A A A A A

Bibla në një vit


Qershor 2


1 Mbretër 13:1-34
1. Dhe ja, një njeri i Perëndisë arriti nga Juda në Bethel me urdhër të Zotit, ndërsa Jeroboami qëndronte pranë altarit për të djegur temjan.
2. Me urdhër të Zotit klithi kundër altarit dhe tha: "Altar, altar, kështu thotë Zoti: "Ja, në shtëpinë e Davidit do të lindë një djalë, i quajtur Jozia, i cili ka për të flijuar mbi ty priftërinjtë e vendeve të larta dhe do të djegë mbi ty kocka njerëzore"".
3. Po atë ditë dha një shenjë të mrekullueshme, duke thënë: "Kjo është shenja për të cilën foli Zoti; ja, altari do të çahet dhe hiri që është mbi të do të shpërndahet".
4. Kur mbreti Jeroboam dëgjoi fjalët që njeriu i Perëndisë kishte shqiptuar kundër altarit në Bethel, shtriu dorën nga altari dhe tha: "Kapeni!". Por dora që Jeroboami kishte shtrirë kundër tij u tha dhe nuk mundi më ta tërheqë.
5. Përveç kësaj, altari u ça dhe hiri i tij u shpërnda, sipas shenjës që njeriu i Perëndisë kishte dhënë me urdhër të Zotit.
6. Atëherë mbreti iu drejtua njeriut të Zotit dhe i tha: Oh, lutju shumë Zotit, Perëndisë tënd, dhe lutu për mua, deri sa të më ripërtërihet dora". Njeriu i Perëndisë iu lut shumë Zotit dhe mbretit iu ripërtëri dora, ashtu siç ishte më parë.
7. Atëherë mbreti i tha njeriut të Perëndisë: "Eja në shtëpi bashkë me mua që ta marrësh veten; do të të bëj edhe një dhuratë".
8. Por njeriu i Perëndisë iu përgjigj mbretit: "Edhe sikur të më jepje gjysmën e shtëpisë sate, unë nuk do të vija me ty dhe as do të haja bukë e as do të pija ujë në këtë vend,
9. sepse kështu më ka urdhëruar Zoti: "Ti nuk do të hash bukë as do të pish ujë dhe nuk do të kthehesh nga rruga që ke përshkuar kur shkove".
10. Kështu ai shkoi nëpër një rrugë tjetër dhe nuk u kthye nëpër rrugën që kishte përshkuar kur vajti në Bethel.
11. Në Bethel banonte një profet plak; bijtë e tij shkuan e treguan tërë atë që njeriu i Perëndisë kishte bërë atë ditë në Bethel dhe i treguan atit të tyre fjalët që ai i kishte thënë mbretit.
12. I ati i pyeti ata: "Nëpër çfarë rruge iku?". Ç'është e vërteta, bijtë e tij e kishin parë nëpër çfarë rruge kishte shkuar njeriu i Perëndisë i ardhur nga Juda.
13. Atëherë ai u tha bijve të tij: "Më shaloni gomarin". I shaluan gomarin dhe ai hipi mbi të;
14. e ndoqi njeriun e Perëndisë dhe e gjeti ulur nën një lis dhe i tha: "A je ti njeriu i Perëndisë që ka ardhur nga Juda?". Ai iu përgjigj: "Jam unë".
15. Atëherë profeti plak i tha: "Eja në shtëpinë time për të ngrënë diçka".
16. Por ai u përgjigj: "Nuk mund të kthehem prapa as të vij me ty, nuk mund të ha bukë dhe të pi ujë me ty në këtë vend,
17. sepse Zoti më ka thënë: "Ti atje nuk do të hash bukë as do të pish ujë, dhe nuk do të kthehesh nëpër rrugën e përshkuar kur shkove".
18. Tjetri i tha: "Edhe unë jam profet si ti; dhe një engjëll më ka folur nga ana e Zotit, duke thënë: "Merre me vete në shtëpinë tënde që të hajë bukë dhe të pijë ujë"". Por ai gënjente.
19. Kështu njeriu i Perëndisë u kthye prapa bashkë me të dhe hëngri bukë në shtëpinë e atij dhe piu ujë.
20. Ndërsa ishin ulur në tryezë, fjala e Zotit iu drejtua profetit që e kishte kthyer prapa;
21. dhe ai i thirri njeriut të Perëndisë të ardhur nga Juda, duke thënë: "Kështu flet Zoti: "Me qenë se nuk iu binde urdhërit të Zotit dhe nuk respektove porosinë e Zotit, Perëndisë tënd, që të kishte dhënë,
22. por u ktheve prapa dhe hëngre bukë e pive ujë në vendin që Zoti të pati thënë: "Mos ha bukë e mos pi ujë", kufoma jote nuk ka për të hyrë në varret e prindërve të tu".
23. Kur mbaroi së ngrëni dhe së piri, profeti që e kishte kthyer prapa i shaloi gomarin.
24. Kështu ai u nis, por një luan i doli rrugës dhe e vrau. Kufoma e tij u hodh në mes të rrugës, ndërsa gomari i qëndronte afër dhe vetë luani mbeti pranë kufomës.
25. Disa njerëz kaluan andej dhe panë kufomën të hedhur në rrugë dhe luanin që rrinte afër kufomës; ata shkuan dhe e treguan këtë gjë në qytetin ku banonte profeti plak.
26. Sa e dëgjoi profeti që e kishte kthyer prapa, ai tha: "Éshtë njeriu i Perëndisë, që nuk iu bind urdhërit të Zotit; për këtë arësye Zoti e ka lënë në kthetrat e një luani, që e ka shqyer dhe vrarë, sipas fjalës që kishte thënë Zoti".
27. Pastaj iu drejtua bijve të tij dhe u tha: "Më shaloni gomarin". Ata ia shaluan.
28. Kështu ai u nis dhe e gjeti kufomën të hedhur në mes të rrugës, ndërsa gomari dhe luani rrinin afër kufomës; luani nuk e kishte ngrënë kufomën as kishte shqyer gomarin.
29. Profeti mori kufomën e njeriut të Perëndisë, e ngarkoi mbi gomarin dhe u kthye; kështu profeti plak u kthye në qytet për ta vajtuar dhe për ta varrosur.
30. E vendosi kufomën në varrin e tij; dhe filluan ta qajnë, duke thënë: "Oh, vëllai im!".
31. Mbas varrimit, profeti plak u tha bijve të tij: "Kur të vdes unë, më varrosni në varrin e njeriut të Perëndisë; m'i vini kockat pranë kockave të tij.
32. Sepse me siguri do të vërtetohet fjala e thënë prej tij me urdhër të Zotit kundër altarit të Bethelit dhe kundër tërë shenjtërorëve të vendeve të larta në qytetet e Samarisë".
33. Mbas kësaj ngjarjeje, Jeroboami nuk u tërhoq nga rruga e tij e keqe, por bëri priftërinj të tjerë për vendet e larta, duke i marrë nga çdo shtresë personash; kushdo që e dëshironte, shenjtërohej prej tij dhe bëhej prift i vendeve të larta.
34. Ky qe mëkati i shtëpisë së Jeroboamit, që shkaktoi shkatërrimin e saj dhe shfarosjen e saj nga faqja e dheut.

1 Mbretër 14:1-31
1. Në atë kohë Abijahu, bir i Jeroboamit, u sëmur.
2. Jeroboami i tha bashkëshortes së vet: "Çohu, të lutem, ndërro petkat që të mos dihet se je gruaja e Jeroboamit, dhe shko në Shiloh. Atje është profeti Ahijah, që ka parashikuar se unë do të bëhesha mbret e këtij populli.
3. Merr me vete dhjetë bukë, disa kuleç dhe një enë me mjaltë dhe shko tek ai; ai do të të thotë se ç'ka për të ndodhur me fëmijën".
4. Gruaja e Jeroboamit veproi në këtë mënyrë: u ngrit, shkoi në Shiloh dhe arriti në shtëpinë e Ahijahut. Ahijahu nuk shikonte dot sepse sytë i qenë errur nga pleqëria.
5. Zoti i kishte thënë Abijahut: "Ja, gruaja e Jeroboamit është duke ardhur për t'u këshilluar me ty për të birin që është i sëmurë. Ti do t'i thuash kështu e kështu. Kur do të hyjë, ajo do të shtihet se është një grua tjetër".
6. Sapo Ahijahu dëgjoi zhurmën e hapave të saj kur po hynte nga porta, ai tha: "Hyr, o bashkëshorte e Jeroboamit. Pse bën sikur je një person tjetër? Unë duhet të të jap lajme të këqija.
7. Shko dhe i thuaj Jeroboamit: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë të kam ngritur nga gjiri i popullit dhe të kam bërë princ të popullit tim të Izraelit,
8. e rrëmbeva mbretërinë nga duart e shtëpisë së Davidit dhe ta dhashë ty, por ti nuk ke qenë si shërbëtori im Davidi që ka respektuar urdhërimet e mia dhe më ka ndjekur me gjithë zemër, duke bërë ato që ishin të drejta në sytë e mia;
9. ti ke vepruar më keq nga të gjithë ata që qenë para teje, sepse ke arritur të sajosh perëndi të tjera dhe shëmbëlltyra me derdhje për të provokuar zemërimin tim, dhe më ke hedhur prapa krahëve.
10. Prandaj, ja, unë do të dërgoj fatkeqësinë mbi shtëpinë e Jeroboamit dhe do të shfaros nga shtëpia e tij çdo mashkull në Izrael, qoftë skllav apo i lirë, dhe do ta fshij plotësisht shtëpinë e Jeroboamit, ashtu si fshihen plehrat deri sa të zhduken tërësisht.
11. Ata të shtëpisë së Jeroboamit që do të vdesin në qytet do t'i hanë qentë; dhe ata që do të vdesin nëpër ara, do t'i hanë shpendët e qiellit; sepse kështu ka folur Zoti.
12. Prandaj çohu dhe shko në shtëpinë tënde; sa të hysh në qytet, fëmija ka për të vdekur.
13. Tërë Izraeli do ta vajtojë dhe do ta varrosë. Ai do të jetë i vetmi nga shtëpia e Jeroboamit që do të varroset, sepse është i vetmi nga shtëpia e Jeroboamit tek i cili u gjet diçka e mirë dhe që i pëlqen Zotit, Perëndisë të Izraelit.
14. Zoti do të vendosë mbi Izraelin mbretin e tij, që po atë ditë do të shfarosë shtëpinë e Jeroboamit. Ç'po them kështu. Kjo po ndodh që tani.
15. Zoti do të shfryjë mbi Izraelin si mbi kallamishtet e ujit, do ta shrrënjosë Izraelin nga kjo tokë e mirë që u kishte dhënë etërve të tij dhe do t'i shkoqë ata matanë Lumit, sepse kanë bërë Asherimët e tyre, duke shkaktuar zemërimin e Zotit.
16. Ai do ta braktisë Izraelin për shkak të mëkateve të Jeroboamit, sepse ai ka kryer mëkate dhe ka bërë që të mëkatojë edhe Izraeli"".
17. Pastaj gruaja e Jeroboamit u ngrit dhe u nis, arriti në Tirtsah; me të arritur në pragun e shtëpisë, fëmija i vdiq.
18. E varrosën dhe tërë Izraeli e qau, sipas fjalës që Zoti kishte thënë me anë të profetit Ahijah, shërbëtorit të tij.
19. Bëmat e tjera të Jeroboamit, si luftoi dhe si mbretëroi, janë shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit.
20. Kohëvazhdimi i mbretërisë së Jeroboamit qe njëzet e dy vjet; pastaj atë e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Nadabi.
21. Roboami, bir i Salomonit, mbretëroi në Judë. Ai ishte dyzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem, në qytetin që Zoti kishte zgjedhur nga tërë fiset e Izraelit
22. Ata të Judës bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; dhe me mëkatet që bënë shkaktuan xhelozinë e Zotit më tepër nga ç'kishin bërë etërit e tyre.
23. Edhe ata ndërtuan vende të larta, shtylla dhe Asherime në të gjitha kodrat e larta dhe poshtë çdo druri të gjelbër.
24. Përveç kësaj, kishte në vend njerëz që jepeshin mbas kurvërisë së shenjtë. Ata merreshin me të gjitha gjërat e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit.
25. Në vitin e pestë të mbretit Roboam, mbreti i Egjiptit Sishak doli kundër Jeruzalemit,
26. dhe mori me vete thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror; mori me vete çdo gjë, duke përfshirë shqytat e arta që Salomoni kishte bërë.
27. Në vend të tyre mbreti Roboam dha urdhër të bëheshin shqyta prej bronzi dhe ua dorëzoi komandantëve të rojeve që ruanin hyrjen e pallatit mbretëror.
28. Sa herë që mbreti hynte në shtëpinë e Zotit, rojet i çonin në sallën e rojeve.
29. Pjesa tjetër e bëmave të Roboamit dhe të gjitha ato që ai bëri a nuk janë të shkruara vallë në Kronikat e mbretërve të Judës?
30. U bë një luftë e pandërprerë midis Roboamit dhe Jeroboamit.
31. Pastaj Roboamin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit. E ëma quhej Naamaha, ishte Amonite. Në vend të tij mbretëroi i biri, Abijami.

Psalmet 69:16-21
16. Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë.
17. Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh.
18. Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi.
19. Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje.
20. Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë.
21. Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull.

Fjalët e Urta 17:23-24
23. I pabesi pranon dhurata fshehurazi për të prishur rrugët e drejtësisë.
24. Dituria qëndron para atij që ka mend, por sytë e budallait enden deri në cepat më të largëta të dheut.

Nevojtore 12:27-50
27. Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë.
28. O Atë, përlëvdo emrin tënd!'' Atëherë një zë erdhi nga qielli: ''E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!''.
29. Turma, pra, që ishte e pranishme dhe e dëgjoi zërin, thoshte se qe një bubullimë. Të tjerë thoshnin: ''Një engjëll i ka folur!''.
30. Dhe Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju.
31. Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote!
32. Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t'i tërheq të gjithë tek unë''.
33. Por ai i thoshte këto për të treguar nga ç'lloj vdekje duhet të vdiste.
34. Turma iu përgjigj: ''Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?''.
35. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Drita është me ju edhe për pak kohë; ecni gjersa keni dritë, që të mos ju zërë errësira; kush ecën në errësirë nuk di se ku shkon''.
36. ''Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës''. Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre.
37. Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të,
38. që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: ''Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?''.
39. Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha:
40. ''Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj''.
41. Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të.
42. Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga,
43. sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë.
44. Pastaj Jezusi thirri dhe tha: ''Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më ka dërguar.
45. Dhe kush më sheh mua, sheh atë që më ka dërguar.
46. Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë.
47. Dhe nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia dhe nuk beson, unë nuk e gjykoj; sepse unë nuk kam ardhur ta gjykoj botën, por ta shpëtoj botën.
48. Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit.
49. Sepse unë nuk kam folur nga vetja ime, por Ati vetë më ka dërguar dhe më ka urdhëruar ç'duhet të them e të shpall.
50. Dhe unë e di se urdhërimi i tij është jetë e përjetshme; gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m'i ka thënë Ati''.