A A A A A

Bibla në një vit


Maj 8


1 Samueli 18:1-30
1. Kur mbaroi së foluri me Saulin, shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit, dhe Jonathani e deshi si shpirtin e vet.
2. Po atë ditë Sauli e mori me vete dhe nuk e lejoi të kthehet në shtëpinë e atit të tij.
3. Kështu Jonathani lidhi një besölidhje me Davidin, sepse e donte si shpirtin e vet.
4. Pastaj Jonathani hoqi mantelin që kishte veshur dhe ia dha Davidit, dhe i shtoi gjithashtu rrobat, shpatën, harkun dhe brezin e tij.
5. Davidi shkonte kudo që Sauli e dërgonte dhe dilte me sukses. Kështu Sauli e vuri në krye të luftëtarëve dhe shihej me sy të mirë nga gjithë populli, madje edhe nga shërbëtorët e Saulit.
6. Gjatë kthimit të tyre, kur Davidi po kthehej nga vrasja e Filisteut, gratë e të gjitha qyteteve të Izraelit i dolën para mbretit Saul, duke kënduar dhe hedhur valle me dajre, me thirrje gëzimi dhe me vegla muzikore.
7. Kështu gratë u përgjigjeshin njera tjetrës duke kënduar, dhe thoshnin: "Sauli vrau mijëshn e tij dhe Davidi dhjetëmijëshn e tij.
8. Kjo gjë e pezmatoi shumë Saulin dhe këto fjalë nuk i pëlqyen; ai tha: "Davidit i njohin dhjetë mijë dhe mua vetëm një mijë. Tani nuk i mungon veçse mbretëria!".
9. Kështu nga ajo ditë Sauli e shikoi me zili Davidin.
10. Të nesërmen një frym i keq nga ana e Perëndisë e zotëroi Saulin që sillej si një i marrë në mes të shtëpisë, kurse Davidi i binte harpës me dorën e tij si ditët e tjera dhe Sauli mbante në dorë shtizën.
11. Kështu Sauli e vërtiti shtizën, duke thënë: "Do ta gozhdoj Davidin në mur!". Por Davidi iu shmang goditjes dy herë.
12. Sauli kishte frikë nga Davidi, sepse Zoti ishte me të dhe e kishte braktisur Saulin.
13. Prandaj Sauli e largoi nga vetja dhe e bëri komandant të një mijë njerëzve; dhe ai shkonte e vinte në krye të popullit.
14. Davidit i shkonin mbarë të gjitha veprat, dhe Zoti ishte me të.
15. Sauli, duke parë që atij i shkonte shumë mbarë çdo gjë, kishte frikë prej tij;
16. por tërë Izraeli dhe Juda e donin Davidin, sepse shkonte e vinte në krye të tyre.
17. Pastaj Sauli i tha Davidit: "Ja Merabi, bija ime më e madhe; do të ta jap për grua; u bëfsh për mua një bir trim dhe març pjesë në betejat e Zotit". Sauli mendonte kështu: "Të mos jetë dora ime ta godasë, por dora e Filisejve".
18. Por Davidi iu përgjegj Saulit: "Kush jam unë dhe çfarë është jeta ime dhe familja e atit tim në Izrael, që unë të bëhem dhëndri i mbretit?".
19. Kur erdhi çasti për t'ia dhënë Davidit Merabin, bijën e Saulit, atë ia dhanë për grua Meholathitit Adriel.
20. Por Mikal, bija e Saulit, e dashuronte Davidin; këtë ia njoftuan Saulit dhe kjo gjë i pëlqeu.
21. Kështu Sauli mendoi: "Do t'ia jap, në mënyrë që ky të jetë një lak për të dhe ai të bjerë në duart e Filistejve".
22. Pas kësaj Sauli i urdhëroi shërbëtorët e tij: "Bisedoni fshehurazi me Davidin dhe i thoni: "Ja, mbreti ështëi kënaqur nga ti dhe të gjithë shërbëtorët e tij të duan, prandaj bëhu dhëndri i mbretit".
23. Shërbëtorët e Saulit ia çuan këto fjalë Davidit. Por Davidi u përgjegj: "Ju duket gjë e vogël të bëhesh dhëndri i mbretit?. Unë jam një njeri i varfër dhe nga shtresë e ulët".
24. Shërbëtorët i njoftuan Saulit: "Davidi u përgjegj në këtë mënyrë".
25. Atëherë Sauli tha: "Do t'i thoni kështu Davidit: "Mbreti nuk dëshëron asnjë prikë, por njëqind lafsha të Filisejve për t'u hakmarrë me armiqtë e mbretit"". Sauli kurdiste komplote për të shkaktuar vdekjen e Davidit me anë të Filistejve.
26. Kur shërbëtorët i njoftuan Davidit këto fjalë, Davidit iu duk gjë e mirë të bëhej dhëndër i mbretit. Ditët e caktuara nuk kishin kaluar akoma,
27. kur Davidi u ngrit dhe iku me njerëzit e tij, dhe vrau dyqind veta nga Filistejtë. Pastaj Davidi solli lafshat e tyre dhe dorëzoi mbretit këtë sasi të saktë për t'u bërë dhëndër i tij. Atëherë Sauli i dha të bijën Mikal për grua.
28. Kështu Sauli e pa dhe e kuptoi që Zoti ishte me Davidin; dhe Mikal, bija e Saulit, e donte.
29. Sauli pati edhe më tepër frikë nga Davidi dhe mbeti armiku i tij gjatë gjithë ditëve që jetoi.
30. Pastaj princat e Filistejve dolën për të luftuar por, sa herë që dilnin, Davidi ia dilte më mirë se të gjithë shërbëtorët e Saulit; kështu emri i tij u bë shumë i famshëm.

1 Samueli 19:1-24
1. Sauli i foli birit të tij Jonathan dhe të gjithë shërbëtorëve të tij që të vritej Davidi. Por Jonathani, bir i Saulit, ndiente një dashuri të madhe për Davidin.
2. Kështu Jonathani e informoi Davidin, duke i thënë: "Sauli, ati im, kërkon të shkaktojë vdekjen tënde; prandaj nesër në mëngjes ruhu, rri në një vend të fshehtë dhe fshiu.
3. Unë do të dal dhe do të qëndroj pranë atit tim në fushën ku ndodhesh ti, dhe do t'i flas për ty atit tim. Do të shoh ç'ka për të ndodhur dhe do të njoftoj".
4. Kështu Jonathani i foli Saulit, atit të tij, në favor të Davidit dhe i tha: "Mbreti të mos bëj mëkat në dëm të shërbëtorit të tij, në dëm të Davidit, sepse ai nuk ka kryer mëkate kundër teje, dhe veprat e tij kanë qenë shumë të vlefshme.
5. Ai ka vënë në rrezik jetën e tij, kur vrau Filisteun, dhe Zoti ka kryer një çlirim të madh për gjithë Izraelin. Ti e ke parë dhe je gëzuar; pse duhet të mëkatosh kundër gjakut të pafajshëm, duke shkaktuar vdekjen e Davidit pa shkak?".
6. Sauli dëgjoi zërin e Jonathanit dhe u betua: "Siç është e vërtetë që Zoti rron, ai nuk ka për të vdekur!".
7. Atëherë Jonathani thirri Davidin dhe i njoftoi tërë këto gjëra. Pastaj Jonathani e shpuri përsëri Davidin te Sauli dhe ai qëndroi në shërbim të tij si më parë.
8. Filloi përsëri lufta; kështu Davidi doli të luftojë kundër Filistejve dhe i mundi keq; ata ia mbathën para tij.
9. Por një frym i keq nga ana e Zotit e pushtoi Saulin, ndërsa rrinte në shtëpinë e tij me shtizë në dorë dhe Davidi i binte harpës.
10. Sauli u orvat të gozhdonte Davidin në mur me shtizën e tij, por Davidi iu shmang Saulit, dhe ky e nguli shtizën e tij në mur. Davidi iku po atë natë dhe shpëtoi nga reziku.
11. Atëherë Sauli dërgoi lajmëtarë në shtëpi të Davidit për ta përgjuar dhe për ta vrarë të nesërmen në mëngjes; por Mikal, bashkëshortja e Davidit, e njoftoi për këtë gjë, duke thënë: "Në rast se sonte
12. Kështu Mikal e zbriti Davidin nga dritarja dhe ai iku; ia mbathi me vrap dhe shpëtoi.
13. Pastaj Mikal mori idhullin e shtëpisë dhe e vuri në shtrat, në vend të kokës vuri një mbulesë prej leshi të dhisë dhe e mbuloi me një pëlhurë.
14. Kur Sauli dërgoi lajmëtarët e tij për të marrë Davidin, ajo tha: "Éshtë i sëmurë".
15. Atëherë Sauli dërgoi përsëri lajmëtarë për të parë Davidin dhe u tha atyre: "Ma sillni me shtratin e tij që unë të shkaktoj vdekjen e tij".
16. Kur arritën lajmëtarët, në shtrat ishte idhulli i shtëpisë, me një mbulesë prej leshi të dhisë në vend të kokës.
17. Atëherë Sauli i tha Mikalit: "Pse më mashtrove në këtë mënyrë dhe bëre të ikë armiku im, duke e lejuar të shpëtojë?". Mikal iu përgjegj Saulit: "Ai më tha: "Lermë të ikij, përndryshe të vrava"".
18. Davidi iku, pra, dhe shpëtoi kokën; shkoi te Samueli në Ramah dhe i tregoi të gjitha ato që i kishte bërë Sauli. Pas kësaj ai dhe Samueli vajtën të banojnë në Najoth.
19. Këtë gjë ia njoftuan Saulit, i cili tha: "Davidi është në Najoth të Ramahut".
20. Atëherë dërgoi lajmëtarë për të marrë Davidin; por kur këta panë asamblenë e profetëve që profetizonin, nën kryesinë e Samuelit, Fryma e Perëndisë i përshkoi lajmëtarët e Saulit që filluan edhe ata të bëjnë profeci.
21. Këtë ngjarje ia njoftuan Saulit që dërgoi lajmëtarë të tjerë, të cilët gjithashtu filluan të bëjnë profeci. Sauli dërgoi përsëri lajmëtarë për të tretën herë, por edhe këta filluan të bëjnë profeci.
22. Atëherë shkoi vetë në Ramah dhe, kur arritën në hauzin e madh që ndodhet në Seku, pyeti: "Ku janë Samueli dhe Davidi?". Dikush iu përgjegj: "Ja, ndodhen në Najoth të Ramahut".
23. Kështu ai shkoi vetë atje, në Najoth të Ramahut, per edhe ai u përshkua nga Fryma e Perëndisë, dhe e vazhdoi udhëtimin e tij duke bërë profeci deri sa arriti në Najoth të Ramahut.
24. Edhe ai i hodhi rrobat e tij dhe bëri profeci përpara Samuelit, dhe qendroi i shtrirë lakuriq për tokë tërë atë ditë dhe tërë atë natë. Prandaj thuhet: "Edhe Sauli figuron midis profetëve?".

Psalmet 58:1-11
1. A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve?
2. Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë.
3. Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.
4. Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet,
5. për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji.
6. O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve.
7. U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë.
8. U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin.
9. Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t'i heqë tutje si një vorbull.
10. I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit.
11. Dhe njerëzia do të thotë: "Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë".

Fjalët e Urta 15:27-30
27. Kush lakmon fitime vë në rrezik shtëpinë e vet, por ai që i urren dhuratat ka për të jetuar.
28. Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet, por goja e të pabesit vjell gjëra të këqija.
29. Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve.
30. Drita e syve gëzon zemrën, një lajm i mirë i fortëson kockat.

Luke 24:1-35
1. Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur.
2. Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri.
3. Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.
4. Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme.
5. Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: ''Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?
6. Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,
7. duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë''.
8. Dhe ato kujtonin fjalët e tij.
9. kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.
10. Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to.
11. Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre.
12. Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.
13. Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.
14. Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.
15. Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.
16. Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.
17. Dhe ai u tha atyre: ''Ç'janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?''.
18. Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: ''Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?''.
19. Dhe ai u tha atyre: ''Cilat?''. Ata i thanë: ''Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit.
20. Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.
21. Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra.
22. Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,
23. dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë nië vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.
24. Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë''.
25. Atëherë ai u tha atyre: ''O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!
26. Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?''.
27. Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.
28. Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.
29. Por ata e detyruan duke thënë: ''Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron''. Edhe ai hyri që të rrijë me ta.
30. Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.
31. Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.
32. Dhe ata i thanë njeri tjetrit: ''Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?''.
33. Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.
34. Ata thoshnin: ''Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit''.
35. Ata atëherë treguan ç'u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.