A A A A A

Bibla në një vit


Qershor 10


2 Mbretër 7:1-20
1. Atëherë Eliseu tha: "Dëgjoni fjalën e Zotit! Kështu thotë Zoti: "Nesër në këtë orë, në portën e Samarisë një masë maje mielli do të kushtojë një sikël dhe dy masa elbi do të kushtojnë gjithashtu një sikël"".
2. Por kapiteni, në krahun e të cilit mbështetej mbreti, iu përgjigj njeriut të Perëndisë: "Ja, edhe sikur Zoti të bënte dritare në qiell, a do të ndodhte, vallë një gjë e tillë?". Eliseu u përgjigj: "Mirë, pra, ke për ta parë me sytë e tu, por nuk do t'i hash".
3. Kishte katër lebrozë në hyrje të portës, të cilët i thanë njeri tjetrit: "Pse po rrimë ulur këtu duke pritur vdekjen?
4. Në rast se themi: "Le të hyjmë në qytet", atje sundon uria dhe aty kemi për të vdekur; në rast se mbetemi këtu, do të vdesim njëlloj. Prandaj ejani, të shkojmë të paraqitemi te kampi i Sirëve; po të jetë se na lënë të gjallë, do të jetojmë; po të jetë se na vrasin, do të vdesim".
5. Në muzg u ngritën për të vajtur në kampin e Sirëve; kur arritën në skajin e kampit të Sirëve, atje nuk kishte njeri.
6. Perëndia në të vërtetë kishte bërë që ushtria e Sirëve të dëgjonte një zhurmë qerresh dhe kuajsh, zhurmën e një ushtrie të madhe, dhe ata i kishin thënë njeri tjetrit: "Ja, mbreti i Izraelit ka rekrutuar kundër nesh mbretin e Hitejve dhe mbretin e Egjiptasve për të na sulmuar".
7. Prandaj ata, në muzg, ishin ngritur dhe kishin ikur duke braktisur çadrat, kuajt dhe gomarët e tyre, tërë kampin siç ishte; kishin ikur kështu për të shpëtuar kokën.
8. Kur arritën në skajin e kampit, këta lebrozë hynë në një çadër, ku hëngrën e pinë; morën me vete argjend, ar dhe rroba, dhe shkuan t'i fshehin. Pastaj u kthyen dhe hynë në një çadër tjetër; edhe andej morën shumë gjëra dhe shkuan t'i fshehin.
9. Pastaj thanë midis tyre: "Nuk veprojmë mirë kështu; kjo është ditë sihariqi, por ne nuk hapim as gojën. Në rast se presim deri në mëngjes, mund të pësojmë ndonjë ndëshkim. Prandaj tani të nxitojmë dhe të shkojmë të njoftojmë shtëpinë e mbretit".
10. Kështu shkuan dhe thirrën rojet e qytetit, jua njoftuan gjendjen duke thënë: "Kemi shkuar në kampin e Sirëve dhe ja, nuk kishte njeri dhe as nuk dëgjohej zë njeriu; aty kishte vetëm kuaj dhe gomarë të lidhur dhe çadra të paprekura".
11. Atëherë rojet thirrën dhe e çuan lajmin brenda shtëpisë së mbretit.
12. Kështu mbreti u ngrit natën dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Do t'ju them unë ç'na kanë bërë Sirët. Duke ditur që ne jemi të uritur dolën nga kampi për t'u fshehur në fushë, duke thënë: "Si të dalim
13. Një nga shërbëtorët e tij iu përgjigj: "Të lutem, lejo që disa njerëz të marrin pesë nga kuajt që akoma mbeten në qytet. Ja, ata do të jenë e shumta si shumica e Izraelit që ka mbetur në qytet, ose si shumica e Izraezlit që tashmë ka vdekur; t'i çojmë, pra, të shohin".
14. Morën, pra, dy qerre me kuajt e tyre dhe mbreti i dërgoi në gjurmët e ushtrisë së Sirëve, duke thënë: "Shkoni dhe shikoni".
15. Kështu ata shkuan prapa tyre deri në Jordan; por ja, tërë rruga ishte plot me rroba dhe me armë që sirët i kishin hedhur rrugës gjatë ikjes së tyre të nxituar. Pastaj lajmëtarët u kthyen dhe ia njoftuan gjendjen mbretit.
16. Atëherë populli doli jashtë dhe plaçkiti kampin e Sirëve; një masë maje mielli kushtonte një sikël, dhe dy masa elbi kushtonin gjithashtu një sikël, sipas fjalës së Zotit.
17. Mbreti kishte vënë si roje të portës kapitenin në krahun e të cilit mbështetej; por populli e shkeli pranë portës dhe ai vdiq, ashtu si kishte thënë njeriu i Perëndisë, kur i foli mbretit që kishte zbritur për ta takuar.
18. Ndodhi pikërisht ashtu siç i kishte folur mbretit njeriu i Perëndisë, duke i thënë: "Nesër, në këtë orë, në portën e Samarisë dy masa elbi do të kushtojnë një sikël dhe një masë maje mielli do të kushtojë gjithashtu një sikël".
19. Kapiteni i ishte përgjigjur pastaj njeriut të Perëndisë, duke i thënë: "Ja, edhe sikur Zoti të hapë dritare në qiell, a ka për të ndodhur një gjë e tillë?". Eliseu i kishte dhënë këtë përgjigje: "Mirë, pra, do ta shohësh me sytë e tua, por nuk do të hash".
20. I ndodhi pikërisht kjo: populli e shkeli me këmbë pranë portës dhe ai vdiq.

2 Mbretër 8:1-29
1. Eliseu i tha gruas, djalin e së cilës e kishte ringjallur: "Çohu dhe shko jashtë, ti me gjithë familjen tënde, për të banuar ku të mundesh, sepse Zoti ka vendosur të pllakosë zia, që do të zgjasë shtatë vjet në vend".
2. Kështu gruaja u ngrit dhe veproi sipas fjalës së njeriut të Perëndisë; iku me familjen e saj dhe banoi në vendin e Filistejve shtatë vjet.
3. Si kaluan shtatë vjet, gruaja u kthye nga vendi i Filistejve dhe shkoi te mbreti për t'i kërkuar shtëpinë dhe tokat e veta.
4. Mbreti ishte duke folur me Gehazin, shërbëtorin e njeriut të Perëndisë, dhe i thoshte: "Tregomë, të lutem, tërë veprat e mëdha që ka bërë Eliseu".
5. Pikërisht, ndërsa ai i tregonte mbretit se si Eliseu e kishte ringjallur të vdekurin, ja ku u paraqit gruaja, së cilës ai i kishte ringjallur të birin, për t'i kërkuar mbretit shtëpinë dhe tokat e veta. Atëherë Gehazi tha: "O mbret, o imzot, kjo është gruaja dhe ky është biri që Eliseu ka ringjallur".
6. Mbreti e pyeti gruan dhe ajo i tregoi ngjarjen; atëherë mbreti ngarkoi një funksionar, të cilit i tha: "Ktheja tërë atë që i përkasin dhe të gjitha të ardhurat e tokave, nga dita e largimit të saj nga vendi ynë deri më tani".
7. Pastaj Eliseu shkoi në Damask. Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, ishte i sëmurë dhe e njoftuan: "Njeriu i Perëndisë ka ardhur deri këtu".
8. Atëherë mbreti i tha Hazaelit: "Merr me vete një dhuratë dhe shko të takosh njeriun e Perëndisë, dhe këshillohu nëpërmjet tij me Zotin, duke thënë: "A do të shërohem nga kjo sëmundje?"".
9. Kështu Hazaeli shkoi të takohet me Eliseun duke sjellë si dhuratë gjërat më të mira të Damaskut: një ngarkesë prej dyzet devesh. Pastaj ai vajti, u paraqit tek ai dhe i tha: "Biri yt Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, më ka dërguar te ti për të pyetur: "A do të shërohem nga kjo sëmundje?"".
10. Eliseu iu përgjigj: "Shko t'i thuash: "Do të shërohesh me siguri". Por Zoti më bën të shoh se ai ka për të vdekur me siguri".
11. Pastaj ai e ngurtësoi fytyrën me një shikim të ngulët deri sa u skuq; pastaj njeriu i Perëndisë filloi të qajë.
12. Atëherë Hazaeli pyeti: "Pse po qan zoti im?". Ai u përgjigj: "Sepse e di të keqen që do t'u bësh bijve të Izraelit: do t'u vësh flakën fortesave të tyre, do të vrasësh me shpatë të rinjtë e tyre, do t'i bësh copë-copë fëmijët e tyre dhe do t'i çash barkun grave me barrë".
13. Hazaeli tha: "Por ç'është, vallë shërbëtori yt, një qen, që të bëj këtë hata?". Eliseu u përgjigj: "Zoti më bën të shoh që ti do të bëhesh mbret i Sirisë".
14. Pastaj Hazaeli u largua nga Eliseu dhe u kthye te zoti e tij, që e pyeti: "Çfarë të tha Eliseu?". Ai u përgjigj: "Më tha që do të shërohesh me siguri".
15. Të nesërmen Hazaeli mori një batanije e zhyti në ujë dhe e shtriu mbi fytyrën e mbretit që vdiq. Kështu Hazaeli mbretëroi në vend të tij.
16. Vitin e pestë të Joramit, birit të Ashabit, mbret i Izraelit, Jehorami, bir i Jozafatit, mbret i Judës, filloi të mbretërojë mbi Judën.
17. Ai ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem.
18. Ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit, ashtu si kishte bërë shtëpia e Ashabit, sepse gruaja e tij ishte një bijë e Ashabit, dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.
19. Megjithatë Zoti nuk deshi ta shkatërronte Judën, për hir të dashurisë që kishte për Davidin, shërbëtorin e tij, sepse i kishte premtuar t'u jepte një llambë për gjithnjë atij dhe bijve të tij.
20. Gjatë ditëve të mbretërimit të tij, Edomi ngriti krye kundër pushtetit të Judës dhe zgjodhi edhe një mbret.
21. Atëherë Jorami shkoi në Tsair me gjithë qerret e tij; pastaj natën u ngrit dhe mundi Edomitët që e kishin rrethuar dhe kapitenët e qerreve, ndërsa njerëzit mundën të ikin në çadrat e tyre.
22. Kështu Edomi ka qenë i panënshtruar ndaj pushtetit të Judës deri më ditën e sotme. Në atë kohë edhe Libnahu ngriti krye.
23. Pjesa tjetër e bëmave të Joramit dhe të gjitha ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
24. Kështu Joramin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashaziahu.
25. Në vitin e dymbëdhjetë të Joramit, birit të Ashabit, mbreti i Izraelit, filloi të mbretërojë Ashaziahu, bir i Jerohamit, si mbret i Judës.
26. Ashaziahu ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi një vit në Jeruzalem. E ëma quhej Athaliah, ishte mbesa e Omrit, mbretit të Izraelit.
27. Ai vazhdoi rrugën e shtëpisë së Ashabit dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si shtëpia e Ashabit, sepse ishte i lidhur me marrëdhënie krushqie me shtëpinë e Ashabit.
28. Me Joramin, birin e Ashabit, ai shkoi të luftojë kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramoth të Galaadit; por Sirët plagosën Joramin;
29. atëherë mbreti Joram u kthye në Jezreel për të mjekuar plagët që kishte marrë nga Sirët në Ramah, kur luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Dhe Ashaziahu, bir i Jerohamit mbret i Judës, zbriti në Jezreel për të parë Joramin, birin e Ashabit, sepse ky ishte i sëmurë.

Psalmet 72:8-16
8. Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.
9. Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.
10. Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t'i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t'i ofrojnë dhurata.
11. Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t'i shërbejnë.
12. Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.
13. Atij do t'i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.
14. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.
15. Dhe ai do të jetojë; dhe do t'i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.
16. Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

Fjalët e Urta 18:12-13
12. Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet, por para lavdisë vjen përulësia.
13. Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet.

Nevojtore 18:19-40
19. Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij.
20. Jezusi iu përgjigj: ''Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë Judenjtë, dhe s'kam thënë asgjë në fshehtësi.
21. Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç'u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë''.
22. Posa i tha këto fjalë, një nga rojat që i rrinin afër, i ra Jezusit me shuplakë, duke thënë: ''Kështu i përgjigjesh kryepriftit?''.
23. Jezusi i tha: ''Po të kem folur keq, trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?''.
24. Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kajafa, kryeprifti.
25. Ndërkaq Simon Pjetri qëndronte aty e ngrohej. I thanë, pra: ''Mos je dhe ti nga dishepujt e tij?''. Ai e mohoi dhe tha: ''Nuk jam''.
26. Por një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefisi i atij, të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, tha: ''A s'të pashë në kopsht me të?''.
27. Dhe Pjetri e mohoi sërish, dhe menjëherë këndoi gjeli.
28. Pastaj nga Kajafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën.
29. Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: ''Ç'padi sillni kundër këtij njeriu?''.
30. Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar''.
31. Atëherë Pilati u tha atyre: ''Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj'' Por Judenjtë i thanë: ''Neve nuk na lejohet të vrasim njeri''.
32. Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç'vdekje duhej të vdiste.
33. Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: ''A je ti mbreti i Judenjve?''.
34. Jezusi iu përgjigj: ''E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?''.
35. Pilati iu përgjigj: ''Jam unë vallë Jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?''.
36. Jezusi u përgjigj: ''Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej''.
37. Atëherë Pilati i tha: ''Ti, pra, qenke mbret?''. Jezusi u përgjigj: ''Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim''.
38. Pilati e pyeti: ''Ç'është e vërteta?''. Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: ''Unë nuk po gjej në të asnjë faj!
39. Por ndër ju është zakon që unë t'ju liroj dikë për Pashkë; a doni, pra, që t'ju liroj mbretin e Judenjve?''.
40. Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: ''Jo këtë, por Barabanë!''. Por Baraba ishte një kusar.