A A A A A

Bibla në një vit


Qershor 17


2 Mbretër 22:1-20
1. Josia ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbajti fronin e tij tridhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jedidah, ishte e bija e Adajahut nga Botskathi.
2. Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit dhe vazhdoi tërësisht rrugën e Davidit, atit të tij, duke mos devijuar as më të djathtë as më të majtë.
3. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretit Josia, mbreti dërgoi në shtëpinë e Zotit Shafanin, sekretarin, birin e Atsaliahut, që ishte bir i Meshulamit, duke thënë:
4. "Shko te kryeprifti Hilkiah dhe i thuaj që të mbledhë paratë që kanë sjellë në shtëpinë e Zotit dhe ato që derëtarët kanë mbedhur nga populli.
5. T'u jepet në dorë atyre që kryejnë punën, që u është besuar mbikqyrja e shtëpisë të Zotit; dhe këta t'ua japin punëtorëve që ndodhen në shtëpinë e Zotit për të meremetuar dëmtimet e tempullit;
6. marangozave, ndërtuesve dhe muratorëve, për të blerë lëndën e drurit dhe gurë të latuar, të cilat nevojiten për të ndrequr tempullin.
7. Por mos kërkoni fare llogari për paratë e dorëzuara në duart e tyre, sepse ata veprojnë me ndershmëri".
8. Atëherë kryeprifti Hilkiah i tha Shafanit, sekretarit: "Gjeta në shtëpinë e Zotit librin e ligjit". Hilkiahu ia dha pastaj librin Shafanit që e lexoi.
9. Kështu Shafani, sekretari, shkoi te mbreti për t'i njoftuar ngjarjen, duke i thënë: "Shërbëtorët e tu kanë mbledhur paratë e gjetura në tempull dhe i kanë dorëzuar në duart e atyre që bëjnë punën, të cilëve u është besuar mbikqyrja e shtëpisë të Zotit".
10. Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: "Prifti Hilkiah më ka dhënë një libër". Dhe Shafani e lexoi në prani të mbretit.
11. Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e tij.
12. Pastaj mbreti urdhëroi priftin Hilkiah, Ahikamin, birin e Shafanit, Agborin, birin e Mikajahut, Shafanin, sekretarin, dhe Asajahun, shërbëtorin e mbretit:
13. "Shkoni dhe konsultohuni me Zotin për mua për popullin dhe për tërë Judën, lidhur me fjalët e këtij libri që u gjet; sepse i madh është zemërimi i Zotit kundër nesh, sepse etërit tanë nuk iu bindën fjalëve të këtij libri dhe nuk kanë vepruar në përshtatje me të gjitha ato që janë shkruar për ne".
14. Atëherë prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shalumit të Tikvahut, që ishte i biri i Harahsit, ruajtësit të rrobave, (ajo banonte në Jeruzalem, në lagjen e dytë) dhe folën me të.
15. Ajo u përgjigj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: njoftojani atij që ju dërgoi tek unë:
16. "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do të sjell një fatkeqësi mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, tërë fjalët e librit që mbreti i Judës ka lexuar,
17. sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera për të më zemëruar me të gjitha veprat e duarve të tyre. Prandaj zemërimi im u ndez kundër këtij vendi dhe nuk do të shuhet".
18. Por mbretit të Judës, që ju ka dërguar për t'u konsultuar me Zotin, do t'i thoni kështu: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me fjalët që ti ke dëgjuar,
19. sepse zemra jote u mallëngjye dhe ti u përule përpara Zotit kur dëgjove atë që kam thënë kundër këtij vendi dhe banorëve të tij, që do të bëheshin një dëshpërim dhe një mallkim, dhe grise rrobat dhe qave përpara meje, edhe unë të dëgjova", tha Zoti.
20. "Prandaj, ja, unë do të të bashkoj me etërit e tu dhe ty do të të vendosin në paqe në varrin tënd; dhe sytë e tu nuk kanë për të parë tërë të keqen që unë do t'i sjell këtij vendi"". Dhe ata ia njoftuan mbretit këtë mesazh.

2 Mbretër 23:1-37
1. Atëherë mbreti dërgoi njerëz për të mbledhur pranë vetes tërë pleqtë e Judës dhe të Jeruzalemit.
2. Mbreti u ngjit pastaj në shtëpinë e Zotit dhe me të u ngjitën tërë njerëzit e Judës, tërë banorët e Jeruzalemit, priftërinjtë, profetët dhe tërë populli, nga më i madhi deri te më i vogli; dhe ai lexoi në prani të tyre tërë fjalët e librit të besëlidhjes, që ishte gjetur në shtëpinë e Zotit.
3. Pastaj mbreti, duke qëndruar më këmbë mbi podium, lidhi një besëlidhje përpara Zotit, duke u zotuar të ndiqte Zotin, të respektonte porositë dhe statutet e tij me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, për të zbatuar në praktikë fjalët e kësaj besëlidhje, të shkruara në atë libër. Tërë populli e pranoi besëlidhjen.
4. Mbreti urdhëroi pastaj kryepriftin Hilkiah, priftërinjtë e rangut të dytë dhe derëtarët të çonin jashtë tempullit të Zotit objektet që ishin ndërtuar për Baalin, për Asherahun dhe për ushtrinë e qiellit;
5. Ai zhduku gjithashtu priftërinjtë idhujtarë që mbretërit e Judës kishin caktuar për të djegur temjan në vendet e larta të qyteteve të Judës e në rrethinat e Jeruzalemit, dhe ata që i digjnin temjan Baalit, diellit, hënës, shenjave të zodiakut dhe gjithë ushtrisë së qiellit.
6. E çoi Asherahun nga shtëpia e Zotit jashtë Jeruzalemit në përruan e Kidronit; e dogji pranë përroit Kidron, e bëri hi dhe hirin e tij e hodhi mbi varret e njerëzve të popullit.
7. Shembi edhe shtëpitë e njerëzve që merreshin me kurvërinë e shenjtë dhe që ndodheshin në shtëpinë e Zotit, ku gratë endnin çadra për Asherahun.
8. Solli tërë priftërinjtë nga qytetet e Judës dhe përdhosi vendet e larta ku priftërinjtë kishin djegur temjan, nga Geba deri në Beer-Sheba. Rrëzoi gjithashtu vendet e larta të portave, që ishin në hyrje të portës së Jozueut guvernator i qytetit, që ishin në të majtë të atij që hyn në portën e qytetit.
9. Megjithatë priftërinjtë e vendeve të larta nuk u ngjitën në altarin e Zotit në Jeruzalem, por hëngrën bukë të ndorme në mes të vëllezërve të tyre.
10. Përveç kësaj ai përdhosi Tofethin, që ndodhej në luginën e bijve të Hinomit, me qëllim që asnjëri të mos kalonte birin apo bijën e tij nëpër zjarr për nder të Molekut.
11. Pastaj ai hoqi kuajt që mbretërit e Judës i kishin kushtuar diellit në hyrje të shtëpisë të Zotit, pranë dhomës së eunekut Nethan-Melek, që ndodhej në oborr; dhe u vuri flakën qerreve të diellit.
12. Mbreti shembi altarët që ishin mbi terracën e dhomës së sipërme të Ashazit dhe që mbretërit e Judës kishin ndërtuar, si dhe altarët që Manasi kishte bërë në dy oborret e shtëpisë të Zotit, i bëri copë-copë dhe hodhi pluhurin e tyre në përruan e Kidronit.
13. Mbreti përdhosi gjithashtu vendet e larta që ishin përballë Jeruzalemit; në jug të malit të korruptimit, që Salomoni, mbret i Izraelit, kishte ndërtuar për Ashtorethin, të neveritshmin e Sidonitëve, për Kemoshin, të neveritshmin e Moabit dhe për Milkomin, të neveritshmin e bijve të Amonit.
14. Ai i bëri copë-copë edhe shtyllat e shenjta, rrëzoi Asherimet dhe mbushi vendet e tyre me kocka njerëzore.
15. Rrëzoi gjithashtu altarin që ishte në Bethel dhe vendin e lartë të ndërtuar nga Jeroboami, bir i Nebatit që e kishte bërë Izraelin të mëkatonte; e dogji vendin e lartë sa e bëri pluhur; dogji edhe Asherahun.
16. Ndërsa Josia po kthehej, pa varrezat që ishin atje mbi mal; atëherë ai dërgoi njerëz që të merrnin kockat nga varrezat dhe i dogji mbi altar, duke e ndotur, sipas fjalës të Zotit, të shqiptuar nga njeriu i Perëndisë, që kishte paralajmëruar këto gjëra.
17. Pastaj tha: "Çfarë momumenti është ai që po shoh?". Njerëzit e qytetit iu përgjigjën: "Éshtë varri i njeriut të Perëndisë që erdhi nga Juda dhe që shpalli kundër altarit të Bethelit këto gjëra që ti ke bërë".
18. Ai tha: "Lëreni; asnjeri të mos prekë kockat e tij!". Kështu ata i lanë kockat e tij së bashkë me kockat e profetit që kishte ardhur nga Samaria.
19. Josia hoqi gjithashtu tërë tempujt e vendeve të larta që ishin në qytetin e Samarisë dhe që mbretërit e Izraelit kishin ndërtuar për të nxitur zemërimin e Zotit. Ai u bëri pikërisht atë që kishte bërë në Bethel.
20. Flijoi mbi altarët tërë priftërinjtë e vendeve të larta që ishin aty dhe dogji aty kocka njerëzore. Pastaj u kthye në Jeruzalem.
21. Mbreti i dha tërë popullit këtë urdhër: "Kremtoni Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë tuaj, ashtu siç është shkruar në këtë libër të besëlidhjes".
22. Me siguri një Pashkë e tillë nuk ishte kremtuar kështu nga koha e gjyqtarëve që e kishin qeverisur Izraelin, dhe as në tërë kohën e mbretërve të Izraelit dhe të mbretërve të Judës.
23. Por në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretit Josia kjo Pashkë u kremtua për nder të Zotit në Jeruzalem.
24. Josia eliminoi edhe mediumët dhe magjistarët, hyjnitë familjare dhe idhujt, si dhe të gjitha shkeljet e neveritshme që shiheshin në vendin e Judës dhe në Jeruzalem, për të zbatuar në praktikë fjalët e ligjit, të shkruara në librin që prifti Hilkiah kishte gjetur në shtëpinë e Zotit.
25. Para tij nuk pati asnjë mbret që, si ai, t'i ishte kthyer Zotit me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcën, sipas tërë ligjit të Moisiut; as pas tij nuk ka dalë ndonjë si ai.
26. Megjithatë Zoti nuk e fashiti zemërimin e tij të zjarrtë që e kishte përfshirë kundër Judës, për shkak të gjithë provokimeve të kryera nga Manasi.
27. Kështu Zoti tha: "Do ta largoj edhe Judën nga prania ime, ashtu si largova Izraelin, dhe do ta flak këtë qytet, Jeruzalemin, që e unë kisha zgjedhur, dhe tempullin për të cilin kisha thënë: "Aty do të jetë emri im"".
28. Pjesa tjetër e bëmave të Josias dhe tërë ato që ka bërë a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
29. Gjatë mbretërisë së tij, Faraoni Neko, mbret i Egjiptit, doli kundër mbretit të Asirisë në lumin Eufrat. Mbreti Josia marshoi kundër tij, por Faraoni e vrau në Meghido që në ndeshjen e parë.
30. Atëherë shërbëtorët e tij e çuan të vdekur mbi një qerre nga Meghido deri në Jeruzalem, ku e varrosën në varrin e tij. Pastaj populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josias, e vajosi dhe e bëri mbret në vend të atit të tij.
31. Jehoahazi ishte njëzet e tre vjeç kur filloi të mbretërojë dhe e mbajti fronin tre muaj në Jeruzalem. E ëma quhej Hamutal, ishte bija e Jeremias nga Libnahu.
32. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha ashtu si kishin vepruar etërit e tij.
33. Faraoni Neko e lidhi me zinxhira në Riblah, në vendin e Hamathit, që të mos mbretëronte më në Jeruzalem, dhe i imponoi vendit një haraç prej njëqind talentesh argjendi dhe një talent ari.
34. Pastaj Faraoni Neko bëri mbret Eliakimin, birin e Josias, në vend të atit të tij Josia, dhe e ndërroi emrin e tij në Jehojakimi. Pastaj mori Jehoahazin dhe shkoi në Egjipt, ku vdiq.
35. Jehojakimi i dha Faraonit argjendin dhe arin; por për të paguar paratë sipas urdhërit të Faraonit i vuri taksa vendit. Për të paguar Faraonin Neko, ai mblodhi argjendin dhe arin nga populli i vendit nga secili në bazë të vlerësimit të pronave të tij.
36. Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Zebidah, ishte bija e Pedaijahut të Rumahut.
37. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit në të gjitha ashtu si kishin vepruar etërit e tij.

2 Mbretër 24:1-20
1. Gjatë mbretërimit të tij erdhi Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, dhe Jehojakimi u bë shërbëtor i tij për tre vjet; pastaj ngriti krye kundër tij.
2. Atëherë Zoti dërgoi kundër tij banda Kaldeasish, Sirësh, Moabitësh dhe Amonitësh; i dërgoi kundër Judës për ta shkatërruar, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.
3. Kjo ndodhi në Judë vetëm me urdhër të Zotit, që donte ta largonte nga prania e tij për shkak të mëkateve të Manasit, për të gjitha ato që kishte bërë,
4. por edhe për shkak të gjakut të pafajshëm të derdhur prej tij, sepse ai e kishte mbushur Jeruzalemin me gjak të pafajshëm. Për këtë arësye Zoti nuk deshi ta falë.
5. Pjesa tjetër e bëmave të Jehojakimit dhe tërë atë që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
6. Kështu Jehojakimin e zuri gjumi me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Jehojakini.
7. Por mbreti i Egjiptit nuk doli më nga vendi i tij, sepse e mbreti i Babilonisë kishte shtënë në dorë tërë ato që ishin pronë e mbretit të Egjiptit, nga përroi i Egjiptit deri në lumin Eufrat.
8. Jehojakini ishte tetëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj në Jeruzalem. E ëma quhej Nehushta, ishte bija e Elnathanit nga Jeruzalemi.
9. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar ati i tij.
10. Në atë kohë shërbëtorët e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, u vërsulën kundër Jeruzalemit dhe qyteti mbeti i rrethuar.
11. Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, arriti para qytetit ndërsa shërbëtorët e tij po e rrethonin.
12. Atëherë Jehojakini, mbret i Judës, i doli përpara mbretit të Babilonisë bashkë me nënën e tij, me shërbëtorët, me krerët dhe me eunikët e tij. Kështu mbreti i Babilonisë e bëri rob vitin e tetë të mbretrimit të tij.
13. Pastaj, ashtu siç e kishte thënë Zoti, mori që andej tërë thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror, i bëri copë-copë të gjitha veglat prej ari që Salomoni, mbret i Izraelit, kishte bërë për tempullin e Zotit.
14. Internoi pastaj tërë Jeruzalemin, tërë krerët, tërë njerëzit trima, gjithsej dhjetë mijë robër, si dhe të gjithë artizanët dhe farkëtarët; mbetën vetëm njerëzit më të varfër të vendit.
15. Kështu ai internoi Jehojakinin në Babiloni; çoi gjithashtu në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni nënën e mbretit, bashkëshortet e tija, eunukët e tij dhe fisnikët e vendit,
16. gjithë njerëzit e aftë që ishin shtatë mijë veta, artizanët dhe farkëtarët, një mijë veta, tërë njerëzit trima dhe të aftë për luftë. Mbreti i Babilonisë i internoi në Babiloni.
17. Në vendin e Jehojakinit, mbreti i Babilonisë, bëri mbret Mataniahun, ungjin e tij, të cilit i ndërroi emrin në Sedekia.
18. Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur filloi të mbretërojë dhe e mbajti fronin në Jeruzalem njëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Hamutal, ishte bija e Jeremias nga Libnahu.
19. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar Jehojakimi.
20. Kjo ndodhi në Jeruzalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Zotit, i cili në fund i dëboi nga prania e tij. Më vonë Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.

Psalmet 74:18-23
18. Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd.
19. Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu.
20. Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune.
21. Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd.
22. Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën.
23. Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.

Fjalët e Urta 19:3-3
3. Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit.

Aktet 2:22-47
22. Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të ti tij, siç edhe vet e dini,
23. ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë.
24. Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë.
25. Në fakt Davidi thotë për të: "E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos hiqem.
26. Për këtë u gëzua zemra ime dhe ngazëlloi gjuha ime, dhe edhe mishi im do të qëndrojë në shpresë.
27. Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen.
28. Ti më ke bërë të njoh udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde".
29. Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme.
30. Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t'u ulur mbi fronin e tij;
31. dhe, duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në Hades dhe se mishi i tij nuk do të shihte kalbjen.
32. Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!
33. Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni.
34. Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell, madje ai vetë thotë: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
35. derisa unë t'i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua!".
36. Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht''.
37. Kur ata i dëgjuan këto gjëra, u pikëlluan në zemër dhe pyetën Pjetrin dhe apostujt: ''Vëllezër, ç'duhet të bëjmë?''.
38. Atëherë Pjetri u tha atyre: ''Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.
39. Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t'i thërrasë''.
40. Dhe me shumë fjalë të tjera u përbetohej dhe i nxiste, duke thënë: ''Shpëtoni veten nga ky brez i çoroditur!''.
41. Dhe ata që e pranuan fjalën e tij me gëzim, u pagëzuan; atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta.
42. Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje.
43. Dhe të gjithëve u kishte hyrë druajtja; dhe shumë shenja e mrekulli bëheshin nga dora e apostujve.
44. Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët.
45. Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit.
46. Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre,
47. duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gëzuar simpatinë e gjithë popullit. Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar.