati një numër të madh olokaustesh së bashku me dhjamin e fljimeve të falënderimit dhe me blatimet e olokausteve. Kështu u rivendos shërbimi i shtëpisë të Zotit.
36. Ezekia dhe tërë populli u gëzua që Perëndia e kishte përgatitur popullin; në të vërtetë kjo gjë u bë shpejt.

Psalmet 84:8-12
8. O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)
9. Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.
10. Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.
11. Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.
12. O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!

Fjalët e Urta 21:6-8
6. Të përftosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare e atij që kërkon vdekjen.
7. Dhuna e të pabesëve merr tutje, sepse ata nuk pranojnë të zbatojnë drejtësinë.
8. Rruga e njeriut të fajshëm është dredha-dredha, por njeriu i drejtë vepron ndershmërisht.

Aktet 19:21-41
21. Mbas këtyre ngjarjeve, Pali kishte vendosur në mendje të shkojë në Jeruzalem, duke kaluar nëpër Maqedoni dhe nëpër Akai, dhe thoshte: ''Mbasi të kem qenë atje, më duhet të shoh edhe Romën''.
22. Atëherë dërgoi në Maqedoni dy nga ata që i shërbenin, Timoteun dhe Erastin, dhe vetë ndenji edhe ca kohë në Azi.
23. Dhe në atë kohë u bë një trazirë e madhe lidhur me Udhën,
24. sepse një farë njeriu, me emër Dhimitër, argjendar, i cili bënte tempuj të Dianës në argjend, u sillte artizanëve jo pak fitim.
25. Ai i mblodhi këta bashkë me punëtorët që kishin një aktivitet të përafërt, dhe tha: ''O burra, ju e dini se fitimi ynë vjen nga kjo veprimtari.
26. Dhe ju shihni dhe dëgjoni se ky Pali ua ka mbushur mendjen dhe ktheu një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por gati në mbarë Azinë, duke thënë se nuk janë perëndi ata që janë bërë me duar.
27. Dhe jo vetëm që është rreziku për ne që kjo mjeshtria jonë të diskreditohet, por që edhe tempulli i perëndeshës së madhe Diana të mos vlerësohet më aspak dhe që t'i hiqet madhështia asaj, që gjithë Azia, madje gjithë bota, e nderon''.
28. Ata, kur i dëgjuan këto gjëra, u mbushën me inat dhe bërtisnin, duke thënë: ''E madhe është Diana e Efesianëve!''.
29. Dhe gjithë qyteti u mbush me rrëmujë; dhe si i morën me forcë Gain dhe Aristarkun, Maqedonas, bashkudhëtarë të Palit, rendën të gjithë, me një mendje, në teatër.
30. Dhe Pali donte t'i dilte popullit, por dishepujt nuk e lejonin.
31. Edhe disa Aziarkë, që ishin miq të tij, i çuan për ta lutur të mos dilte në teatër.
32. Ndërkaq disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër, saqë mbledhja ishte trazuar dhe më të shumtët nuk dinin përse ishin mbledhur.
33. Atëherë nga turma nxorën Aleksandrin, të cilin e shtynin Judenjtë. Dhe Aleksandri, mbasi bëri shenjë me dorë, donte të paraqiste një apologji para popullit.
34. Por, kur e morën vesh se ishte Jude, të gjithë me një zë filluan të bërtasin për gati dy orë: ''E madhe është Diana e Efesianëve!''.
35. Kancelari i qytetit, mbasi e qetësoi turmën, tha: ''O Efesianë, cili është vallë ai njeri që nuk e di se qyteti i Efesianëve është mbrojtësi i tempullit të perëndeshës së madhe Diana dhe i imazhit të saj që ra nga Zeusi?
36. Duke qenë, pra, se këto janë të pakundërshtueshme, ju duhet të rrini urtë dhe të mos bëni asgjë të nxituar.
37. Sepse i prutë këta njerëz që nuk janë as sacrileghi as blasfemues të perëndeshës suaj.
38. Pra, në qoftë se Dhimitri dhe mjeshtrit që janë me të kanë diçka kundër dikujt, gjykatat janë hapur dhe prokonsuj ka; le të padisin njëri-tjetrin.
39. Dhe nëse keni ndonjë kërkesë tjetër për të bërë, të zgjidhet në kuvendin sipas ligjit.
40. Ne në fakt jemi në rrezik të akuzohemi si kryengritës për ngjarjen e sotme, sepse nuk ka asnjë arsye me të cilën të përligjet ky grumbullim''.
41. Dhe, si i tha këto, e shpërndau mbledhjen.