A A A A A

Bibla në një vit

Qershor 29

1 Kronikave 21:1-30
1. Por Satanai u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin të bënte regjistrimin e popullit të Izraelit.
2. Kështu Davidi i tha Joabit dhe krerëve të popullit: "Shkoni dhe bëni regjistrimin e Izraelitëve nga Beer-Sheba deri në Dan; pastaj më paraqitni raportin që unë të dij numrin e tyre".
3. Joabi u përgjigj: "Zoti e shumëzoftë popullin e tij njëqind herë aq. Por, o mbret, o imzot, a nuk janë vallë të gjithë shërbëtorë të zortërisë sime? Pse zoti im kërkon një gjë të tillë? Pse e bën fajtor Izraelin?".
4. Por kërkesa e mbretit mbizotëroi mbi atë të Joabit. Prandaj Joabi u nis, e përshkoi tërë Izraelin dhe u kthye pastaj në Jeruzalem.
5. Joabi i dërgoi Davidit shifrat e regjistrimit të popullsisë; në të gjithë Izraelin kishte një milion e njëqind mijë njerëz të aftë për të përdorur shpatën dhe në Judë katërqind e shtatëdhjetë mijë njerëz të aftë për të përdorur shpatën.
6. Por në regjistrimin e këtyre Joabi nuk përfshiu Levin dhe Beniaminin, sepse për të kërkesa e mbretit ishte e neveritshme.
7. Kjo gjë nuk i pëlqeu Perëndisë, prandaj e goditi Izraelin.
8. Kështu Davidi i tha Perëndisë: "Kam bërë një mëkat shumë të madh duke bërë këtë gjë; por tani, të lutem, hiqja paudhësinë shërbëtorit tënd, sepse unë kam vepruar shumë pa mend".
9. Atëherë Zoti i foli Gadit, shikuesit të Davidit, duke i thënë:
10. "Shko e i thuaj Davidit: "Kështu thotë Zoti: Unë të propozoj tri gjëra: zgjidh njerën nga këto dhe unë do ta kryej për ty"".
11. Gadi shkoi te Davidi dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: Zgjidh
12. ose tre vjet zi buke, ose tre muaj shkatërrimesh përpara kundërshtarëve të tu, gjatë të cilave shpata e armiqve të tu do të të zërë, ose tri ditë shpate të Zotit, me fjalë të tjera murtaja në vend, gjatë të cilave engjëlli i Zotit do të të sjellë shkatërrim në të gjithë territorin e Izraelit. Tani më bëj të ditur përgjigjen që duhet t'i jap atij që më ka dërguar".
13. Davidi i tha Gadit: "Unë jam në një ankth të madh! Oh, më mirë unë të bija në duart e Zotit sepse është shumë i mëshirshëm, por të mos bija në duart e njerëzve!".
14. Kështu Zoti dërgoi murtajën në Izrael dhe vdiqën shtatëdhjetë mijë Izraelitë.
15. Perëndia dërgoi gjithashtu një engjëll në Jeruzalem për ta shkatërruar; por kur po përgatitej të fillonte shkatërrimin, Zoti ktheu shikimin, u pendua për fatkeqësinë e caktuar dhe i tha engjëllit që shkatërronte: "Tani mjaft! Mbaje dorën!". Engjëlli i Zotit qëndronte më këmbë pranë lëmit të Ornanit, Jebuseut.
16. Davidi me sytë e ngritur, pa engjëllin e Zotit që rrinte midis tokës dhe qiellit me në dorë një shpatë të zhveshur dhe të drejtuar mbi Jeruzalem. Atëherë Davidi dhe pleqtë, të veshur me thasë, ranë përmbys me fytyrë për tokë.
17. Davidi i tha Perëndisë: "A nuk kam qenë unë, vallë, ai që urdhëroi regjistrimin e popullsisë? Kam qenë unë që kam mëkatuar dhe që kam bërë të keqen; por këta, kopeja, çfarë kanë bërë? Të lutem, o Zot, Perëndia im, drejtoje dorën tënde kundër meje dhe kundër shtëpisë së atit tim, por mos e godit popullin tënd me këtë fatkeqësi".
18. Atëherë engjëlli i Zotit urdhëroi Gadin t'i thotë Davidit që ky të dalë dhe t'i ngrejë një altar Zotit në lëmin e Ornanit, Jebuseut.
19. Kështu Davidi doli sipas fjalës që Gadi kishte shqiptuar në emër të Zotit.
20. Ornani u kthye dhe pa engjëllin; prandaj të katër bijtë e tij që ishin me të u fshehën, por Ornani vazhdoi të shijë grurin.
21. Kur Davidi arriti pranë Ornanit, ky e shikoi dhe e njohu Davidin; doli pastaj nga lëmi dhe ra përmbys para Davidit me fytyrë për tokë.
22. Atëherë Davidi i tha Ornanit: "Më jep sipërfaqen e lëmit; që të ndërtojë një altar për Zotin; ma jep për gjithë vlerën e saj, me qëllim që fatkeqësia të mos godasë më popullin".
23. Ornani i tha Davidit: "Merre; dhe mbreti, zoti im, të bëjë atë që i duket më e mirë; ja, unë po të jap edhe qetë e olokaustit, veglat e shirjes për dru dhe grurin për blatimin e ushqimit; po t'i jap të gjitha".
24. Por mbreti David i tha Ornanit: "Jo! Unë dua ta ble për vlerën e saj të plotë, sepse nuk ka për të marrë për Zotin atë që është prona jote dhe nuk kam për të ofruar një olokaust që nuk më kushton asgjë".
25. Kështu Davidi i dha Ornanit si çmim të tokës peshën e gjashtëqind siklave ari.
26. Pastaj Davidi ndërtoi aty një altar për Zotin, ofroi olokauste dhe flijime falenderimi dhe kërkoi ndihmën e Zotit, që iu përgjigj me zjarrin që zbriti nga qielli mbi altarin e olokaustit.
27. Atëherë Zoti urdhëroi engjëllin ta fusë përsëri shpatën e tij në myll.
28. Në atë kohë Davidi, duke parë që Zoti ia kishte plotësuar dëshirën në lëmin e Ornanit, Jebuseut, ofroi aty flijime.
29. Në fakt tabernakulli i Zotit që Moisiu kishte ndërtuar në shkretëtirë dhe altari i olokausteve ndodheshin atëherë në vendin e lartë të Gabaonit.
30. Por Davidi nuk mund të shkonte përpara atij altari për t'u këshilluar me Perëndinë, sepse ishte trembur përpara shpatës së engjëllit të Zotit.

1 Kronikave 22:1-19
1. Pastaj Davidi tha: "Kjo është shtëpia e Zotit Perëndi dhe ky është altari i olokausteve për Izraelin".
2. Atëherë Davidi dha urdhër të grumbulloheshin të huajt që ishin në vendin e Izraelit dhe i ngarkoi gurgdhendësit të latonin gurë për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë.
3. Davidi përgatiti gjithashtu hekur me bollëk për gozhdat e kanateve të dyerve dhe për kanxhët, një sasi bronzi me peshë të pallogaritshme,
4. dhe dru kedri që nuk mund të llogaritej, sepse Sidonët dhe Tirët i kishin sjellë Davidit dru kedri me bollëk.
5. Davidi thoshte: "Salomoni, biri im, është i ri dhe i mungon përvoja; shtëpia që do t'i ndërtohet Zotit ka për të qenë jashtëzakonisht madhështore dhe do të fitojë famë e lavdi në të gjitha vendet; prandaj kam për të bërë përgatitjet e duhura për të". Kështu Davidi, para se të vdiste, bëri përgatitje të mëdha.
6. Pastaj thirri birin e tij Salomonin dhe e urdhëroi të ndërtonte një shtëpi për Zotin, Perëndinë e Izraelit.
7. Davidi i tha Salomonit: "Biri im, unë vetë kisha në zemër të ndërtoja një shtëpi në emër të Zotit, Perëndisë tim;
8. por fjala e Zotit m'u drejtua, duke më thënë: "Ti ke derdhur shumë gjak dhe ke bërë shumë luftëra; prandaj nuk do të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, sepse ke derdhur shumë gjak mbi tokë para meje.
9. Por ja, do të të lindë një djalë, që do të jetë paqedashës dhe unë do ta lë të shlodhet nga ana e të gjithë armiqve të tij që ndodhen rreth e qark. Ai do të quhet Salomon dhe gjatë ditëve të tij do t'i siguroj paqe dhe qetësi Izraelit.
10. Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim; ai do të jetë për mua një djalë dhe unë do të jem për të një baba; dhe do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë fronin e mbretërisë së tij mbi Izraelin".
11. Tani, biri im, Zoti qoftë me ty, në mënyrë që ti të përparosh dhe të ndërtosh shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, ashtu si ka thënë ai për ty.
12. Vetëm Zoti të dhëntë dituri dhe zgjuarësi, të besoftë përgjegjësinë mbi Izraelin, për të respektuar ligjin, e Zotit, Perëndisë tënd.
13. Atëherë do të kesh mbarësi, po të jetë se kujdesesh të zbatosh statutet dhe dekretet që Zoti i ka caktuar Moisiut për Izraelin. Ji i fortë dhe trim, mos ki frikë dhe mos u trondit.
14. Ja, unë jam preokupuar të përgatis për shtëpinë e Zotit njëqind mijë talenta ari, një milion talenta argjendi dhe një sasi të tillë bronzi dhe hekuri sa nuk peshohet dot. Kam përgatitur gjithashtu lëndë druri dhe gurë; dhe ti mund t'i shtosh edhe më.
15. Përveç kësaj ke me vete shumë punëtorë: gdhëndës, punëtorë të gurit dhe të drurit dhe çdo lloj teknikësh për çfarëdo lloj punimi.
16. Ka një sasi të pallogaritshme ari, argjendi, bronzi dhe hekuri. Çohu, pra, dhe futju punës, dhe Zoti qoftë me ty!".
17. Davidi u dha gjithashtu urdhër tërë krerëve të Izraelit të ndihmonin Salomonin, birin e tij, dhe u tha atyre:
18. "A nuk është vallë Zoti, Perëndia juaj, me ju, dhe a nuk ju ka dhënë paqe rreth e qark? Në fakt ai i ka lënë banorët e vendit në duart e mia, dhe vendi është nënshtruar para Zotit dhe para popullit të tij.
19. Prandaj tani bëni që zemra dhe shpirti juaj të kërkojnë Zotin, Perëndinë tuaj; pastaj çohuni dhe ndërtoni shenjtëroren e Zotit, Perëndisë tuaj, për të transferuar arkën e besëlidhjes të Zotit dhe sendet që ia keni shenjtëruar Perëndisë në tempullin që do të ndërtohet në emër të Zotit".

Psalmet 78:34-39
34. Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell.
35. Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre.
36. Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre.
37. Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij.
38. Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë,
39. duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më.

Fjalët e Urta 20:1-2
1. Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë.
2. Frika e mbretit është si ulërima e luanit; kush ia nxit zemërimin mëkaton kundër vetë jetës së vet.

Aktet 9:1-21
1. Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti,
2. dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t'i sillte të lidhur në Jeruzalem.
3. Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli.
4. Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: ''Saul, Saul, përse më përndjek?''.
5. Dhe ai tha: ''Kush je, Zot?''. Dhe Zoti tha: ''Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave''.
6. Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: ''Zot, ç'don ti të bëj unë?''. Dhe Zoti: ''Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç'duhet të bësh''.
7. Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri.
8. Pastaj Sauli u çua nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask.
9. Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu.
10. Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: ''Anania!''. Dhe ai u përgjigj: ''Ja ku jam, Zot!''.
11. Dhe Zoti i tha: ''Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet;
12. ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t'ia kthyer dritën e syve''.
13. Atëherë Anania u përgjigj: ''O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.
14. Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd''.
15. Por Zoti i tha: ''Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.
16. Sepse unë do t'i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim''.
17. Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: ''Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë''.
18. Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.
19. Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.
20. Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë.
21. Dhe të gjithë ata që e dëgjonin çuditeshin dhe thoshnin: ''Po a nuk është ky ai që në Jeruzalem përndiqte të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër, dhe ka ardhur këtu me synim që t'i çojë si robër te krerët e priftërinjve?''.