A A A A A

Bibla në një vit


Korrik 10


2 Kronikave 15:1-19
1. Atëherë Fryma e Perëndisë erdhi mbi Azarisahun, birin i Odedit,
2. që doli të takojë Asan dhe i tha: "Asa, dhe ju të gjithë nga Juda dhe nga Beniamini, më dëgjoni! Zoti është me ju, kur ju jeni me të. Në rast se e kërkoni, ai do të vijë tek ju, por në rast se e braktisni, edhe ai do t'ju braktisë.
3. Për një kohë të gjatë Izraeli ka qenë pa Perëndinë e vërtetë, pa priftërinj që të jepnin mësim dhe pa ligj.
4. Por në fatkeqësinë e tyre ata u rikthyen tek Zoti, Perëndia i Izraelit, e kërkuan dhe ai i la ta gjenin.
5. Në atë kohë nuk kishte siguri për ata që shkonin e vinin, sepse të gjithë banorët e vendeve ishin shumë të shqetësuar.
6. Një komb shtypej nga një tjetër, një qytet nga një tjetër, sepse Perëndia i hidhëronte me fatkeqësira të çdo lloji.
7. Por ju jeni të fortë dhe mos lini që krahët tuaja të dobësohen, sepse puna juaj do të shpërblehet.
8. Kur Asa dëgjoi këto fjalë dhe profecinë e profetit Oded, mori zemër dhe hodhi idhujt e neveritshëm nga tërë vendi i Judës dhe i Beniaminit si dhe nga qytetet që kishte pushtuar në zonën malore të
9. Pastaj mblodhi tërë Judën dhe Beniaminin dhe ata të Efraimit, të Manasit dhe të Simeonit që banonin bashkë me ta; në fakt kishin ardhur tek ai në numër të madh nga Izraeli, kur kishin parë që Zoti, Perëndia i tyre, ishte me të.
10. Kështu u mblodhën në Jeruzalem në muajin e tretë të vitit të pesëmbëdhjetë të mbretërisë së Asas.
11. Në atë kohë flijuan për Zotin plaçka që kishin marrë, shtatëqind lopë dhe shtatë mijë dele.
12. Pastaj u zotuan me një besëlidhje të kërkojnë Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirtin e tyre.
13. Kushdo që nuk e kishte kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit, do të dënohej me vdekje, qoftë i madh apo i vogël, burrë apo grua.
14. Përveç kësaj iu betuan Zotit me zë të lartë dhe me britma gëzimi, të shoqëruar me boritë dhe brirët.
15. Tërë Juda u gëzua nga betimi, sepse ishin betuar me gjithë zemër dhe kishin kërkuar Zotin me gjithë vullnetin e tyre, dhe ai i kishte lënë ta gjejnë. Kështu Zoti u dha paqe rreth e qark.
16. Ai hoqi nga pozita që kishte si mbretëreshë edhe Maakahën, nënën e mbretit Asa, sepse ajo kishte bërë një shëmbëlltyrë të neveritshme të Asherahut. Pastaj Asa e shkatërroi shëmbëlltyrën, e bëri copë-copë dhe e dogji pranë përroit Kidron.
17. Por vendet e larta nuk u zhdukën në Izrael, megjithëse zemra e Asas mbeti e ndershme gjatë gjithë jetës së tij.
18. Ai bëri që të sillen në shtëpinë e Perëndisë gjërat e shenjtëruara nga i ati dhe gjërat e shenjtëruara nga ai vetë: argjendin, arin dhe enët.
19. Dhe nuk pati më luftë deri në vitin e tridhjetë e pestë të mbretërisë së Asas.

2 Kronikave 16:1-14
1. Në vitin e tridhjetë e gjashtë të mbretërisë së Asas, Baasha, mbret i Izraelit, doli kundër Judës dhe ndërtoi Ramahun për të penguar që dikush të hynte apo të dilte nga Asa, mbret i Judës.
2. Atëherë Asa nxori nga thesaret e shtëpisë të Zotit dhe të pallatit mbretëror argjend dhe ar dhe ia dërgoi Ben-Hadadit, mbretit të Sirisë, që banonte në Damask, duke thënë:
3. "Le të ketë aleancë midis teje dhe meje, ashtu si kishte midis atit tim dhe atit tënd. Ja, unë po të dërgoj argjend dhe ar: prandaj, prishe aleancën me Baashan, mbretin e Izraelit me qëllim që ai të tërhiqet nga unë".
4. Ben-Hadadi e dëgjoi mbretin Asa dhe dërgoi komandantët e ushtrisë së tij kundër qyteteve të Izraelit. Këta sulmuan Ijonin, Danin, Abel-Maimin dhe të gjitha qytetet-depozitë të Neftalit.
5. Kur Baasha e mësoi këtë, e ndërpreu ndërtimin e Ramahut dhe pezulloi punimet e tij.
6. Atëherë mbreti Asa mori të gjithë ata të Judës, që morën gurët dhe lëndën e drurit që Baasha kishte përdorur për të ndërtuar Ramahun dhe me to ndërtoi Geban dhe Mitspahun.
7. Në atë kohë shikuesi Hanani shkoi tek Asa, mbret i Judës, dhe i tha: "Me qenë se u mbështete te mbreti i Sirisë dhe nuk u mbështete tek Zoti, Perëndia yt, ushtria e mbretit të Sirisë të shpëtoi nga dora.
8. A nuk ishin vallë Etiopasit dhe Libianët një ushtri e pamasë me një numër shumë të madh qerresh dhe kalorësish? Megjithatë, me qenë se ishe mbështetur tek Zoti ai i dha në duart e tua.
9. Në të vërtetë Zoti me sytë e tij shikon përpara dhe mbrapa tërë dheun për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij. Në këtë ti ke vepruar si një i pamend; prandaj tani e tutje do të kesh luftëra".
10. Asa u indinjua dhe e futi në burg, sepse ishte zemëruar me të për këto gjëra. Në këtë kohë Asa u suall egërsisht edhe me disa njerëz nga populli.
11. Por ja, bëmat e Asait nga të parat deri në ato të fundit, i gjejmë të shkruara në librin e mbretit të Judës dhe të Izraelit.
12. Në vitin e tridhjetë e nëntë të mbretërimit të tij Asa u sëmur nga këmbët, dhe sëmundja e tij ishte shumë e rëndë, por gjatë sëmundjes së tij Ai nuk kërkoi Zotin, por iu drejtua mjekëve.
13. Kështu Asa pushoi bashkë me etërit e tij dhe vdiq në vitin e dyzetenjëtë të mbretërisë së tij.
14. E varrosën në varrin që i kishte hapur vetes në qytetin e Davidit, e vendosën mbi një shtrat plot me aroma dhe melheme të ndryshme të parfumuara, të përgatitura sipas artit të parfumierit, dhe dogjën një sasi të madhe prej tyre për nder të tij.

Psalmet 81:6-10
6. "O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.
7. Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t'u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)
8. Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!
9. Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.
10. Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.

Fjalët e Urta 20:24-25
24. Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet?
25. Éshtë një kurth për njeriun të marrë një zotim pa e matur mirë dhe, mbasi ta ketë marrë, të mendohet.

Aktet 16:1-21
1. Dhe ai arriti në Derbë dhe në Listra; këtu ishte një dishepull me emër Timote, biri i një gruaje judease besimtare, por me baba grek,
2. për të cilin jepnin dëshmi të mirë vëllezërit e Listrës dhe të Ikonit.
3. Pali deshi që të dilte me të; kështu e mori, e rrethpreu për shkak të Judenjve që ishin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se babai i tij ishte grek.
4. Dhe, duke kaluar nëpër qytete, i urdhëronin ata të zbatojnë vendimet që ishin marrë nga apostujt dhe nga pleqtë në Jeruzalem.
5. Kishat, pra, po forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër përditë.
6. Kur ata po kalonin nëpër Frigji dhe në krahinën e Galatisë, u penguan nga Fryma e Shenjtë që të shpallin fjalën në Azi.
7. Si arritën në kufijtë e Misisë, ata kërkuan të shkojnë në Bitini, por Fryma nuk i lejoi.
8. Kështu, pasi e përshkuan Misinë, zbritën në Troas.
9. Gjatë natës Palit iu shfaq një vegim. I rrinte para një burrë Maqedonas, që i lutej dhe i thoshte: ''Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo''.
10. Mbasi e pa vegimin, kërkuam menjëherë të shkojmë në Maqedoni, të bindur se Zoti na kishte thirrur që t'ua shpallim atyre ungjillin.
11. Prandaj, duke lundruar nga Troasi, u drejtuam për në Samotrakë, dhe të nesërmen në Neapolis,
12. dhe prej andej në Filipi, që është qyteti i parë i asaj ane të Maqedonisë dhe koloni romake; dhe qëndruam disa ditë në atë qytet.
13. Ditën e së shtunës dolëm jashtë qytetit anës lumit, ku ishte vendi i zakonshëm për lutje; dhe, si u ulëm, u flisnim grave që ishin mbledhur atje.
14. Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali.
15. Pasi ajo u pagëzua me familjen e saj, na u lut duke thënë: ''Në qoftë se më keni gjykuar se jam besnike ndaj Zotit, hyni në shtëpinë time dhe rrini''. Dhe na detyroi të pranojmë.
16. Dhe, kur po shkonim për lutje, na doli para një skllave e re që kishte një frymë falli, e cila, duke u treguar fatin njerëzve, u sillte shumë fitime zotërinjve të saj.
17. Ajo u vu të ndjekë Palin dhe ne, dhe bërtiste duke thënë: ''Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë Shumë të Lartë dhe ju shpallën udhën e shpëtimit''.
18. Dhe ajo e bëri këtë shumë ditë me radhë, por Pali, i mërzitur, u kthye dhe i tha frymës: ''Unë të urdhëroj në emër të Jezu Krishtit të dalësh prej saj''. Dhe fryma doli që në atë çast.
19. Por zotërinjtë e saj, kur panë se u humbi shpresa e fitimit të tyre, i kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën te sheshi i tregut përpara arkondëve;
20. dhe si ua paraqitën pretorët, thanë: ''Këta njerëz, që janë Judenj, e turbullojnë qytetin tonë,
21. dhe predikojnë zakone që për ne, që jemi Romakë, nuk është e ligjshme t'i pranojmë dhe t'i zbatojmë''.