A A A A A

Bibla në një vit


Qershor 25


1 Kronikave 13:1-14
1. Davidi u këshillua me komandantët e mijëshëve e dhe të qindëshëve dhe me të gjithë princat.
2. Pastaj Davidi i tha tërë asamblesë së Izraelit: "Në qoftë se kjo ju duket e mirë dhe në se na vjen nga Zoti, Perëndia ynë, t'u çojmë fjalë vëllezërve tanë që kanë mbetur në të gjitha krahinat e Izraelit, dhe me ta edhe priftërinjve dhe Levitëve në qytetet e tyre dhe tokat për kullotë të mblidhen pranë nesh,
3. dhe ta sjellim përsëri arkën e Perëndisë tonë te ne, sepse nuk e kemi kërkuar në kohën e Saulit".
4. Tërë asambleja pranoi të vepronte kështu, sepse kjo gjë dukej e drejtë në sytë e tërë popullit.
5. Atëherë mblodhi tërë Izraelin nga Shihori i Egjiptit, deri në hyrje të Hamathit, për ta sjellë përsëri arkën e Perëndisë nga Kiriath-Jearimi.
6. Pastaj Davidi me tërë Izraelin u nis në drejtim të Baalahut, domethënë në drejtim të Kirjath-Jearimit që ishte pronë e Judës, për të mbartur që andej arkën e Perëndisë, të Zotit, që rri mbi kerubinët, ku përmëndet emri i tij.
7. Nga shtëpia e Abinadabit e transportuan arkën e Perëndisë mbi një qerre të re. Uza dhe Ahio e ngisnin qerren.
8. Davidi dhe tërë Izraeli e kremtonin këtë ngjarje përpara Perëndisë me tërë forcat e tyre, me këngë dhe qeste, me harpe, dajre, cembale dhe bori.
9. Kur arritën në lëmin e Kidonit, Uza shtriu dorën për të mbajtur arkën, sepse qetë ishin penguar.
10. Atëherë zemërimi i Zotit shpërtheu kundër Uzës dhe e goditi, sepse kishte shtrirë dorën e tij mbi arkë; ai vdiq atje përpara Perëndisë.
11. Davidi u hidhërua shumë sepse Zoti kishte hapur një të çarë në popull duke goditur Uzën. Prandaj ky vend quhet edhe sot e Çara e Uzës.
12. Atë ditë Davidi pati frikë nga Perëndia dhe tha: "Si mund ta transportoj arkën e Perëndisë në shtëpinë time?".
13. Kështu Davidi nuk deshi ta kishte arkën pranë vetes në qytetin e Davidit, por e kaloi në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi.
14. Arka e Perëndisë mbeti tre muaj pranë familjes së Obed-Edomit në shtëpinë e saj; dhe Zoti bekoi shtëpinë e Obed-Edomit dhe gjithshka që ishte pronë e tij.

1 Kronikave 14:1-17
1. Hirami, mbret i Tiros, i dërgoi Davidit lajmëtarë, dru kedri, muratorë, dhe marangozë për t'i ndërtuar një shtëpi.
2. Atëherë Davidi e pranoi që Zoti e kishte vendosur mbret të Izraelit, sepse mbretëria e tij qe lavdëruar shumë për shkak të popullit të tij, Izraelit.
3. Davidi u martua me gra të tjera në Jeruzalem dhe i lindën djem e vajza.
4. Këto janë emrat e bijve që i lindën në Jeruzalem: Shamua, Shohabi, Salomoni,
5. Ibhari, Elishua, Elpeleti,
6. Nagahu, Nefegu, Jafia,
7. Elishama, Beelida dhe Elifeleti.
8. Kur Filistejtë mësuan që Davidi ishte vajosur mbret i tërë Izraelit, dolën të gjithë në kërkim të Davidit. Sa e mësoi këtë, Davidi u doli përballë.
9. Filistejtë arritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit.
10. Atëherë Davidi u këshillua me Perëndinë, duke thënë: A duhet të dal kundër Filistejve? A do të m'i japësh në duart e mia?". Zoti u përgjigj: "Dil dhe unë do t'i jap në duart e tua".
11. Ata dolën në Baal-Peratsim, ku Davidi i mundi dhe tha: "Perëndia ka hapur me duart e mia një kalim midis armiqve të mi, si një kalim i hapur nga ujërat". Prandaj i vunë këtij vendi emrin e Baal-Peratsimit.
12. Filistejtë braktisën aty perënditë e tyre dhe Davidi urdhëroi që të digjeshin në zjarr.
13. Më vonë Filistejtë filluan të shpërndahen nëpër luginë.
14. Davidi u këshillua përsëri me Perëndinë, dhe Perëndia i tha: "Mos u dil prapa, por merru krahët dhe sulu mbi ta përballë ballsameve.
15. Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e ballsameve, hidhu menjëherë në sulm, sepse Perëndia do të të dalë përpara për të mundur ushtrinë e Filistejve".
16. Davidi bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia, dhe ata mundën ushtrinë e Filistejve nga Gabaoni deri në Gezer.
17. Kështu fama e Davidit u përhap në të gjitha vendet, dhe Zoti solli tmerrin e tij mbi të gjitha kombet.

Psalmet 78:1-11
1. Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.
2. Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.
3. Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,
4. nuk do t'ua fshehim bijve të tyre, por do t'i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.
5. Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t'ua bëjnë të njohura bijve të tyre,
6. me qëllim që brezi i ardhshëm t'i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t'ua tregojnë bijve të tyre,
7. dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;
8. dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.
9. Bijtë e Efraimit, njerëz të luftës, harkëtarë të zotë, kthyen shpinën ditën e betejës,
10. nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij,
11. harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte treguar.

Fjalët e Urta 19:20-21
20. Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua.
21. Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar.

Aktet 7:22-43
22. Kështu Moisiu u arsimua me gjithë diturinë e Egjiptasve dhe ishte i pushtetshëm në fjalë e në vepra.
23. Po kur arriti në moshën dyzet vjeçare, i erdhi në zemër të shkojë e të vizitojë vë-llezërit e tij: bijtë e Izraelit.
24. Kur pa se dikujt po i bëhej një padrejtësi, e mbrojti dhe ia mori hakun të shtypurit, duke vrarë Egjiptasin.
25. Dhe ai mendonte se vëllezërit e tij do ta kuptonin se Perëndia do t'u jepte çlirimin me anë të tij, por ata nuk e kuptuan.
26. Të nesërmen ai u duk në mes tyre, ndërsa po ziheshin dhe i këshilloi për paqe, duke thënë: "O burra, ju jeni vëllezër, pse ia bëni me të padrejtë njëri-tjetrit?".
27. Por ai që ia bënte me të padrejtë fqinjit të vete shtyu, duke thënë: "Kush të ka vënë ty të parë dhe gjykatës mbi ne?
28. Don të më vrasësh mua, ashtu si vrare dje Egjiptasin?".
29. Për shkak të këtyre fjalëve Moisiu iku dhe banoi si i huaj në vendin e Madianit, ku i lindën dy bij.
30. Si kaluan dyzet vjet, engjëlli i Zotit iu shfaq në shkretëtirën e malit Sinai, në flakën e zjarrit të një ferrishteje.
31. Kur e pa, Moisiu mbeti i habitur nga sa shihte; dhe, kur po afrohej për të vërejtur, dëgjoi zërin e Zotit,
32. që thoshte: "Unë jam Perëndia e etërve të tu, Perëndia e Abrahamit, Perëndia e Isakut dhe Perëndia e Jakobit". Por Moisiu, që dridhej i tëri, nuk guxonte të shikonte.
33. Atëherë Perëndia i tha: "Hiqi sandalet nga këmbët e tua, sepse vendi ku ti po qëndron është tokë e shenjtë.
34. Unë e kam parë qartë pikëllimin e popullit tim në Egjipt dhe i dëgjova psherëtimat e tyre, dhe kam zbritur për t'i çliruar; tani, pra, eja, unë do të të dërgoj në Egjipt!".
35. Atë Moisiun që e kishin refuzuar, duke thënë: "Kush të vuri ty të parë dhe gjykatës?", po atë u dërgoi Perëndia si kryetar dhe çlirues me anë të engjëllit që i ishte shfaqur në ferrishte.
36. Ai i nxori jashtë, duke kryer shenja e mrekulli në vendin e Egjiptit, në Detin e Kuq dhe në shkretirë për dyzet vjet.
37. Ky është ai Moisi që u tha bijve të Izraelit: "Zoti, Perëndia juaj do të nxjerrë për ju, nga mesi i vëllezërve tuaj, një profet si mua. Dëgjojeni!".
38. Ky është ai që në kuvend, në shkretëtirë, ishte me engjëllin që i fliste mbi malin Sinai dhe me etërit tanë; dhe mori fjalët e jetës për të na e përçuar neve.
39. Etërit tanë nuk deshën t'i binden atij; madje e hodhën poshtë dhe me zemrat e tyre u kthyen nga Egjipti,
40. duke i thënë Aaronit: "Na bëj disa perëndi që të na prijnë, sepse nuk dimë ç'i ka ndodhur këtij Moisiu që na nxori nga vendi i Egjiptit".
41. Dhe në ato ditë ata bënë një viç, i ofruan flijim idhullit dhe u gëzuan me veprën e duarve të tyre.
42. Atëherë Perëndia u tërhoq dhe i la t'i shërbejnë ushtrisë së qiellit, ashtu siç është shkruar në librin e profetëve: "O shtëpi e Izraelit, a më keni kushtuar flijime dhe olokauste për dyzet vjet në shkretëtirë?
43. Apo më shumë mbartët çadrën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Remfan, imaxhe që i bëtë vetë për t'i adhuruar; për këtë arsye unë do t'ju shpërngul përtej Babilonisë".