A A A A A

Bibla në një vit


Qershor 27


1 Kronikave 17:1-27
1. Ndodhi që Davidi, mbasi u vendos në shtëpinë e vet, i tha profetit Nathan: "Ja, unë banoj në një shtëpi prej kedri, ndërsa arka e besëlidhjes të Zotit ndodhet nën një çadër".
2. Nathani iu përgjegj Davidit: "Bëj të gjitha ato që ke në zemër, sepse Perëndia është me ty".
3. Por po atë natë fjala e Perëndisë iu drejtua Nathanit, duke i thënë:
4. "Shko t'i thuash shërbëtorit tim David: "Kështu thotë Zoti: Nuk do të jesh ti ai që do të më ndërtojë një shtëpi në të cilën unë të mund të banoj.
5. Në fakt nuk kam banuar kurrë në një shtëpi nga dita që kam nxjerrë Izraelin nga Egjipti deri më sot; por kam shkuar nga një çadër te tjetra dhe nga një banesë te tjetra.
6. Kudo kam shkuar me gjithë Izraelin, a i kam folur vallë ndonjerit prej gjyqtarëve të Izraelit, të cilët i kisha urdhëruar të ushqenin popullin tim, duke thënë: "Pse nuk më ndërtoni një shtëpi me dru kedri?".
7. Tani do t'i flasësh kështu shërbëtorit tim David: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë të mora nga vatha, kur po shkoje pas deleve, dhe të bëra princ mbi popullin tim, Izraelin.
8. kam qenë me ty kudo ku ke vajtur, kam shfarosur përpara teje tërë armiqtë e tu dhe e kam bërë emrin tënd si atë të njerëzve të mëdhenj që janë mbi dhe.
9. Përveç kësaj do t'i jap popullit tim të Izraelit një vend ku të banojë në shtëpinë e tij dhe të mos e lëvizin më, dhe të këqijtë të mos vazhdojnë ta shkretojnë si më parë,
10. qysh prej kohës që kam vendosur gjyqtarët mbi popullin tim të Izraelit. Do të poshtëroj edhe tërë armiqtë e tu. Të njoftoj gjithashtu që Zoti do të të ndërtojë një shtëpi.
11. Kur të mbushen ditët e tua dhe të shkosh të bashkohesh me etërit e tu, unë do të nxjerrë një pasardhësin tënd, që do të jetë një nga bijtë e tu, dhe do ta konsolidoj mbretërinë e tij.
12. Ai do të më ndërtojë një shtëpi dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm fronin e tij përgjithnjë.
13. Unë do të jem për të një atë dhe ai për mua një bir; dhe nuk do t'ia heq përkrahjen time ashtu siç ia kam hequr atij që të ka paraprirë.
14. Unë do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë në shtëpinë time dhe në mbretërinë time, dhe froni i tij do të jetë i qëndrueshëm gjithnjë"".
15. Nathani i foli Davidit duke përdorur tërë këto fjalë dhe sipas gjithë vizionit të tij.
16. Atëherë mbreti David hyri, u ul përballë Zotit dhe tha: "Kush jam unë, o Zot Perëndi, ç'është shtëpia ime, që ti më bëre të arrij deri këtu?
17. Megjithatë kjo t'u duk një gjë e vogël para syve të tu, o Perëndi; ti fole edhe për shtëpinë e shërbëtorit tënd për një të ardhme të largët dhe më konsiderove sikur të isha një njeri i rangut të lartë, o Zot Perëndi.
18. Çfarë mund të thotë akoma Davidi për nderin që i ke bërë shërbëtorit tënd? Ti e njeh në të vërtetë shërbëtorin tënd.
19. O Zot, për dashurinë e shërbëtorit tënd dhe sipas zemrës sate, ti ke kryer gjithë këto vepra të fuqishme për t'i bërë të njohura tërë këto gjëra të mëdha.
20. O Zot, askush nuk është i ngjashëm me ty dhe nuk ka tjetër Perëndi veç teje, sipas tërë ato që kemi dëgjuar me veshët tona.
21. Dhe kush është si populli yt i Izraelit, i vetmi komb mbi tokë që Perëndia erdhi për ta çliruar dhe për ta bërë popullin e tij, për të të dhënë një emër me gjëra të mëdha dhe të tmerrshme, duke i dëbuar kombet përpara popullit tënd që ti ke çliruar nga Egjipti?
22. Ti e ke bërë popullin e Izraelit popullin tënd për gjithnjë; dhe ti, o Zot, je bërë Perëndia i tyre.
23. Prandaj fjala që ke shqiptuar, o Zot, përsa i përket shërbëtorit tënd dhe shtëpisë së tij, të ruajë vlerën e saj për gjithnjë! Bëj siç ke thënë!
24. Po, të mbetet e vlefshme, me qëllim që emri yt të shkëlqejë për gjithnjë dhe të kemi mundësinë të themi: "Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, është me të vërtetë Perëndia për Izraelin"; dhe shtëpia e shërbëtorit tënd David u bëftë e qëndrueshme para teje!
25. Ti vetë, o Perëndia im, i ke treguar shërbëtorit tënd se do t'i ndërtoje një shtëpi. Prandaj shërbëtori yt pati guximin të lutet në praninë tënde.
26. Dhe tani, o Zot, ti je Perëndia dhe i ke premtuar këtë të mirë shërbëtorit tënd.
27. Ndërkaq le të të pëlqejë të bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, me qëllim që ajo të qëndrojë gjithnjë para teje, sepse atë që bekon ti, o Zot, është e bekuar për gjithnjë".

1 Kronikave 18:1-17
1. Mbas këtyre ngjarjeve, Davidi mundi Filistejtë dhe i poshtëroi, duke u hequr nga dora Gathin dhe fshatrat përreth tij.
2. Ai mundi gjithashtu Moabitët; dhe Moabitët u bënë nënshtetas dhe haraçpagues të Davidit.
3. Davidi mundi përveç tyre Hadarezerin, mbretin e Tsobahut, deri në Hamath, ndërsa ai shkonte për të vendosur sundimin e tij gjatë lumit Eufrat.
4. Davidi i mori një mijë qerre, i kapi shtatë mijë kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Davidi preu gjithashtu kërcinjtë e tërë kuajve, por kurseu mjaft për njëqind qerre.
5. Kur Sirët e Damaskut erdhën për të ndihmuar Hadarezerin, mbretin e Tsobahut, Davidi vrau njëzet e dy mijë Sirë.
6. Pastaj Davidi vendosi garnizone në Sirinë e Damaskut, dhe Sirët u bënë nënshtetas dhe haraçpagues të Davidit; dhe Zoti e përkrahte Davidin kudo që ai shkonte.
7. Davidi mori mburojat e arta që shërbëtorët e Hadarezerit kishin me vete dhe i çoi në Jeruzalem.
8. Davidi mori edhe një sasi të madhe bronzi në Tibhath dhe në Kun, qytete të Hadarezerit. Me të Salomoni ndërtoi detin prej bronzi, shtyllat dhe veglat prej bronzi.
9. Kur Tou, mbret i Hamathit, mësoi që Davidi kishte mundur tërë ushtrinë e Hadarezerit, mbretit të Tsobahut,
10. i dërgoi mbretit David Hadoramin, birin e tij, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse kishte luftuar kundër Hadarezerit dhe e kishte mundur (Hadarezeri ishte gjithnjë në luftë me Toun); dhe Hadorami pruri me vete lloj-lloj enësh ari, argjendi dhe bronzi.
11. Mbreti David ia shenjtëroi edhe këto Zotit, ashtu si kishte bërë me argjendin dhe me arin që u kishte marrë tërë kombeve, domethënë Edomitëve, Moabitëve, Amonitëve, Filistejve dhe Amalekitëve.
12. Përveç kësaj Abishai, bir i Tserujahut, mundi tetëmbëdhjetë mijë Edomitë në luginën e Kripës.
13. Vendosi garnizone edhe në Idumea dhe tërë Edomitët u bënë nënshtetas të Davidit; dhe Zoti e përkrahte Davidin kudo që shkonte.
14. Kështu Davidi mbretëroi mbi tërë Izraelin, duke shqiptuar gjykime dhe duke administruar drejtësinë tërë popullit të tij.
15. Joabi, bir i Tserujahut, ishte komandant i ushtrisë; Jozafati, bir i Ahikudit, ishte arkivist;
16. Tsadoku, bir i Ahitubit, dhe Abimeleku, bir i Abiatharit, ishin priftërinj; Shavsha ishte sekretar;
17. Benajahu, bir i Jehojadait, ishte kryetar i Kerethejve dhe i Pelethejve; bijtë e Davidit ishin të parët në krah të mbretit.

Psalmet 78:17-25
17. Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë,
18. dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.
19. Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?
20. Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t'i japë bukë dhe mish popullit të tij?
21. Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez,
22. sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij.
23. Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,
24. dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.
25. Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.

Fjalët e Urta 19:25-26
25. Godite tallësin dhe njeriu i thjeshtë do të bëhet mëndjehollë; qorto atë që ka mend dhe ai do të fitojë dituri.
26. Kush përdor dhunë me të atin dhe dëbon nënen e tij, është një faqenxirë dhe me turp.

Aktet 8:1-25
1. Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve.
2. Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Stefanin dhe bënë gjëmë të madhe për të.
3. Por Sauli po shkatërronte kishën: hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg.
4. Ata, pra, që ishin shpërndarë shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën.
5. Dhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikoi atyre Krishtin.
6. Dhe turmat, me një mendje të vetme, dëgjonin me vëmendje gjërat që thoshte Filipi, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që ai bënte.
7. Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të idemonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin.
8. Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh.
9. Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh.
10. Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: ''Ky është fuqia e madhe e Perëndisë''.
11. Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me mjeshtrinë e tij prej magjistari.
12. Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan.
13. Besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i çuditur.
14. Por kur apostujt dëgjuan në Jeruzalem se Samaria kishte pranuar fjalën e Perëndisë, i dërguan atyre Pjetrin dhe Gjonin.
15. Kur këta arritën, u lutën për ta, që të merrnin Frymën e Shenjtë,
16. sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjë prej tyre, por ata vetëm ishin pagëzuar në emër të Zotit Jezus.
17. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Frymën e Shenjtë.
18. Dhe Simoni, kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepej Fryma e Shenjtë, u ofroi atyre para,
19. duke thënë: ''Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që ai të cilit do t'i vë duart, të marrë Frymën e Shenjtë''.
20. Por Pjetri i tha: ''Le të humbasë paraja jote dhe ti bashkë me të, sepse ti mendove se mund ta blesh me para dhuratën e Perëndisë.
21. Ti nuk ke as pjesë as short në këtë gjë, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë.
22. Pendohu, pra, për këtë ligësi që ke dhe lutju Perëndisë që, po të jetë e mundur, të të falet mendimi i zemrës sate.
23. Sepse unë të shoh se je në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë''.
24. Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: ''Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga ato që thatë''.
25. Ata, pra, pasi dhanë dëshmi dhe predikuan fjalën e Zotit, u kthyen në Jeruzalem, mbasi ungjillzuan shumë fshatra të Samaritanëve.